“Përshpirtje dhe nostalgji nga Haxhi 2015”, aktiviteti në nderim të haxhilerëve shkodranë
17 tetor 2015
Paraditën e së
shtunës, më 17 tetor 2015, Myftinia
Shkodër organizoi një tryezë
përkujtimore, në nderim të haxhilerëve
të këtij viti, emocioneve dhe
përshpirtjeve të përjetuara prej tyre
gjatë këtij udhëtimi të mrekullueshëm.
Aktiviteti nisi me fjalën e teologut
Arben Halluni, që theksoi se kjo mirësi
e madhe e Zotit ndaj haxhilerëve të
Shkodrës, është një ftesë reflektimi për
mirësitë e mëdha, me të cilat Ai e ka
rrethuar jetën tonë dhe obligimin që
kemi ndaj këtyre mirësive.
Takimi u përshëndet edhe nga Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili
uroi të gjithë haxhilerët e pranishëm
për haxh të pranuar dhe përfitime
shpirtërore, që do reflektojnë mirësinë
dhe bukurinë e Islamit edhe në jetën e
përditshme, këtu në Shkodër.
Myftiu uroi që kjo mirësi e madhe, të
vazhdojë të rrezatojë përherë e më shumë
vlera besimi dhe mirësi udhëzimi në
Islam për popullin tonë, Shkodrën në
veçanti.
Me shumë emocion u ndoq fjala e znj.
Zenepe Dibra, e cila pati mirësinë e
Zotit që të kryente haxhin e sivjetshëm.
Ajo shprehu falënderimet e saj ndaj
Zotit, që ia mundësoi ta kryente haxhin
dhe të përjetonte emocione të mëdha, të
cilat dëshiroi t’i ndante me të
pranishmit dhe përtej tyre.
Znj. Dibra theksoi se gjatë qëndrimit në
Mekë dhe Medine, është lutur edhe për
Shkodrën dhe Shqipërinë, që Zoti ta
mbrojë nga haramet, korrupsioni, e
keqja, imoraliteti e shthurja, si dhe ta
udhëzojë popullin tonë drejt besimit dhe
vlerave të tij.
Ajo falënderoi edhe Myftininë Shkodër
për trajnimin dhe përkujdesjen e saj në
përcjelljen dhe pritjen e haxhilerëve.
Me këtë rast, i dhuroi Myftiut të
Shkodrës, një kopje të vëllimit të parë
librit të saj enciklopedik, titulluar:
“Fjalor enciklopedik i hapësirës
shkodrane”.
Aktiviteti vijoi me fjalën e mbajtur nga
imami i nderuar, teologu Ruzhdi Plangaj,
i cili tha se përjetimet e haxhit janë
një eksperiencë e pashembullt dhe një
mirësi e madhe, që të bën të mbetesh i
lidhur me ato vende të shenjta, edhe pas
kthimit në vendlindje.
Në fjalën e tij, ai tha se përkushtimi i
haxhilerëve shqiptarë ka qenë i madh ,
njësoj si lutjet e tyre për vendlindjen
dhe shqiptarët kudo janë.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga z.
Kujtim Dervishi, drejtor i Medresesë
“Haxhi Sheh Shamia”, si dhe H. Edmir
Smajlaj, Myfti i Malësisë së Madhe, që
shprehën vlerësimet e tyre për këto
organizime të dobishme dhe vlerësimin
ndaj haxhilerëve të Shkodrës dhe
Malësisë së Madhe.
Në fund, imami i nderuar, z. Agim Hoxha
këndoi një ilahi të bukur kushtuar
haxhit dhe haxhilerëve, në nderim të
këtij tubimi vlerash.
Për të pranishmit, Myftinia kishte
organizuar edhe një ftesë për kafe dhe
çaj.