“Feja e tij është feja e jetës..!”
16 tetor 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut të
Madhëruar, Zotit të Vetëm të gjithësisë,
i Cili është përherë pranë besimtarëve,
sidomos në situata dhe realitete të
vështira, kur dikush edhe mund të
rrëshqasë në kufijtë e pesimizmit. Thotë
në suren Ali Imran: “E mos u dobësoni
(fizikisht) dhe mos u dëshpëroni
(shpirtërisht) derisa ju jeni më të
lartit, po qe se jeni besimtarë të
sinqertë”[1]
Salavatet dhe përshëndetjet më të
përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë
dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë
së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit
(a.s), që u dërgua mëshirë dhe udhëzim
për të gjitha krijesat. Prej tij mësuam
besnikërinë dhe qëndresën në fenë tonë,
kur iu drejtua axhës së tij Ebu Talibit:
“O axhë, pasha All-llahun, po të ma
vinin diellin në të djathtën time dhe
hënën në të majtën time për ta lënë këtë
çështje, nuk do ta lija, derisa të
triumfonte me mbarësinë e All-llahut,
ose të shuhesha në këtë rrugë”[2]
Të nderuar dhe të dashur
besimtarë,
Sa më shumë që prek nga afër organizimet
fetare dhe kombëtare, përherë e në
rritje, të muslimanëve shqiptarë në
perëndim, shtimin e të rinjve
frekuentues të xhamive dhe faltoreve të
shumta (përherë e në shtim), aq më shumë
bindem për cektësinë e atyre që akoma
vazhdojnë të bërtasin se “kombi shqiptar
është islamizuar me dhunë” dhe se
“Islami është një aksident fatal për
kombin shqiptar”!? (më falni për
shprehjen, por sinqerisht që të tillë më
duken, njësoj si disa të tjerë, që
alarmohen dhe shpërthejnë në
primitivizmin e tyre, saherë citojmë
historinë dhe argumentet e
patjetërsueshme, që vërtetojnë gjurmët
islame në këtë vend, kulturën dhe
qytetarinë, pastërtinë dhe qytetërimin e
prodhuar ndër shekuj, duke mëkuar vlerat
më të mira kombëtare nga ky shpirt e kjo
mirësi hyjnore).
Ky është realiteti i krejt popujve (jo
vetëm i shqiptarëve), që kanë gjetur
prehjen shpirtërore në Islam, sidomos në
perëndim, ku muslimanët po blejnë
objekte të shumta kulti të
jomuslimanëve, për t'i kthyer në xhami.
Ajeti i lartpërmendur, është një thirrje
drejtuar jo vetëm sahabëve të nderuar,
por mbarë besimtarëve muslimanë, deri në
ditën e fundit. Kjo thirrje, ka një
mesazh, që duhet të rrënjoset mirë në
thelbin e secilit prej nesh. Tamam siç
thotë Imam Tabariu, teksa komenton këtë
ajet: “Mos u dëshpëroni, se mund të
frikësoheni nga ndodhitë e shkuara,
sepse ju jeni triumfues dhe ngadhënjyes.
Për ju do të jetë fitorja dhe krenaria,
nëse do të besoni në atë që ju sjell i
dërguari Im, Muhammedi (a.s), prej
lajmeve, që lidhen me çështjen tuaj”[3]
Është shumë e rëndësishme, që secili
prej nesh, të ketë një bindje të
paluhatshme, se besimi dhe besnikëria
ndaj tij, janë shtysat dhe garancitë
kryesore të mbarësisë, suksesit,
shpërblimit dhe lartësimit në këtë botë,
para të përtejmes.
Në Kur’anin Famëlartë, urdhëron:
“Përkujto (o i dërguar) kur ata që nuk
besuan thurnin kundër teje; të ngujojnë,
të mbysin ose të dëbojnë. Ata bënin
plane, e All-llahu i asgjësonte, se
All-llahu është më i miri që asgjëson
(dredhitë)”[4]
Prandaj, me të drejtë, studiuesi dhe
historiani i shquar islam, Dr. Sheuki
Ebu Khalil, teksa analizon Hixhretin e
të dërguarit të All-llahut (a.s), me
krejt vështirësitë e tij të panumërta
dhe rrezikun që i kanosej jetës së Hz.
Muhammedit (a.s), shkruan: “Feja e tij
është feja e jetës, feja e lavdisë, feja
e triumfit, feja e madhështisë,
udhërrëfimi i krejt popujve! ISLAMI! Ai
që bashkon dhe nuk përçan, ai që i
konsideron krejt dituritë dhe shkencat
obligime! Islami, që i jep hov shoqërisë
në çdo fushë të jetës; në ekonomi, në
politikë, në ushtri, në mendim, në
edukim, në moral…
Dhe sot, në përkujtim të Hixhretit, në
fillim të shekullit 15 hixhri, ku është
hixhreti juaj, o muslimanë? Ja, punët
dhe veprat e Profetit, ku janë punët dhe
veprat tuaja? Ja, sakrificat e tij (a.s)
dhe ato të muhaxhirëve dhe ensarëve, ku
janë sakrificat tuaja? Ja, qëndresa e
brezit të parë, ku është qëndresa juaj?
Ja, historia e tyre, ajo që ndërtuan,
ndërkohë që ne nuk kemi me çfarë të
mbajmë kokën lart përveç historisë së
tyre, pasi me veprat e tyre, ata ngelen
krenari dhe lavdi edhe për brezat e
ardhshëm, ku është historia e juaj
bashkëkohore, me të cilën mburreni?”[5]
Të dashur të pranishëm,
Realitetet e sotme, po luajnë rolin e
tyre për frikësimin e njerëzve nga
Islami, ku përçudnimi i imazhit të tij,
nëpërmjet dhunës, vrasjeve barbare,
djegies e terrorit, (me të cilët feja e
jonë nuk ka asnjë lidhje) po kthehet në
një shqetësim global dhe një ftesë për
reflektim!
Nëse vërtetë ky është Islami, ku ishte
ai para shumë shekujve? Nëse ky është
imazhi ynë, pse ne e kundërshtojmë me të
madhe dhunën, terrorin, anarshinë,
injorancën, intolerancën etj, a nuk jemi
edhe ne muslimanë, si krejt muslimanët
në mbarë botën? Po sikur, realisht
Islami të ishte fé e dhunës dhe
terrorit, si do të përkthehej në
realitetet botërore ky konstatim
paradoksal, shumëzuar për 1 miliard e
gjysëm miliardi muslimanë?
Ku t’i shpiem hadithet e sakta, si:
“Musliman është ai, nga dora dhe gjuha e
të cilit janë të shpëtuar krejt
muslimanët, ndërsa muhaxhir, është ai që
largohet nga ndalesat e All-llahut”[6],
ose: “Me të gjitha cilësitë vuloset
personaliteti i besimtarit, përveç
tradhtisë dhe gënjeshtrës”[7],
ose: “Ruajuni nga paragjykimi, sepse
paragjykimi është biseda më gënjeshtare!
Mos e spiunoni dhe mos e nxitni për keq
njëri-tjetrin! Mos u urreni! Jetoni si
vëllezër…”[8], ose:
“… Muslimani është haram për muslimanin;
gjaku i tij, pasuria e tij, nderi i
tij!”[9]
Prandaj, mos të stepeni nga situatat
kaotike, tragjike dhe të mbushura plot
terror dhe krime ndaj njerëzimit, me të
cilat po përballen vendet islame dhe
mbarë ymmeti, sidomos në Lindje, ku
spikat Siria me dhembjet e saj të
frikshme, varfërinë e tejskajshme,
bombardimet shkatërrimtare, anarshinë
etj, si dhe Palestina martire, ku gjatë
këtyre ditëve janë vrarë me dhjetra djem
e vajza, fëmijë e gra shtatzëna, të
pafajshëm!
Ky shekull është i zgjimit të vetëdijes
islame në mbarë botën, i afrimit dhe i
unitetit të muslimanëve në mbarë botën,
i pastrimit të ymmetit nga llumi i
shekujve dhe injoranca e ngurtësimit të
mendjes!
Mos të stepeni! Besoni dhe përhapeni
Fjalën e Mirë, pa frikë e pa ndrojtje!
Dëshmojeni Islamin tuaj, me krenari
legjitime, me bindje dhe me vullnet për
të bërë mirë, kudo që jeni, me këdo që
rrini, ndaj kujtdo që ju shtrin dorën e
dialogut dhe mirëkuptimit, me të gjithë
ata që sinqerisht duan të ndërtojnë
paqen sociale në këtë botë të tejrënduar
nga mashtrimi, urrejtja e fshehur,
hipokrizia dhe shthurja intelektuale!
Në fund:
Dua të përhajroj Bashkinë dhe Këshillin
e Bashkisë Shkodër, që pavarësisht
kërkesave të përsëritura të Myftinisë
Shkodër për të emërtuar rrugën bri
xhamisë Parrucë me emrin e dijetarit të
madh e të pashoq, shkodranit të shquar,
H. Vehbi S. Gavoçi, pavarësisht kërkesës
së përsëritur, që sheshi kryesor i
Rusit, të emërtohet “Sheshi Hafiz Sabri
Koçi”, nderi i Rusit, i Shkodrës dhe i
mbarë Shqipërisë, pavarësisht kërkesës
së përsëritur që rruga “Bexhene”, pranë
xhamisë së Plumbit, të zëvendësohet me
emrin e datës së lavdishme: “16 nëntor
1990”, pavarësisht.., shumë pavarësisht…
akoma, ato shkresa qëndrojnë në arkivat
e dy institucioneve tona, edhe si
dëshmitarë të heshtur që një ditë do të
flasin, duke dëshmuar shumëçka në hak të
muslimanëve shkodranë dhe vlerave të
tyre të mohuara qëllimisht në këtë
qytet!
Unë kam një pyetje për Bashkinë dhe
Këshillin e saj: A ka Shkodra ndonjë
personalitet musliman, që ia vlen ta
skalitni në ndonjë nga zonat kryesore të
qytetit, qoftë edhe si simbolikë
përkujtimore? A ka pasur Shkodra
dijetarë, poetë, shkrimtarë, patriotë të
shquar e veprimtarë të zellshëm të
çështjeve kombëtare, me shpirtin e
pastër islam, që meritojnë të jenë akoma
sot pika referimi për këtë qytet, pas
shërbimeve të sinqerta ndaj këtij vendi
dhe kësaj toke të shtrenjtë?
Ku është shtatorja e dëshmorëve të
panjohur muslimanë të Shkodrës, që ranë
në mbrojtje të qytetit dhe vendit nga
agresioni serbo-malazez, menjëherë pas
pavarësimit? Ku është shtatorja e babait
të abetareve, Daut Boriçi? Ku është
shtatorja e kryeparlamentarit të parë,
Hafiz Xhemal Naipi? Ku është shtatorja e
të persekutuarve muslimanë në burgjet e
komunizmit? Ku është ajo e Hafiz Abaz
Golemit dhe simbolikës së diturisë dhe
drejtimit të arsimit në Shkodër, në
vitet më vështira të tij? Pse nuk duhet
që njëra nga dy bibliotekat e Shkodrës,
të ketë emrin e Jusuf ef. Tabakut,
dijetarit elitar, me të cilin mburrej
edhe kalifati osman? Etj, etj raste pa
fund!
Nga ky minber ju them: Kijeni frikë
Zotin dhe mbrojeni shpirtin e këtij
qyteti! Mos abuzoni me tolerancën dhe
shpirtin bujar të muslimanëve, sepse ne
nuk jemi pakicë e dëbuar në këtë tokë,
as jemi meskinë, që lihen në harresë,
ashtu siç është bërë gjatë këtyre 25
viteve të fundit! Po ngrejmë zërin për
të kërkuar ruajtje të ekuilibrave,
pikërisht ne, thirrësit drejt harmonisë
dhe tolerancës, dialogut dhe
mirëkuptimit, mesatarizmit dhe shërimit
të ekstremizimit, ruajtjes nga racizmi
dhe sektarizmi, pikërisht ne po e
ngrejmë zërin!
Shihni investimet në qytetin tonë! Në
çfarë gjendjeje janë lagjet muslimane?
Ku janë investimet për ruajtjen dhe
mirëmbajtjen e shtëpive të vjetra
muslimane të Shkodrës? Ku janë
Monumentet e Kulturës, për të vlerësuar
dhe mbrojtur shtëpitë e vjetra dhe
monumentet e trashëgimisë islame në këtë
qytet; dyert, ura, harqet, trapazanet,
sofrat, ibrikët, raftet dhe sepetet e
vjetra e të bukura të gjysheve tona me
degërmija të bardha etj, etj pa fund?
Nëse kjo gjendje dhe kjo sjellje ka një
emër, emri i saj është i papërshtatshëm
për t’u përmendur në këtë vend të
pastër, është emër që nuk ma lejon etika
e minbereve tona që ta përmend!
Prandaj, sërish ju them: Kijeni frikë
Zotin dhe mos nëpërkëmbni muslimanët e
këtij qyteti, personalitetet e tyre,
historinë e tyre, kontributin dhe
shpirtin e tyre, nëse sadopak nga ai
gjak i pastër e bujar, rrjedh në venat
tuaja! Sepse politikat e padrejta dhe
ato të interesave selektive, ia prishin
Shkodrës ekuilibrat, për të cilat është
dëshmuar ndër kohëra!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 16 tetor 2015
[1] Kur’ani,
Ali Imran: 139.
[2] Siç e
transmeton Ibn Ishaku, nga Jakub ibni
Utbe.
[3]
quran.ksu.edu.sa/tafseer/tabary/sura3-aya139.html
[4] Kur’ani,
El-Enfal: 30.
[5] Sheuki Ebu
Khalil, “El-hixhretu, hadethun gajjere
mexhrat-tarikh”, Damask, 1979, f. 126.
[6] Transmetuar
nga Bukhariudhe Muslimi, nga Abdull-llah
ibn Amr (r.a).
[7] Transmetuar
nga Ahmedi, nga Ebu Umame (r.a).
[8] Transmetuar
nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu
Hurejra (r.a).
[9] Transmetuar
nga Bukhariu, nga Ebu Hurejra (r.a).