Guri i Zi, ligjërata:
“Vlera të agjërimit të Ramazanit”

Ditën e martë, më 2 qershor 2015, pas namazit të iqindisë, në xhaminë e fshatit Guri i Zi, u zhvillua një tribunë fetare, ku Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, mbajti një ligjëratë mbi rëndësinë e agjërimit dhe disa nga vlerat e Muajit Ramazan.

Fillimisht, Myftiu theksoi se tashmë, që kaluam edhe Natën e Gjysmës së Shabanit, atmosfera e muajit të agjërimit, sa vjen dhe afrohet dhe mbulon gjithësinë me pelerinën e bekimeve hyjnore, që afrojnë zemrat e besimtarëve me përshpirtësinë e Ramazanit.

Myftiu trajtoi temën e përkushtimit në jetë, duke u ndalur tek përkushtimi ndaj Zotit dhe ai ndaj njeriut në jetë. “Është shumë me rëndësi të kuptojmë dhe të ndjejmë se Ramazani nuk është një muaj i zakonshëm, ku ne si besimtarë jemi të ftuar të rrimë thjeshtë pa ngrënë e pa pirë në një orar të caktuar ditor. Jo! Qëndrimi pa ngrënë e pa pirë në orare të paracaktuara, është simbolikë e forcës së besimit dhe ndërgjegjes së besimtarit, që për hatrin e Zotit privohet nga ushqimi, pija dhe kënaqësi të tjera materiale, në mënyrë sistematike, në kuadrin e një muaji kalendarik, me qëllim dëshmimin e forcës së besimit dhe rritjen e tij shpirtërore.

Agjërimi i Ramazanit është një mundësi më shumë për secilin prej nesh për ta dëshmuar haptas besimin dhe përkatësinë e tij islame, pa ndrojtje dhe pa komplekse! Prandaj, unë ju ftoj ta përhapni gëzimin dhe shpirtin e bukur të këtij muaj në familjet tuaja, në rrugët e lagjeve, në rrugicat e fshatit, në çdo mënyrë të mundshme, që kushdo që kalon nga kjo zonë, të kuptojë se muslimanët janë në festë, në gëzim, në një muaj bekimesh!”, - tha ndër të tjera Myftiu.

Ky tubim u parapri nga fjala e imamit të xhamisë, z. Bujar Ymeri, që vuri theksin te domosdoshmëria e jetës së xhamisë me takime të ndryshme, ku përkujtojmë mirësitë e All-llahut dhe vlerën e besimit në jetën tonë.

Imami falënderoi të pranishmit dhe theksoi se xhamia e fshatit Guri i Zi, po përgatitet për të përjetuar një muaj të madhërishëm, me programe e aktivitete, që do ta gjallërojnë edhe më shumë jetën fetare në këtë fshat.

Për të pranishmit, u shpërndanë edhe disa botime të Myftinisë Shkodër, që lidhen me agjërimin e Ramazanit dhe dërgesën profetike të hz. Muhammedit (a.s).

 


Guri i Zi, ligjërata: “Vlera të agjërimit të Ramazanit”
Guri i Zi, ligjërata: “Vlera të agjërimit të Ramazanit”
Guri i Zi, ligjërata: “Vlera të agjërimit të Ramazanit”
Guri i Zi, ligjërata: “Vlera të agjërimit të Ramazanit”
Guri i Zi, ligjërata: “Vlera të agjërimit të Ramazanit”
Guri i Zi, ligjërata: “Vlera të agjërimit të Ramazanit”
Guri i Zi, ligjërata: “Vlera të agjërimit të Ramazanit”
Guri i Zi, ligjërata: “Vlera të agjërimit të Ramazanit”