Aktiviteti përkujtimor:
“Këshilla të një hytbeje, sa një amanet”
02 nëntor 2015
Pasditën e së hënës,
më 2 nëntor 2015, Myftinia Shkodër ka
shfaqur në kinema "Millenium", hytben e
fundit të mbajtur nga Myftiu i Shkodrës
(1991-2003), H. Faik Hoxha (1930-2011).
Aktiviteti në fjalë vjen në vazhdën e
programit të larmishëm të përkujtimit të
25 vjetorit të rilejimit të fesë me ligj
në vendin tonë.
Për rreth 30 minuta, të pranishmit patën
mundësinë të ndiqnin hytben e fundit të
mbajtur nga H. Faik Hoxha, rreth temës
së teuhidit dhe kuptimeve të fjalës së
Njësisë: "La ilahe il-lall-llah".
Hytbeja në fjalë ishte e mbushur me
argumente kur'anore dhe hadithe
profetike, që nxisin shtimin e dhikrit
dhe përmendjes së vazhdueshme të
All-llahut në jetë.
Hytbeja e fundit e mbajtur në jetën e
Myftiut H. Faik Hoxha, ishte si një
amanet i shtrenjtë besimi dhe
përkushtimi ndaj Zotit dhe fesë së Tij
në jetë, që i drejtohet të gjithë
besimtarëve.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu
i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i
cili tha se programi i aktiviteteve të
25 vjetorit të lirisë së besimit, nuk do
të kishte kuptim pa këtë mbrëmje
përkujtimore në nder të Myftiut të
nderuar H. Faik Hoxha dhe kujtimit të
tij.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin
edhe znj. Voltana Ademi, Kryetare e
Bashkisë Shkodër, z. Xhemal Bushati,
Kryetar i Këshillit të Bashkisë Shkodër,
H. Edmir Smajlajj, Myfti i Malësisë së
Madhe, H. Agim Terziu, Myfti i Lezhës,
z. Kujtim Dervishi, Drejtor i Medresesë
"Haxhi Sheh Shamia", z. Ridvan Seferaj,
Kryetar i Shoqatës "Istanbul", z. Sokol
Mandi, Drejtori i Shoqatës "Burimi", si
dhe shumë intelektualë, imamë, familjarë
të Myftiut rahmetli e besimtarë të
shumtë.