“All-llahumme më bëj
ta madhëroj falënderimin ndaj Teje!..”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të botëve, i Cili na mësoi se falënderimi është tregues i përkujdesjes ndaj mirësive hyjnore, garant i vazhdimësisë së tyre në jetë, shenjë e falënderimit të zemrës ndaj dhuntive, me të cilat është rrethuar jeta e jonë.

Thotë në Kur’anin Famëlartë: [Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm se: “Nëse falënderoni, do t'ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s'ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!”][1]
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë dhe udhëzim për krejt krijesat e Zotit. Prej udhëzimit dhe porosive të tij, ishte edhe lutja për t’u bërë falënderues e mirënjohës ndaj Zotit! Ibn Abbasi (r.a) tregon se Resulull-llahu (a.s) lutej: “All-llahumme më bëj falënderues ndaj Teje…”[2]
 
Të dashur besimtarë,
 
Me mbarësinë e All-llahut, pas dy ditësh hyjmë në muajin nëntor, të vitit diellor 2015.

Në pamje të parë, ky konstatim nuk tregon asgjë. Por, në të vërtetë, për qytetarët e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, nëntori i këtij viti vjen si një muaj i rëndësishëm që na kujton mirësinë e madhe të All-llahut, kur para 25 viteve më parë, u rihapën objektet fetare në këtë qytet, duke u shënuar largimi i resë së zezë mbi 23 vjeçare, nga rrezet e para të shpresës, dritës dhe ripërtëritjes së vlerave universale të besimit dhe fesë tek ne!
Kur e kthen kokën pas dhe mendon, hera-herës të duket e pabesueshme!

A thua vërtetë ka ndodhur që në këtë vend, është mohuar Zoti dhunshëm e zyrtarisht?!

A thua vërtetë ka ndodhur që në këtë vend besimtarësh, dijetarësh, njerëzish të mirë e me kulturë të gjerë, janë prishur Shtëpitë e Zotit, janë shkallmuar e rrënuar pa mëshirë?!

A thua vërtetë ka ndodhur që në këtë vend, ku thirrja e shpëtimit ka shoqëruar pesë herë në ditë muslimanët, si dëshmi besnikërie e dashnie ndaj Zotit të gjithësisë, është ndalur thirrja e zemrës e fjalët e ezanit, për më shumë se 23 vjet?!

A thua vërtetë ka ndodhur që në këtë vend, janë përndjekur agjëruesit e Ramazanit, është ndaluar haxhi i Shtëpisë së Lashtë, është ndaluar dhikri e salavati, urimet për bajram e betimet për emër të All-llahut?!

A thua vërtetë ka ndodhur që në këtë vend, janë djegur librat e dijes, janë dhunuar shtëpitë e hoxhallarëve, janë zhveshur nga misioni i tyre, janë burgosur, poshtëruar e nënçmuar publikisht?

(Kjo më kujton dëshminë e mikut tim, Ahmet Osja, ish-drejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, që më tregonte se kur përfaqësuesit e pushtetit kishin shkuar të bastisnin shtëpinë e të atit, të nderuarit Osman Meti, për t’i marrë librat e bibliotekës së tij, me të cilët kishin ngarkuar karrocat, e kishin goditur aq shumë sa e kishin rrëzuar përtokë, teksa përpiqej të ndalonte krimin e tyre ndaj pasurisë së tij…

Më kujton edhe kujtimet e njërit prej djemve të Hafiz Ali Krajës, që më thoshte se: [… kanë ardhur edhe nga kartoteka e historisë së Shqipërisë për të marrë libra nga biblioteka e babës tim. Libra të Hafizit ka marrë edhe prof. (nuk dua ta shënoj emrin këtu), që i ka patur në bibliotekën e tij personale... Biblioteka e babës ka qenë e madhe. Një raft i madh me xhama sa krejt fasada e murit, në një dhomë, që i kemi thënë “oda e qitabeve”... Pasi ia morën librat, ai kishte vetëm një ngushëllim, thoshte: “Dikush do t’i lexojë ata libra e do të ma çojë një rahmet...”][3])

A thua vërtetë ka ndodhur që muslimanët e kësaj toke kanë mohuar Zotin haptas, duke bërë propagandën marksiste dhe duke thirrur drejt materializmit dhe ateizmit, pa ndrojtje e me shumë zell?!

A thua vërtetë ka ndodhur që në këtë tokë e ndër bijtë e saj është personifikuar ajeti kur’anor, ku All-llahu i Madhëruar urdhëron: “Kush është më zullumqar se ai që është këshilluar me argumentet e Zotit të vet, e ua kthen shpinën atyre dhe harron atë që vetë e punoi?”[4]

A thua vërtetë ka ndodhur që në këtë vend, njerëzit kanë mohuar Kur’anin, ashtu sikurse shkruan Hafiz Ali Korça, se: “Komunizmi nuk pajtohet me asnjë fe sepse bazohet mbi pafesinë, se thotë: Zot s’ka. Profet s’ka (hasha). Zoti s’është gjë fare. S’është as një as disa. S’ka Zot që të ketë edhe profetë. Profetët janë disa njerës gënjeshtarë që librat i kanë përdorur si vegla për të rjepur botën edhe të ushqeheshin mbi kurrizin e tyre. Ata thonë se Tevratit, Inxhilit dhe Kur’anit i ka kaluar koha.
  
Thonë një kohë bota vepronte sipas Kur’anit e sipas Inxhilit dhe Tevratit edhe me këtë mënyrë siguronin jetesën, por sot çdo njeri duhet të jetojë me Kur’anin e Karl Marksit! PLASJA T’U BJERË!...”[5]

A thua vërtetë ka ndodhur që në këtë tokë e ndër bijtë e saj është personifikuar ajeti kur’anor, ku All-llahu i Madhëruar urdhëron: “E kush mund të jetë më mizor se ai, që në xhamitë e All-llahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre.”[6]
A thua vërtetë ka ndodhur..?!
 
Të dashurit e mi,
 
Sot, është koha që në këtë përvjetor të 25-të të rihapjes së xhamisë së parë në Shkodër e Shqipëri, Xhamisë së Plumbit, më 16 nëntor 1990, të gjithë ne, si brez besimtar, të lidhur me Fjalën e All-llahut, me traditat e udhëzimet e të Dashurit të Tij, Hz. Muhammedit (a.s), me Kur’anin Famëlartë; leximin, studimin dhe zbatimin e tij në jetë etj, të jemi falënderues dhe mirënjohës ndaj Zotit për këtë mirësi të madhe të lirisë së besimit!

Sot, më shumë se asnjëherë tjetër, e kemi për detyrë morale e shpirtërore, ta dëshmojmë besimin e fenë tonë, ta shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë ndaj All-llahut të Madhëruar, për momentin kur vëmë kokën në sexhde, pa frikë e ndrojtje!

Për mirësinë e madhe të faljes së namazeve në 57 xhamitë që ka sot Shkodra, ku të duam e kur të duam, në cilindo prej pesë vakteve ditore!

Për mirësinë e madhe të dëshmimit të madhështisë së agjërimit të Ramazanit dhe mbushjes së xhamive me të rinj, që vijnë për të falur teravinë e namazet me xhemat!

Për mirësinë e madhe të medresesë sonë, ku fëmijët tanë kanë mundësinë të marrin sadopak edukatën fillestare islame, për t’u rritur me sadopak imunitet besimi, që do të vlejë në përballjen e tyre me sprovat e reja të femohimit, ateizmit, shthurrjes morale, diabolizmave pafund, me të cilat po rrethohet sërish shoqëria e jonë!
 
Të dashurit e mi,
 
Gjatë ditëve në vijim, ju jeni të ftuar të bëheni pjesë e aktiviteteve të larmishme, të cilat Myftinia Shkodër ka planifikuar të zhvillojë, sipas një programi të larmishëm, që do ta merrni në dalje nga xhamia.

Ju ftoj me zemër të bëheni pjesë e këtyre aktiviteteve, sa të keni mundësi, për të jetuar e dëshmuar këtë mirësi të madhe të besimit e të fesë tonë të shtrenjtë islame.

Sepse, pasha All-llahun, për këto mirësi me të cilat jemi mbuluar gjatë këtyre 25 viteve në besim, ne e meritojmë të themi me të madhe, sikurse Ebu Hurejra (r.a) që thoshte: “Kam mësuar një lutje nga Resulull-llahu (a.s), nuk do ta lë asnjëherë: All-llahumme më bëj ta madhëroj falënderimin ndaj Teje!..”[7]

Ju ftoj me zemër, të përhapni kudo lajmin e mirë të mirësisë së madhe të lirisë së besimit, të cilën duhet ta ruajmë e ta mbrojmë me përkushtimin tonë, me sakrificat tona, me mëkimin e tij fëmijëve tanë, me angazhimin për të mos lejuar që asnjë prekje jashtë fesë e besimit tone, të depërtojë në familjet tona, në bisedat tona, në kulturën tonë, në shpirtin e kësaj shoqërie e kësaj toke të lidhur me emrin “ALL-LLAH” dhe fenë e Tij!

Ju ftoj me zemër të bëhemi përkrahësit dhe mbrojtësit e vlerave të Islamit e dritës së tij, përhapësit e Fjalës së Zotit dhe mësimeve të Hz. Muhammedit (a.s), me bindje e krenari legjitime!

Ju ftoj me zemër, ta përjetojmë si duhet këtë mirësi të madhe të rihapjes së lirisë së fesë, me lutjet më të sinqerta që kurrë mos ndodhtë që dikush të na poshtërojë në fenë tonë e, ne të heshtim, a (Zot na ruaj) të bëhemi palë!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 30 tetor 2015

[1] Kur’ani, Ibrahim: 7.
[2] Transmetuar nga Ebu Davudi.
[3] Nga biseda e zhvilluar me z. Mehdi Ali Kraja në Shkodër, më 14. 03. 2007. (Material në dorëshkrim).
[4] Kur’ani, El-Kehf: 57.
[5] Hafiz Ali Korça, “Bolshevizmi është shkatërrim i njerëzimit”, botim i tretë i përshtatur dhe i përgatitur për shtyp nga prof. dr. Feti Mehdiu, Prishtinë, 2001, fq. 21-22. (Botimi i parë, Tiranë, 1925. Botimi i dytë, Michigan, 1993).
[6] Kur’ani, El-Bekare: 114.
[7] Transmetuar nga Tirmidhiu.

 


“All-llahumme më bëj ta madhëroj falënderimin ndaj Teje!..”
“All-llahumme më bëj ta madhëroj falënderimin ndaj Teje!..”
“All-llahumme më bëj ta madhëroj falënderimin ndaj Teje!..”