Këshilli i Myftinisë,
takimi përmbyllës në prag të 16 nëntorit
22 tetor 2015
Mbrëmjen e së enjtes,
më 22 tetor 2015, Këshilli i Myftinisë
Shkodër, zhvilloi një takim këshillimor,
ku u diskutua në mënyrë të detajuar
programi i ngjeshur i aktiviteteve të
muajit nëntor, në prag të datës
historike të 25 vjetorit të rihapjes së
xhamisë së parë, pas 23 vitesh
persekutimi fetar në vendin tonë.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B.
Sytari, shpjegoi rëndësinë që ka data 16
nëntor 2015, si një moment reflektimi
mbi madhështinë e besimit dhe nevojën e
vazhdueshme për të dhënë në rrugën e
tij.
Ai tha se këtë vit, Myftinia Shkodër ka
zhvilluar aktivitete të shumta, në
kuadër të vitit jubilar të 25 vjetorit
të rihapjes së xhamisë së parë në
Shqipëri, xhamisë së Plumbit. Por, ai
theksoi se vlera kryesore e këtij
angazhimi maksimal të krejt faktorëve të
kësaj mbarësie hyjnore, përqendrohet
tashmë në aktivitetet e larmishme të
muajit nëntor 2015.
Këshilli i Myftinisë Shkodër, diskutoi
për mbi dy orë, krejt programin e
prezantuar nga Myftiu, duke dhënë
mendime të dobishme, ide për arritjen e
më të mirës në drejtim të përkujtimit sa
më dinjitoz të kësaj ngjarjeje
historike.
Programi i plotë i takimit të kësaj
mbrëmje do të bëhet publik shumë shpejt,
në një konferencë për shtyp.Me këtë
rast, Myftinia Shkodër fton krejt
besimtarët dhe qytetarët e Shkodrës, të
bëhen pjesë e aktiviteteve në përkujtim
të ngjarjes historike të rihapjes së
xhamisë së parë, pas shtypjes dhe
persekutimit të dhunshëm ateo-komunist.