Bashkëbisedim me Myftiun H. Edmir Smajlaj...
03 nëntor 2015
Pasditën e së martës,
më 3 nëntor 2015, Myftinia Shkodër
organizoi një tubim me temë:
"Bashkëbisedim me Myftiun e Malësisë së
Madhe, H. Edmir Smajlaj".
Pas përshëndetjeve të rastit, nga
teologu Arben Halluni, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, Myftiu
i Pukës, z. Gëzim Kopani dhe Drejtori i
Medresesë, z. Kujtim Dervishi, fjalën e
mori Myfiu i ftuar në këtë bashkëbisedim
vlerash.
Gjatë fjalës së tij, Myftiu i nderuar u
ndal te vlera që ka përkujtimi i
ngjarjes historike të rilejimit me ligj
të fesë në vendin tonë, rihapja e
xhamisë së Plumbit dhe aktivitetet që
pasuan.
Myftiu i nderuar bëri një prezantim të
aktivitetit të Myftinisë së Malësisë së
Madhe, që në fillimet e saj ishte pjesë
e Myftinisë Shkodër.
"Xhamia e parë pas xhamisë së Plumbit,
ishte ajo në fshatin Linaj, që u pasua
nga aktiviteti në xhaminë e Vrakës, ku
akoma sot ruhen tjegullat me emrin e
donatorit shkodran që para vitit 1967.
E para xhami e ndërtuar në Malësi të
Madhe, pas vitit 1990, është ajo e
Koplikut Qendër, me donacion të H.
Burhan Filit. Ajo u pasua me xhami të
reja në Jubicë, Gruemirë, Zagorë,
Gradiskije, Ktosh, Reç etj.
Mbledhjet dhe takimet e para, imamët e
Malësisë së Madhe i kanë bërë në
Myftininë e Shkodrës, nën drejtimin e
Myftiut H. Faik Hoxha.
Në vitin 2011 nisëm ndërtimin e xhamive
të reja pas një periudhe pushimi të
gjatë. Sot, falë Zotit, kemi 24 xhami.
Në periudhën 2011-2015 janë ndërtuar 9
xhami të reja, falë angazhimit dhe
bashkëpunimit me shoqata dhe fondacione
të ndryshme." - tha Myftiu.
Më pas, ai foli edhe për mirësinë e
besimit dhe rëndësinë që ka lidhja,
përherë e më tepër me mësimet dhe
parimet e tij.
"Islami është plotësuar, nuk ka asgjë që
mungon në Fjalën e All-llahut, në
Kur’an, as në fjalët e të dërguarit
(a.s). Mirëpo, ne si muslimanë e kemi
për detyrë sot të lexojmë, të kuptojmë,
të praktikojmë sa të mundemi të mirën e
Zotit, me të cilin na ka nderuar me këtë
Islam të mrekullueshëm." - tha, ndër të
tjera.
Pas përfundimit të fjalës së Myftiut të
Malësisë së Madhe, u zhvillua edhe një
bashkëbisedim rreth temës së këtij
tubimi, në kuadër të programit të 25
vjetorit.