U përkujtua 1437 vjetori
i Hixhretit të Hz. Muhammedit (a.s)
14 tetor 2015
Pasdrekën e së
mërkurës, më 14 tetor 2015, Myftinia
Shkodër organizoi një aktivitet fetar,
në përkujtim të fillimit të vitit të ri
hixhri, 1437.
Aktiviteti, që u zhvillua në xhaminë e
Medresesë, nisi me fjalën e teologut
Arben Halluni, i cili tha se përkujtimi
i kësaj ngjarjeje, ka një rëndësi të
madhe në jetën e muslimanëve, pasi ajo
konsiderohet si një cak shumë i
rëndësishëm i zhvillimit të Thirrjes
Islame, pas viteve të gjata të
persekutimit.
Edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B.
Sytari, në fjalën e rastit, tha se
përkujtimi i Hixhretit, është një moment
reflektimi në jetën e muslimanëve, për
t'u zgjuar nga hutimi dhe për të kuptuar
se uniteti dhe forca e tyre në
bashkëpunim, po bëhet përherë e më shumë
një thirrje që vjen nga shekujt e shkuar
dhe realitetet e zymta, plot padrejtësi,
persekutim, anashkalim dhe shkelje e të
drejtave të muslimanëve në mbarë botën.
Myftiu përmendi vendet islame, të
pushtuara nga terrori, dhuna dhe
agresioni, si: Siria, Iraku, Palestina
etj dhe tha se këto realitete po na
imponojnë përherë e më shumë nevojën e
madhe të lidhjes dhe afrimit tonë me
thelbin e fesë dhe mesazhet e saj.
Myftiu tha, se Hixhreti na mësoi se ku
ka Islam, ka paqe, stabilitet,
mirëqenie, harmoni, respektim i të
drejtave njerëzore, humanizëm, pastërti
e lidhje të sinqertë me Zotin, që
garanton krejt mirëqenien në shoqëri.
Aktiviteti vazhdoi me ligjëratat e
teologëve, Ervil Kuçi dhe Adil Cukali,
të cilët hodhën dritë mbi mësimet që
duhen fituar nga leximi i ngjarjes së
Hixhretit, duke theksuar se koncepti i
tij është më i gjerë se një emigrim
material nga një vend në një tjetër, si
ai i Hz. Muhammedit (a.s) dhe sahabëve,
nga Meka në Medine.
Në fund, drejtori i Medresesë "Haxhi
Sheh Shamia", z. Kujtim Dervishi,
shprehu kënaqësinë e tij për zhvillimin
e këtij aktiviteti në xhaminë e
medresesë, duke theksuar se nga viti në
vit, Medreseja "Haxhi Sheh Shamia", po
afirmohet me rezultatet dhe arritjet e
saj të larta, me kushtet dhe stafin e
përzgjedhur.
Në përfundim, të pranishmit u
përshëndetën me njëri-tjetrin, duke
uruar një vit të mbarë hixhri për
Shkodrën, Shqipërinë dhe mbarë ymetin
islam.