Islami, për të cilin ia vlen të jesh përherë “Husejn”!
23 tetor 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë All-llahut, Zotit të
Vetëm të botëve, i Cili urdhëron në
Kur’anin Famëlartë: “Atyre nga mesi
juaj, të cilët besuan dhe bënë vepra të
mira, All-llahu u premtoi se do t'i bëjë
zotërues në tokë, ashtu si i pat bërë
zotërues ata që ishin para tyre dhe
fenë, të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta
forcojë, e në vend të frikës Ai do t'ju
dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e
nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas
kësaj mohon, të tillët janë ata më të
prishurit”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta
ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo
moment të jetës tonë, zotërisë së bijve
të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u
dërgua mëshirë për të gjitha krijesat e
Zotit. Këtë mirësi dhe mëshirë të
përbotshme, ai zotëri na e mësoi edhe
nëpërmjet udhëzimit të tij: “Mëshiruesit
i mëshiron Mëshiruesi. Mëshironi ata që
janë në tokë, t’ju mëshirojë Kush është
në qiell”[2]
Të nderuar besimtarë,
Ajeti i lartpërmendur, me të cilin e
nisa mesazhin e kësaj jave, është një
thirrje e fortë besimi dhe një garanci
hyjnore për secilin prej nesh, për të
jetuar me dinjitet dhe krenari fenë e
tij, për ta dëshmuar pa ndrojtje
vullnetin e dorëzimit para Zotit. Është
një ndër ajetet, që saherë e lexon,
vetëm se mbushesh me optimizëm dhe
shpresë, me jetë e mirësi, që të bën të
mendosh dhe të reflektosh njëkohësisht
rreth realiteteve, me të cilat përballet
sot ymmeti islam.
Dhe, natyrshëm “kur shohim gjithë ato
premtime të Zotit në Kur’anin e
Madhërishëm, që akoma nuk janë
realizuar, si duhet ta interpretojmë
këtë fakt? Ka vetëm një interpretim, që
ne, akoma nuk jemi lartësuar në gradën e
cilësuar në Kur’an, sikurse nuk kemi
arritur me besimin tonë të jemi në
nivelin e meritimit të këtyre premtimeve
hyjnore! Atëherë, si të veprojmë? Të
rregullojmë veten tonë!”[3]-
siç e thekson me të madhe, një prej
dijetarëve të shquar bashkëkohorë, dr.
Ratib Nabulsi.
Nga këtu, më erdh ndër mend një lexim i
vjetër i Mësuesit tonë, Shejkh Ahmed
Keftaro, ku teksa shkruan për vlerat e
Hixhretit dhe mësimet që dalin prej tij,
ndër të tjera thotë: “O Hixhret i
Madhërishëm i profetit tonë, a thua
përkujtimi yt, këtë vit, do të na
shërbejë si shtysë për të vaksinuar
mendjet tona me mendime të ndritshme,
për t’u zbukuruar vetvetja jonë me
mirësjelljen e shumëdëshiruar dhe për
t’u zbukuruar zemrat tona me Dritën e të
Plotdijshmit?
O Shkollë e Hixhretit profetik, a thua
vallë rikthimi i përkujtimit tënd në
mesin e botës arabe dhe islame, do bëhet
shtysë për të studiuar gjurmët e tua të
begata, mirësitë e edukimit të lartë, që
ti dhuron, nëpërmjet të cilit dhe
nëpërmjet teje, bota njohu muslimanët,
civilizimin islam, historinë e tyre?”[4]
Të dashur besimtarë,
E vërteta e prapambetjes tonë si ymmet,
qëndron pikërisht në faktin se ne
harruam të lexojmë argumentet e fesë
tonë, u zumë me këtë botë, me
materializmin e saj, me gjërat e vogla
të saj, me neglizhencën karshi
madhështisë së fesë dhe krenarisë sonë
shpirtërore!
E vërteta e kthimit në këto realitete të
frikshme, ku jeta dhe gjaku i
muslimanëve në botë, kushton shumë lirë,
krejt lirë dhe pa vlerë, qëndron
pikërisht në shkëputjen e marrëdhënieve
tona me boshtin e fesë dhe edukimin e
mendjes dhe zemrës për të jetuar sipas
vullnetit hyjnor!
Në fillim të një viti shkollor, të
gjithë nxënësit që ulen në banka,
paramendojnë se në fund të vitit, secili
do të jetë më i miri në mesin e shokëve.
E vërteta është se vetëm ai që lodhet
dhe shfrytëzon kohën e tij për të
arritur qëllimet, vetëm ai do të arrijë
të triumfojë dhe të korrë kënaqësitë e
suksesit!
Kështu është edhe realiteti i
marrëdhënies sonë me fenë dhe besimin në
jetë! Ne e kemi neglizhuar fenë tonë, e
kemi lënë pas dore Thirrjen Islame! I
kemi hyrë në hak All-llahut,
Resulull-llahut (a.s), Kur’anit
Famëlartë, Traditave të Hz. Muhammedit
(a.s), historisë islame, dijes dhe
edukatës islame, mirësjelljes dhe
respektimit të njëri-tjetrit, u kemi
hyrë në hak!
Prandaj, zgjidhja e vetme është kthimi
nga dera e besimit dhe angazhimi me
korrektësi me vlerat e tij, me
detyrimet, angazhimet dhe forcën e
vullnetit për të arritur gradën e
dëshmisë kur’anore: “Ata janë burra që
nuk i pengon as tregtia e largët e as
shitblerja në vend, për ta përmendur
All-llahun, për ta falur namazin dhe për
ta dhënë zekatin, ata i frikësohen një
dite, kur do të tronditen zemrat dhe
shikimet.”[5]
Ibn Kethiri shkruan se: [një ditë Ibn
Abbasi (r.a) pa disa tregtarë në
punishtat e tyre, që në momentin e
thirrjes së ezanit, lanë punën dhe
vrapuan drejt namazit. Ai tha: “Këta
janë prej atyre, që All-llahu i ka
përmendur në Kur’an, ku ka thënë: “Ata
janë burra që nuk i pengon as tregtia e
largët e as shitblerja në vend, për ta
përmendur All-llahun”][6]
Zgjidhja është që secili prej nesh të
mundohet të jetë më i ndjeshëm ndaj
çështjeve të besimit dhe fesë së tij, më
korrekt me Kur’anin, më i lidhur pas
leximit, sa më larg thashethemeve dhe
bisedave pa dobi, larg shoqërive që
vetëm të dëmtojnë kohën dhe ta vrasin
atë, edhe me arsyetime fetare!
Të dashurit e mi,
Sot, më shumë se kurrë kemi nevojë ta
jetojmë Islamin në vetvete, ta dëshmojmë
atë para botës, duke i ftuar të tjerët
drejt përqafimit të Fjalës së Zotit,
drejt dorëzimit para thirrjes së Tij.
Sot, kemi nevojë të prezantojmë para
botës mesazhin tonë, të cilin nuk e
njohin, ose u është prezantuar në formën
dhe mënyrën e gabuar. “Do të dëshiroja
sikur dijetarët e krejt vendeve tona të
ishin në ballë të trajtimit të çështjeve
bashkëkohore, për të prezantuar rolin e
Islamit në shërimin e lëngatave, me të
cilat përballet bota sot. Që të mbeten
mësimet e tij në realitetet tona, që të
dëshmojë rinia e jonë madhështinë e
tij…”[7], shkruan
dr. Sheuki Ebu Khalil.
Ai shkon edhe më larg, kur sjell në
vëmendjen tonë trajtimin e temave të
larmishme, që e dëshmojnë Islamin si
zgjidhjen më garante të lëngatave
njerëzore, sidomos në trajtimin e tij të
tematikave delikate, si: racizimi dhe
dallimet selektive në shoqëri, shëndeti
i njeriut, thirrja e popujve,
përkujdesja ndaj prindit, vlerësimi i
familjes, pastërtia, degradimi i lirisë
seksuale në shoqëri dhe disiplinimi që i
bën Islami, edukimi i fëmijëve,
përkujdesja ndaj mjedisit, butësia ndaj
kafshëve, rinia si shtyllë e shoqërisë,
paqja globale dhe ajo sociale etj.
Kësisoj, sot, më shumë se kurrë, tashmë
që bota është ndezur nga gjakderdhja,
vrasja e të pafajshëmve, djegia,
imoraliteti dhe shthurrja intelektuale,
kthimi nga vlerat e besimit dhe fesë
sonë është bërë një obligim që nuk lihet
më pas dore!
Në përfundim,
Sot, bota islame duket se jeton në
sinkron me ndodhitë e dhimbshme të vitit
61 h., kur në fushën e Qerbelasë (në
Irakun e sotëm), u martirizua nipi i
Resulull-llahut (a.s), Hz. Husejni, i
biri i Hz. Aliut dhe Hz. Fatimesë.
Vrasja e dhimbshme e tij dhe tendenca
për të shuar familjen e vajzës së të
dërguarit (a.s), barazvlefshëm me vlerat
praktike të Islamit të jetuar, duket se
është kthyer në një mision të pasuesve
të së keqes në çdo kohë, edhe në kohën
tonë, kur Islami etiketohet si terror e
dekadencë!?
Prandaj, kthimi ynë nga feja dhe
angazhimi për ta jetuar jetën sipas
vullnetit të Zotit, është mundësia e
jonë e vetme për të shpëtuar nderin e
humanizmit tonë dhe atë tëpërkatësisë
sonë fetare, për t’u lartësuar në
nivelin e “burrërisë” së besimit, për të
cilin, ia vlen të jesh përherë “Husejn”!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Dy
Vajzave)
Shkodër, më 23 tetor 2015
[1] Kur’ani,
En-Nur: 55.
[2] Transmetuar
nga Tirmidhiu dhe Ebu Davudi.
[3]
www.nabulsi.com/blue/ar/print.php?art=4414
[4] Shejkh Ahmed
Keftaro, “Min hedjil-Kur’an”, përgatitur
për botim nga Zahir Ebu Davud, Damask,
pa vit botimi, f. 197. (Në fund të
shkrimit me titull: “Viti i ri hixhri”).
[5] Kur’ani,
En-Nur: 37.
[6]
quran.ksu.edu.sa/tafseer/katheer/sura24-aya37.html
[7] Dr. Sheuki
Ebu Khalil, “Men dajjaal’Kur’an”, botimi
i 4-t, Damask, 1998, f. 290.