“Lum si ata, ishin njerëzit më të dashur
të Resulull-llahut (a.s)!”
12 qershor 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit Një të botëve, i Cili e bëri
Kur’anin, udhëzim dhe dritësues për
jetën e njeriut, kur tha: “Është e
vërtetë se ky Kur'an udhëzon për atë
rrugë që është më se e vërteta, e
besimtarët që bëjnë vepra të mira i
përgëzon, se ata pa dyshim do të kenë
shpërblim të madh.”[1]
Salavatet dhe selamet tona më të
përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë
dhe në çdo moment të jetës tonë, Hz.
Muhammedit (a.s), zotërisë së bijve të
Ademit, i cili na udhëzoi drejt lidhjes
me Kur’anin Famëlartë, duke thënë: “Ju
nuk do të afroheni me All-llahun, me
diçka më të mirë sesa ajo që ka ardhur
prej Tij!”[2],
dmth, Kur’ani.
Të dashur vëllezër
besimtarë, motra të nderuara,
Tashmë që Ramazani, muaji i begative
hyjnore, dhuntive të panumërta
shpirtërore dhe mrekullive shëndetësore,
po afrohet drejt nesh, njeriu bën
llogaritë e veta dhe përpiqet të zotohet
para Krijuesit Fuqiplotë, për të
qëndruar besnik ndaj një virtyti a më
shumë, ndaj një adhurimi a një tjetri,
ndaj një sjelljeje a një morali, në
rrugën e lartësimit shpirtëror dhe
rritjes në përkushtim, drejt pëlqimit të
Tij.
Në Kur’anin Famëlartë, na tërhiqet
vëmendja drejt një argumenti shumë
interesant, ku Zoti i gjithësisë
lajmëron se: “Muaji i Ramazanit, është
ai, në të cilin (filloi të) shpallet
Kur'ani, që është udhërrëfyes për
njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe
dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…”[3]
Në një mënyrë a një tjetër, ky ajet i
madhërishëm, sikur na fton që në muajin
e Ramazanit, të rikthehemi me një
vëmendje më të përqendruar tek Fjala e
All-llahut; Kur’ani. Ky ajet, sikur na
merr për dore drejt një angazhimi të
sinqertë ndaj Kur’anit, si udhërrëfyesi
më i mirë në jetë, si Libri i vetëm
hyjnor, ku janë përmbledhur e shkuara, e
sotmja dhe e ardhmja. Libri, ku profetët
e All-llahut janë vëllezër, ku thirrja e
tyre është një, ku gjithësia ka Një Zot,
ku çdokush, pos Tij, është krijesë e
nënshtruar para vullnetit të Tij.
Libri, që rrezaton madhështinë e
kërkimit të dijes, që nxit përkushtimin
ndaj çdokujt në jetë, në rrugën e
formësimit të njeriut-besimtar-mëkëmbës
i Zotit në tokë, ndërtues, jo
shkatërrues, jo vrasës, jo përçarës, jo
dhunues!
Pata dëshirë që ky muaj të na gjejë, më
shumë se vitet e kaluara, më të afërt me
Kur’anin, të mbledhur në sofrën e
begative të tij, të disiplinuar ndaj
hiseve ditore të leximit dhe kuptimit të
tij, për t’u bërë shtysë drejt veprave,
sjelljes, moralit!
Dhe, meqë, të gjithë jemi të ftuar të
punojmë e të veprojmë, larg fjalëve dhe
retorikave pa dobi, më lejoni të sjell
në vëmendjen tuaj momente nga trajtimi i
Kur’anit në jetën e të parëve tanë, me
qëllim që të bëhen shembull udhëzimi dhe
dritësues të realiteteve tona të
errësuara, në raport me Kur’anin
Famëlartë.
Të dashur të pranishëm,
Po lexoja me kënaqësi mbi jetën e imamit
të imamëve fukaha, Ebu Hanife (80-150
h.) dhe raportin e tij me Kur’anin, ku
transmetohet se: “Ebu Hanife ishte hafiz
i Kur’anit, e bënte hatme tridhjetë herë
në muaj…”[4]
Normalisht, në pamje të parë, një hatme
në ditë, duket si mision i pamundur në
ditët e sotme dhe si një hiperbolizim i
përkushtimit të një njeriu të madh, në
hak të Kur’anit!? Por, bërja e nijetit
për ta bërë hatme Kur’anin gjatë këtij
Ramazan (të paktën një here të plotë),
është një qëllim i lartë, krejtësisht i
realizueshëm dhe i mundshëm, si dhe një
rast për të përmirësuar marrëdhënien
tonë me të, drejt bërjes shprehi.
Shumë tërheqëse është edhe lidhja e Imam
Bukhariut (194-256 h.) me Kur’anin
Famëlartë, ku transmetohet se: “Kur
hynte nata e parë e Ramazanit, shokët e
Muhammed ibn Ismail Bukhariut,
mblidheshin rreth tij. U printe në
namaz, ku lexonte në çdo rekat, njëzet
ajete, derisa e bënte hatme Kur’anin.[5]
Ndërsa në syfyr lexonte gjysmën a një të
tretën e Kur’anit. Kështu, një herë në
tre netë, bënte një hatme në syfyr.
Ndërsa paradite, lexonte nga një hatme
të plotë, që përfundonte në iftarin e
asaj dite. Dhe thoshte: “Në përfundim të
çdo hatmeje ka një duá të pranuar.”[6]
Ndërsa Imam Daremiu thoshte për të: “Kur
Muhammedi (ibn Ismail Bukhariu) e
lexonte Kur’anin, ai ia mbushte zemrën,
syrin dhe veshin, mendonte rreth
shembujve të tij, mësonte haramin dhe
hallallin e tij.”[7]
Në fakt, ky është qëllim në vetëvete,
arritja e një gjendje shpirtërore, ku
marrëdhënia me Kur’anin bëhet e
pandashme dhe sa herë që e lexon, aq më
shumë merr energji besimi dhe optimizmi
për jetën, aq më tepër dashurohesh pas
tij, aq më ëmbël tërhiqesh drejt veshjes
me frymën e tij në jetë; hallalli,
hallall dhe harami, haram e, shumë më
tepër se kaq..!
Të dashurit e mi,
Koha e sotme, po na vërteton përherë e
më shumë sesa gjynahqar është njeriu, që
provon të zëvendësojë udhëzimin e Zotit
në jetë, me diçka tjetër pa shpirt
besimi të drejtë. Ndërkohë, zotëria i
jonë, Resulull-llahu (a.s) na tregon se:
“Zoti i Madhëruar thotë: Atë që e
angazhon Kur’ani nga lutja Ime, do t’i
jap më mirë sesa i jap atyre që luten…”[8]
Prandaj, ejani së bashku të bëhemi pjesë
e garës së mirë në këtë muaj, për ta
lexuar e për ta mësuar Kur’anin, për ta
bërë hatme të plotë atë. Për të
përfituar nga ky muaj i madhërishëm që
po vjen, për ta bërë Kur’anin pjesë të
pandarë të ditës tonë, burim të
pashterrshëm të zgjidhjes së dilemave të
jetës tonë, balsam qetësues i tensioneve
dhe lodhjeve tona të përditshme.
Ndërkohë, më lejoni të sjell në
vëmendjen tuaj një pjesë të asaj çfarë
më mësonte Hoxha im, Vehbi S. Gavoçi,
mbi marrëdhënien e tij ditore me
Kur’anin.
Thoshte: “Mundohem që gjatë ajeteve të
ndryshme të bëj ndonjë duá dhe ta
përsëris atë ajet. Mundohem t'i lidh ato
ajete me jetën time. Përpara leximit të
tij përgatis zemrën time me qortim, marr
abdes dhe ulem me nderim për të lexuar
librin e All-llahut (xh.sh). Lexoj katër
xhyza nga Kur'ani Famëlartë pas sabahut
dhe, kur lind dielli, fali dy rekate.
Pastaj këndoj suren “Jasin” dhe suren
“El-Fet'h” dhe e ndaj sevapin e tyre për
Pejgamberin (a.s) dhe familjen e tij,
vëllezërve të tij pejgamberë, prindërve
të mi e njerëzve të tjerë. Natën lexoj
xhyzin e pestë të Kur'anit dhe suret
“El- Mulk”, “El- Vakia” dhe “Es-
Sexhde”…”[9], pra,
afërsisht një hatme në gjashtë ditë!
Sepse, siç kanë thënë: “Kur njeriu
dashurohet pas diçkaje, e shton
përmendjen e saj!”
Në fund, dëshiroj ta përfundoj mesazhin
e kësaj jave me një dëshmi interesante
të bërë nga një sahabi i dashur dhe një
burrë i madh, për lexuesit e Kur’anit.
Transmetohet[10]
se Hz. Aliu (r.a) dëgjoi një ditë
zhurmën e atyre që e lexonin Kur’ani në
xhami dhe ua mësonin edhe të tjerëve.
Tha: “Lum si ata, ishin njerëzit më të
dashur të Resulull-llahut (a.s)!”[11]
All-llahu na bëftë prej tyre!
Amin!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 12 qershor 2015
[1] Kur’ani,
El-Isra: 9.
[2] Transmetuar
nga Hakimi dhe Ebu Davudi, nga Ebu
Dherri (r.a).
[3] Kur’ani,
El-Bekare: 185.
[4] Vehbi
Sulejman Gavoçi, “Ebu Hanifeten-Nu’man
imamul-eimmetil-fukaha”, botimi i 6-të,
Damask, 1999, f. 83.
[5] Afërsisht dy
hatme në Ramazan, vetëm në leximet e 20
rekateve të përnatshme të teravisë.
(Shënim imi. M.S.)
[6] Abdusettar
Esh-Shejkh, “El-Imamul-Bukhari”, botimi
i parë, Damask, 2007, f. 64-65.
[7] Po aty, f.
65.
[8] Transmetuar
nga Tirmidhiu, nga Ebu Said El-Khudri
(r.a).
[9] Muhamed
Sytari, “Vehbi Sulejman Gavoçi – Dijetar
nga dijetarët e ymmetit”, Prishtinë,
2005, f. 72. (Me përshtatje të lehtë).
[10]
Transmetuar nga Tabaraniu në “El-Eusat”,
nga Kulejb ibni Shihab.
[11] Shejkh
Muhammed Jusuf El-Kandehlevi,
“Hajatus-sahabe”, botimi i 6-të, Damask,
1993, vëll. i 3-të, f. 106.