U promovua nr. 150 i gazetës "Udha Islame"
7 tetor 2015
Në kuadër të 
										aktiviteteve të larmishme, në prag të 
										përkujtimit të 25 vjetorit të rihapjes 
										së xhamisë së parë, pas persekutimit 
										komunist, pasditën e së mërkurës, më 7 
										tetor 2015, Myftinia Shkodër organizoi 
										një takim promovues të nr. 150 të 
										gazetës "Udha Islame", në të cilin morën 
										pjesë një grup i ngushtë me imamë, 
										intelektualë, drejtues të shoqatave 
										islame etj.
										
										Aktiviteti u përshëndet nga 
										kryeredaktori i parë i kësaj gazete, 
										teologu Arben Halluni, që foli mbi 
										vlerën e madhe që ka gjallërimi dhe 
										lulëzimi i shtypit islam, sidomos në 
										Shkodër. Ai tha se dalja në dritë e 
										numrit të parë të gazetës "Udha Islame", 
										ishte një gëzim i madh për Myftininë 
										Shkodër dhe dashamirët e saj. 
										Njëkohësisht uroi suksese dhe vlerësoi 
										arritjet e deritanishme të saj.
										
										Fjala e tij u pasua nga analiza e 
										kryeredaktorit aktual të gazetës "Udha 
										Islame, teologut Lavdrim Hamja, që hodhi 
										dritë mbi rëndësinë që ka fuqizimi i 
										muslimanëve në informacion. Duke iu 
										referuar thënieve të mendimtarëve të 
										shquar muslimanë të kohës, ai tha se 
										muslimanët e sotëm janë të përgjumur dhe 
										se detyra e tyre është të zgjohen sa më 
										parë, duke kontribuar e poseduar mediat, 
										prej së cilave të përhapet Fjala e 
										duhur, me urtësi e pjekuri, në shërbim 
										të mesazheve hyjnore, që ndërtojnë jetë.
										
										Ndërkohë, teologu Idmir Plaku, foli mbi 
										vlerën e angazhimit të intelektualëve 
										muslimanë dhe teologëve në shërbim të 
										shtypit islam, duke u ndalur te 
										shembulli i gazetës "Udha Islame" dhe ai 
										i Shkodrës.
										
										Imami i nderuar tha se gazeta "Udha 
										Islame", tashmë në vitin e saj të 13-të, 
										vazhdon të përhapë me sukses mesazhe të 
										urta, që burojnë edhe nga dija dhe 
										studimet e thelluara të dijetarëve më 
										elitarë të botës islame, të përkthyer 
										enkas për faqet e kësaj gazete.
										
										Edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. 
										Sytari, falënderoi të gjithë ata që 
										kontribuuan për daljen në dritë të kësaj 
										gazete, duke përmendur të gjithë 
										myftilerët e Shkodrës, si drejtues të 
										saj, si dhe kryeredaktorët e saj, për 
										punën e palodhshme dhe angazhimin e 
										lavdëruar.
										
										Myftiu theksoi se gazeta "Udha Islame", 
										ka nevojë që të vazhdojë në rrugën e 
										saj, për të sjellë para lexuesve të saj 
										urtësinë islame dhe dritën e mesazheve, 
										që përhapen kudo ku ajo mbërrin, jo 
										vetëm në Shkodër e Shqipëri, por edhe 
										përtej kufijve.
										
										Aktivitetin e përshëndeti edhe H. Fejzi 
										Zaganjori, si një ndër redaktorët dhe 
										bashkëpunëtorët më të vjetër të kësaj 
										gazete. Ai shprehu gëzimin e tij për 
										mbërritjen e kësaj dite dhe vlerësoi 
										mundin dhe sakrificën e të gjithë atyre 
										që u angazhuan për këtë mirësi.
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 

