U përkujtua 20 vjetori
i inaugurimit të xhamisë "Ebu Bekër"
27 tetor 2015
Ditën e martë, më 27
tetor 2015, pas namazit të iqindisë, në
xhaminë "Ebu Bekër", në Fushë Çelë, u
organizua një aktivitet përkujtimor, me
rastin e ditës së 20 vjetorit të
inaugurimit të xhamisë së Madhe të
Shkodrës.
Në ligjëratën e tij, imami i kësaj
xhamie, teologu Idmir Plaku, foli mbi
rëndësinë e kësaj xhamie, si dhe vlerën
e madhe që ajo i jep qytetit të
Shkodrës, duke dëshmuar shpirtin islam
dhe mesazhet e tij qytetëruese.
Ai vuri theksin te vlera e xhamisë në
shoqëri, si dhe pozita e rëndësishme e
kësaj faltoreje të mrekullueshme, në
qendër të qytetit.
Ndërsa imami i xhamisë Perash, teologu
Adem Pizga, foli mbi vlerën e xhamive në
jetën e muslimanëve, si dhe shpërblimin
e frekuentuesve të saj, në këtë botë
para të përtejmes.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu
i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari,
si dhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H.
Edmir Smajlaj, që dhanë mesazhet e tyre
me rastin e kësaj dite dhe ngjarjes së
madhe për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë.
Myftiu i Shkodrës, uroi edhe drejtuesit
e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,
duke theksuar se Xhamia e Madhe e
Shkodrës, është vlerë për KMSh, sikurse
data jubilare e 20 vjetorit të saj, datë
reflektimi dhe dëshmie për vetë KMSh.
Më herët, Myftiu falënderoi Familjen
"Ez-Zamil", nga Arabia Saudite, që
kontribuoi për ndërtimin e kësaj xhamie,
sikurse u lut për krejt myftilerët,
imamët, muezinët, shërbyesit,
kontribuuesit dhe krejt besimtarët
frekuentues të kësaj xhamie të dashur.
Aktiviteti u mbyll me urimet e teologut
Arben Halluni drejtuar besimtarëve, për
të cilët u shpërnda edhe një botim
informues, enkas për këtë ditë, që ka të
bëjë me historinë e vakëfit të kësaj
xhamie, emërtimin e tij, zanafillën e
emrit etj.