Kryetari i KMSh, Skënder Bruçaj,
vizitë pune në Myftininë e Shkodrës
11 qershor 2015
Ditën e enjte, më 11
qershor 2015, Kryetari i Komunitetit
Mysliman të Shqipërisë, z. Skënder
Bruçaj, zhvilloi një vizitë pune në
Myftininë e Shkodrës.
Në këtë vizitë, Kryetari i KMSh,
shoqërohej nga antarët e kryesisë së
KMSh, z. Genti Kruja (drejtor i kulturës
dhe dialogut ndërfetar) dhe z. Uran
Kalej (drejtor i vakëf/investime).
Në shoqëri të Myftiut të Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, Kryetari i KMSh
zhvilloi një inspektim në disa prej
vakëfeve të qytetit të Shkodrës, si dhe
në lagjen Zogaj, ku u njoh nga afër me
arritjet e deritanishme dhe
problematikat e shfaqura në këto vakëfe.
Gjatë vizitës së xhamisë së re në lagjen
Dudas, Kryetari Bruçaj shprehu
vlerësimet e tij për ndërtimin e kësaj
xhamie të bukur, që do të shërbejë shumë
mirë për banorët e lagjes muslimane të
Dudasit.
Ai theksoi se ky Ramazan, do të ketë një
kuptim më të veçantë për këta banorë, që
do të kenë mundësi të falen në xhaminë e
tyre të re, që është ndërtuar falë
bashkëpunimit të Myftinisë Shkodër me
Fondacionin “Mirësia”.
Më pas, u zhvillua një vizitë edhe të
xhamia e re e “Dy Vajzave”, ku u
vlerësua kompleksi i bukur i kësaj
xhamie, që përbëhet nga faltorja, klasat
për mësimin e nxënësve, dyqanet,
abdes'hania, mafili i grave, ballkonet
dhe korridoret e bollshme, që të
krijojnë frymëmarrje dhe të dhurojnë
qetësi.
Kryetari dëgjoi me vëmendje shpjegimet e
imamit të kësaj xhamie, teologut Lavdrim
Hamja, që theksoi se fryma e bukur e
bashkëpunimit dhe harmonisë që po
krijohet në këtë xhami, ka një vlerë të
madhe që i shtohet mozaikut të harmonisë
islame në Shkodër.
Një inspektimi i veçantë ishte ai i
zhvilluar në lagjen Zogaj, ku pas
namazit të iqindisë, Kryetari i KMSh u
njoh me hollësi dhe detaje të peripecive
të shumta që ka kaluar Myftinia Shkodër
deri në posedimin e disa prej tapive
legjitime të saj në këtë vakëf të madh.
U bë evident edhe pretendimi i Myftinisë
Shkodër për një pjesë të zaptuar të
vakëfit në këtë lagje, si dhe u
diskutuan ide dhe mendime, në funksion
të shfrytëzimit sa më efikas të këtij
vakëfi të shenjtë.