“Nderimi i Myftiut Hafiz Xhemal Çanga,
nderim për mbarë Shkodrën!”
01 nëntor 2015
I nderuar
Kryetari i Këshillit të Bashkisë
Shkodër, z. Xhemal Bushati,
Të nderuar familjarë të Myftiut H.
Xhemal Çanga,
Të nderuar të pranishëm,
Është në nderin tim dhe të Myftinisë
Shkodër, të përshëndes sonte këtë
ceremoni, ku Myftiut të nderuar, Hafiz
Xhemal Çanga, i akordohet titulli
“Mirënjohja e Qytetit”, pas vdekjes,
pikërisht në këtë nëntor të këtij viti,
kur bashkërisht përkujtojmë 25 vjetorin
e rihapjes së xhamisë së Plumbit dhe
organizimit masiv të xhumasë së parë në
liri, pas 23 vjet persekutimi, dhunimi
dhe ndalimi me ligj të fesë tek ne.
Kjo ceremoni nderimi dhe përkujtimi në
nder të Myftiut të Shkodrës, Hafiz
Xhemal Çanga, është në të vërtetë një
shenjë respekti për mbarë muslimanët e
Shkodrës, për vetë qytetin e, mbi të
gjitha, për atë brez besimtarësh,
imamësh e myftilerësh, që u sprovuan në
jetën e tyre me fitnen më të frikshme e
më të dhimbshme, atë të privimit nga
liria fetare.
Është një Mirënjohje, që ia kemi borxh
imamëve dhe myftilerëve tanë të
sprovuar, një dëshmi e ruajtjes dhe
mbrojtjes së amanetit të tyre, me të
cilin u larguan nga kjo botë, me zemër
të thyer e me shpresën e pashuar për
triumfin e besimit, me të cilin jetuan e
të cilit i shërbyen sa ishin në këtë
botë.
Përkujtimi i personalitetit të Myftiut
Hafiz Xhemal Çanga, na bën mirë të
gjithëve, sepse në një mënyrë a tjetër,
me përkujtimin e emrit të Hirësisë së
tij dhe të brezit që i takonte, ne
trashëgojmë tek e sotmja, e veçanërisht
te rinia dhe fëmijët tanë, respektin dhe
nderimin për këta burra të sprovuar në
fé!
Si të thuash, rasti i tyre na shërben
për t’u lidhur edhe më shumë me Islamin
tonë, pikërisht sot në kohën kur
islamofobia dhe osmanofobia, po
“lulëzojnë” në vendin tonë dhe dëshmimi
i Islamit në tokën dhe vendin e tij, po
kthehet në ndjenjë e çuditshme kompleksi
tek disa.
Hafiz Xhemal Çanga i përket atyre
burrave, për të cilët, në Kur’an thuhet:
“Ata janë burra, që ishin të sinqertë në
besën që i dhanë All-llahut…” –
(El-Ah’zab, 23).
Ai u largua nga kjo botë pa një xhenaze
të merituar, pa një “Fatiha” me xhemat,
pa një hatme e një përkujtim të denjë.
Ju ftoj, në nderim të tij, të ngrihemi
në këmbë dhe të lexojmë bashkarisht një
“Fatiha” për shpirtin e tij!
Faleminderit!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Fjala e rastit në ceremoninë e
dhënies së titullit “Mirënjohja e
Qytetit”,
Myftiut Hafiz Xhemal Çanga)
Shkodër, më 1 nëntor 2015