Myftinia Shkodër
bëhet gati për programin e 16 nëntorit
29 tetor 2015
Pasdrekën e së
enjtes, më 29 tetor 2015, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari,
zhvilloi një takim pune me një grup
imamësh të Shkodrës, me të cilët
diskutoi fillimin e programit, me
aktivitete të larmishme, në prag të 16
nëntorit 2015.
Myftiu tha se programi, me të cilin
shpresohet t'i bëhet jehonë 25 vjetorit
të rilejimit me ligj të lirisë fetare,
duhet të ketë angazhimin maksimal të
krejt imamëve, xhemateve dhe qytetarëve
muslimanë të Shkodrës, pasi kjo ngjarje
personifikon shpirtin e besimit të
pashuar në zemrat e shkodranëve.
Në këtë takim u shpjegua programi i
aktiviteteve, që nisin nga dita e
nesërme, më 30 tetor 2015, ku në të
gjitha xhamitë e Shkodrës do të mbahen
hytbe, kushtuar sakrificës dhe vullnetit
të pashembullt të rinisë dhe qytetarëve
shkodranë, që në nëntor të vitit 1990, i
paraprinë proceseve demokratizuese të
vendit, me hapjen e objekteve fetare.
U kërkua, që programi të prezantohet më
së miri në të gjitha xhamitë e qytetit
dhe fshatit, si dhe të ftohen besimtarët
dhe qytetarët e Shkodrës që të bashkohen
në këto aktivitete, në përkujtim të 25
vjetorit të Xhamisë së Plumbit.Ky takim
u zhvillua në ambientet e xhamisë së
Plumbit, ku më parë, imamët falën së
bashku namazin e iqindisë.