“Ai është i Imi dhe Unë shpërblej për të!”
05 qershor 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të Vetëm të botëve. Atij, që e
bëri agjërimin e Ramazanit, rrugë të
sigurt drejt përkushtimit në jetë. Për
këtë thotë në Kur’anin Famëlartë: “O ju
që besuat, agjërimi u është bërë
obligim, sikurse ishte obligim edhe i
atyre që ishin para jush, që të bëheni
të përkushtuar”[1]
Salavatet dhe përshëndetjet më të
përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë
dhe në çdo ditë, zotërisë së bijve të
Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili na
mësoi madhështinë e agjërimit të
Ramazanit, me fjalët e tij: [Të gjitha
veprat e birit të Ademit shumëfishohen:
e mira sa dhjetëfishi i saj deri në
shtatëqindfish. All-llahu i Madhëruar
thotë: “përveç agjërimit, ai është i Imi
dhe Unë e jap shpërblimin për të!
(Besimtari) Lë epshin e tij dhe ushqimin
e tij për Mua! Agjëruesi ka dy gëzime:
një gëzim në momentin e iftarit dhe një
gëzim, në momentin e takimit me Zotin e
tij! Era e gojës së agjëruesit, është më
e mirë tek All-llahu, sesa era e
miskut!”][2]
Të dashur dhe të nderuar
vëllezër muslimanë,
Tashmë, pasi përcollëm me adhurime e
lutje Natën e Gjysmës së Shabanit,
gjithësia nis e përgatitet për të pritur
Hënën më fatlume të krejt vitit, Hilalin
e Ramazanit, muajin e begatë, që
gjallëron jetën dhe qetëson zemrat me
nënshtrimin para duarve të All-llahut,
Mëshirëbërësit, Mëshirëplotë.
Tashmë, që ditët e mbërritjes së tij
kanë nisur të numërohen me gishtat e
duarve, një pyetje duhet të qarkullojë
në mendjen e secilit prej nesh: Si po e
pres Ramazanin?
E, në këtë përshpirtje, më lejoni të
sjell para duarve tuaja një përshkrim të
bukur të atmosferës së Ramazanit në
krahët e historisë islame, që e lexova
para pak ditësh.
Muaji Ramazan, i veshur me metaforën e
shekujve dhe viteve të historisë së
ymmetit islam, i drejtohet agjëruesve me
këto fjalë: “Pritja që më bënin njerëzit
ishte shembullore, bujare. Agjëruesit
mendonin për mua para se t’ju vija.
Përgatiteshin për ardhjen time, shumë
kohë më përpara zbritjes time në
shtëpitë e tyre, si mik i shtrenjtë. Për
shembull: ai që kishte lënë namazin pas
dore, merrte gusul, vishej me rroba të
pastra dhe më priste me pendim dhe kthim
nga Zoti. Ai kishte pirë alkoolin, para
ardhjes sime, thyente shishen dhe
derdhte gotën, pendohej me zemër para
Krijuesit të Tij. Ai që kishte devijuar
nga rruga e besimit, me argëtime dhe
humbje kohe, me shthurrje dhe epshe të
pakontrolluara, kthehej me sinqeritet,
duke larë fytyrën e tij me lotët e
kthesës… Nuk dua të flas për tregtarët e
pasanikët, All-llahu i mëshiroftë dhe ua
lartësoftë shpirtrat në gradët më të
larta të xhennetit! As për ndërtimet e
xhamive, medreseve, për ndihmën ndaj
vejushave e jetimëve, All-llahu ua
shpërbleftë në ahiret me shoqërimin e
profetëve dhe të dërguarve...!”[3]
Në fakt, teksa lexojmë për mirësitë pa
fund, që ky muaj i madhërishëm sjell me
vete, nuk ka sesi të mos kuptojmë se
Ramazani, në të vërtetë, është një muaj
që duhet të krijojë ndryshim në jetën
tonë. Ndryshim në sjelljen tonë, në
komunikimin tonë me njëri-tjetrin, në
lidhjet farefisnore, në pamjen e jashtme
etj, që sinjalizojnë edhe shoqërinë për
madhështinë dhe shenjtërinë e tij!
Teksa flet për shenjat e Ramazanit në
jetën e muslimanëve, Hoxha i jonë, H.
Vehbi Sulejmani, shkruan: “Shfaqjet e
shthurrjes dhe degjenerimit fshihen nga
jeta e përditshme, njerëzit kthehen nga
namazi dhe Kur’ani… Shfaqjet e
përkushtimit mbulojnë jetën e përditshme
të njerëzve. Gratë kontrollojnë veshjen
e tyre, duke u mbuluar, pakësohet zhurma
e muzikës shqetësuese dhe dëgjimi i saj.
Shenjat e vëllazërisë dhe gëzimit
shfaqen kudo në fytyrat e njerëzve; të
pasur e të varfër. Shtohet afrimi i
zemrave dhe paqtimi i tyre. Shtohen
vizitat dhe iftaret në mesin e të
afërmve dhe të dashurve, e veçanërisht
për të varfërit, kur dihet sesa vlerë
kanë adhurimet dhe bamirësitë në
Ramazan… Shtohet mirëbërja, dhënia e
sadekave dhe shkaqet e gëzimit në jetën
e nevojtarëve… Madje, edhe jomuslimanët
nuk shfaqen duke ngrënë në sy të
muslimanëve, në nderim të ndjenjave të
muslimanëve…”[4]
Prandaj, kur lexojmë rreth historisë së
shpirtit të Ramazanit në jetën e të
parëve tanë dhe bëjmë krahasime me
realitetet tona, kuptojmë sesa
përgjegjësi të madhe ka secili prej nesh
në rrugën e rimëkëmbjes së vlerave të
pritjes së Ramazanit dhe të jetuarit me
të në shoqërinë tonë.
Asnjëri prej nesh nuk duhet të
neglizhojë atë që ai mund të bëjë, për
ta përkthyer sa më mirë agjërimin e
Ramazanit në atmosferën e prekshme të
këtij muaj, me sjelljen e tij, me
edukatën e tij, me përkushtimin në punë,
me mirëkuptimin në xhami, me qetësinë e
dëshmuar, me harmoninë në familje etj!
Kemi nevojë, që madhështia e këtij
muaji, të mos përkufizohet vetëm nëpër
xhami, por të përhapet edhe në rrugët
tona, në televizionet tona lokale, në
dyqanet tona, në shtëpitë tona, në
biznese dhe kudo.
Jam ndjerë shumë mirë, kur kam dëgjuar
para një viti në një prej radiove dhe
televizioneve tona lokale, se fabrika e
drurit e njërit prej vëllezërve tanë në
Shkodër, reklamonte se: “Me rastin e
Muajit Ramazan bën ulje x % nga të
gjitha prodhimet e saj”. Këtë nënkuptoj
me përkthim të Ramazanit në atmosferën e
prekshme të këtij muaj, secili në fushën
e vet deh në mundësitë që i janë dhënë!
Vëllezërit e mi,
Duhet të dijmë dhe t’ia përcjellim edhe
të tjerëve se “agjërimi është një prej
shtyllave më të rëndësishme të fesë dhe
ndër ligjet më solide të Islamit tonë,
nëpërmjet të cilit mposhtet nefsi
urdhërues për keq… Ai është më i
vështiri obligim për nefsin… Teksa
privohet nga ushqimi, nefsi ndjen
dhimbje dhe nis të përjetojë nënshtrimin
e adhurimit, derisa qetësohet para
duarve të Zotit… Kësisoj, lumturia
është, kur njeriu e përmban nefsin e
tij, ndërsa krejt mjerimi është, kur
njeriu mbizotërohet nga nefsi i tij!”[5]
Ramazani është muaji i kësaj vlere, i
nënshtrimit të nefsit në jetë! [Eba bin
Ka’bi për devotshmërinë e kishte pyetur
Omer bin Hattabin (r.a), i cili në formë
pyetjesh ishte përgjigjur: “A ke
udhëtuar nëpër rrugë me ferra?” Ai u
përgjigj: “Po.” Ai e pyeti: “Si
veprove?” Ai tha: “U ruajta dhe u
lodha.” Ai (Omeri) tha: “Kjo është
devotshmëria!”][6]
Prandaj, le të bëhemi gati me zemër e me
shpirt, me trup dhe me emocionet tona,
për pritjen e duhur të këtij muaji, që
është nisur drejt nesh, si një bekim nga
All-llahu i Madhëruar, i Cili thotë në
Kur’anin Famëlartë: “Muaji i Ramazanit,
në të cilin (filloi të) shpallet
Kur'ani, që është udhërrëfyes për
njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe
dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…”[7]
Kësisoj, le të angazhohemi me sa të kemi
mundësi, për të nisur përjetimin e
pritjes së Ramazanit, në veten tonë, në
shtëpitë tona, në lagjet, fshatrat dhe
qytetet tona; duke i lyer e pastruar
shtëpitë, duke i zbukuruar oborret e
duke ndriçuar rrugicat, dyert e
ballkonet, sepse Pastërtia dhe Drita
janë simbolika të shtrenjta të këtij
muaj!
Të dashur vëllezër,
Të parët tanë kanë thënë se “agjërimi
ndahet në: të përgjithshëm, të veçantë
dhe përtej të veçantit. Agjërimi i
përgjithshëm është privimi i stomakut
dhe i krejt gjymtyrëve të tjera nga
synimi i epshit. Agjërimi i veçantë
është privimi i veshit, syrit, gjuhës,
dorës, këmbës dhe krejt gjymtyrëve të
tjera nga gjynahet. Agjërimi përtej të
veçantit është agjërimi i zemrës nga
ndjesitë e ulëta dhe ndalimi i saj nga
çdo gjë tjetër pos All-llahut, me
tërësinë e saj!”[8]
Prandaj, t’i lutemi All-llahut të
Madhëruar që me mirësinë e Tij, ta
mbërrijmë Muajin e agjërimit. Me
begatitë e Tij ndaj nesh, ta agjërojmë
Ramazanin, në më të mirën e formave dhe
të përfitojmë nga mirësia e tij, faktin
se: “Çdo vepër e birit të Ademit është e
tij, përveç agjërimit. Ai është i Imi
dhe Unë shpërblej për të!...”[9],
siç na mëson Resulull-llahu (a.s), nga
Zoti i gjithësisë!
Amin!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit
Shtoj i Ri)
Shkodër, më 5 qershor 2015
[1] Kur’ani,
El-Bekare: 183. (Me përshtatje nga
versioni i H. Sherif Ahmedit).
[2] Transmetuar
nga Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[3] Shejkh Ahmed
Keftaro, “Min hedjil-Kur’an”, përgatitur
për botim nga Zahir Ebu Davud, Damask,
pa vit botimi, f. 225-226. (Në fund të
shkrimit me titull: “Ramadan jetehaddeth
(1)”, që mban shënimin: “Ligjëratë e
mbajtur më 8.3.1961”.)
[4] Vehbi
Sulejman Gavoçi, “Es-Sijamu ve
ahkamuhu”, botimi i parë, Bejrut, 1979,
f. 20.
[5] Muhammed
Emin (Ibn Abdin), “Reddul-muhtar
alad-der-ril-mukhtar sherh
tenvirul-ebsar”, botimi i dytë, Bejrut,
2003, vëll. i 3-të, f. 327-328.
[6] Abdullah
Halife, “Mirësia e Ramazanit – Si ta
arrish atë?”, e përktheu dhe përshtati
nga arabishtja Ataullah Aliu, LOGOS-A,
2010, f. 68-69.
[7] Kur’ani,
El-Bekare: 185.
[8] Imam
Shihabuddinibn Muhammed El-Ebshihi,
“El-Mustatraf fi kul-li fennin
mustadhraf”, Bejrut, 1981, f. 38.
[9] Transmetuar
nga Ibn Khuzejme, nga Ebu Hurejra (r.a).