Malësia e Madhe, tribunë fetare
në prag të Ramazanit
16 qershor 2015
Paraditën e së
martës, më 16 qershor 2015, Myftinia e
Malësisë së Madhe organizoi një tribunë
fetare me rastin e Muajit Ramazan, ku
ligjërues ishte Imam Muhamed Sytari,
Myfti i Zonës Shkodër.
Aktiviteti u hap me leximin e një pjese
kur'anore nga imami Nadi Braqi.
Më pas, Myftiu i Malësisë së Madhe, H.
Edmir Smajlaj, uroi të pranishmit për
prezencën e tyre dhe theksoi se ky
organizim i paraprin aktiviteteve të
muajit Ramazan, të cilin ia uroi të
gjithë besimtarëve. Myftiu theksoi se
agjërimi i Ramazanit është një adhurimi
i shumëpritur për besimtarët muslimanë
dhe një shkollë e madhe besimi dhe
disipline në jetë.
I ftuar për të ligjëruar në këtë
aktivitet, Imam Muhamed Sytari, hodhi
dritë mbi rëndësinë që ka agjërimi në
rritjen e cilësisë së adhurimit në jetën
e besimtarëve.
Ai përmendi disa nga dobitë shëndetësore
të agjërimit, duke theksuar se ata që e
praktikojnë agjërimin në vazhdimësinë, e
ndjejnë më mirë se kushdo vlerën dhe
madhështinë e agjërimit, si dhe ndikimin
e tij pozitiv në shëndetin e tyre.
Më pas, Myftiu foli mbi rëndësinë që ka
dëshmimi i frymës së agjërimit në
shoqëri, duke u ndjerë shpirti i besimit
kudo; në tregje, në dyqane, në rrugë, në
veshje, në komunikim, në xhami, në
familje etj.
"Dikur, na thonin se kur vinte Ramazani,
edhe të krishterët ruheshin të mos hanin
e të mos pinin në mënyrë demonstrative,
në respekt të muslimanëve. Pra, kjo
vërteton më së miri se shoqëria
shqiptare ka ditur të respektojë besimin
dhe ta vlerësojë atë. Sot, më shumë se
kurrë kemi nevojë që këto mësime t'i
përhapim në mesin tonë, që të
respektohet Ramazani, të respektohen
agjëruesit, të nderohet muaji i
Kur'anit!", - tha ndër të tjera Myftiu.
Ai solli argumente të ndryshme nga
Kur'ani, Tradita profetike, jeta e të
parëve dhe shembuj nga ditët tona, që
vërtetojnë madhështinë e agjërimit dhe
vlerën e tij, si dhe kthimin e të parëve
nga Kur'ani, sidomos në ditët dhe netët
e këtij muaj vlerash dhe ripërtëritjeje.