Lozanë, Myftiu mori pjesë në aktivitetet
e Qendrës Islame Shqiptare
9-10 tetor 2015
Me ftesë të Qendrës
Islame Shqiptare të Lozanës (Zvicër) dhe
kryetarit të saj, z. Fehim Abazi, Myftiu
i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori
pjesë në aktivitetet e zhvilluara nga
kjo qendër islame, në datat 9-10 tetor
2015.
Ditën e xhuma, më 9 tetor 2015, Myftiu i
Shkodrës, mbajti dersin e para xhumasë
dhe hytben e saj, ku dha këshillat e tij
rreth angazhimit të vazhdueshëm të
muslimanëve për ta jetuar fenë e tyre me
dinjitet dhe krenari legjitime, sidomos
në Zvicër, ku liria fetare respektohet
dhe muslimanët shqiptarë e kanë
mundësinë më të mirë për ta dëshmuar
fenë e tyre, për t'u bërë secili thirrës
i urtë dhe i pjekur drejt vlerave
islame.
Myftiu mori pjesë edhe në tribunën
familjare, që u organizua të shtunën, më
10 tetor 2015, ku mbajti një ligjëratë,
duke u përqendruar te domosdoshmëria e
ruajtjes së besimit dhe qëndrueshmëri në
rrugën e të parëve.
Myftiu tërhoqi vëmendjen e të
pranishëmve të shumtë në këtë tubim,
drejt rëndësisë që ka ruajtja e fesë
islame dhe e gjuhës shqipe, edhe për
brezin e ri shqiptar në Zvicër, që falë
Zotit, po edukohet më së miri me
ruajtjen e identitetit fetar dhe atij
kombëtar, duke e dëshmuar këtë gjë me
shembuj të mrekullueshëm, që duhen
vlerësuar.
Ai vlerësoi kontributin e madh të
shqiptarëve në Zvicër për të ndërtuar
xhami të reja, të cilat sa vijnë e
shtohen, duke dëshmuar njëkohësisht se
ato janë vatrat më të mira dhe më
serioze, ku shqiptarët gjejnë veten,
gjurmët e pastra shekullore, traditat,
gjuhën, kulturat dhe bashkëpunimin në
mes vete.