“Nëse e heq mjekrën,
mos mendoni se e heq besimin..!”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Krijuesit Fuqiplotë, Zoti i Vetëm i botëve, Mëshiruesi, Udhëzuesi drejt Dritës së besimit dhe begative të tij.

Ai, i Cili na tregon në Kur’anin Famëlartë për realitetin e popujve të shkuar, që të jenë tërheqje vëmendje për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave. Thotë në Librin e Tij: “Ata që mohuan të vërtetën nga beni israilët, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua sepse kundërshtuan dhe e tepruan. Ata ishin që nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar.”[1]
           
Ndërkohë, shembullin e besimtarëve në marrëdhënien e tyre me njëri-tjetrin e përshkruan kështu: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t'i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë.”[2]
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili na tërheq vëmendjen duke thënë: “Pasha Atë që ma ka shpirtin në dorë, do të urdhëroni për mirë dhe do ta ndaloni të keqen, ose do të dërgojë All-llahu ndëshkim mbi ju, pastaj do t’i luteni dhe s’do ju përgjigjet!”[3]
 
Të dashur vëllezër besimtarë,

Ditë pas dite, në shoqërinë shqiptare po shfaqen fenomene të dëmshme, që janë dëshmi e largimit nga udhëzimi hyjnor dhe dehja pas kësaj bote dhe miradive të saj, pa llogaritur hallall e haram, pa marrë në konsideratë ditën e llogarisë.
           
Ditë pas dite, mediat tona rrëfejnë për përhapjen në masë të korrupsionit, imoralitetit, gënjeshtrës, kumarit, shtimit të konsumimit të pijeve alkoolike, drogës, krimit në familje, abuzimit me pushtetin, talljen me fenë dhe simbolika të ndryshme fetare.  

Misionarë të shumtë, shpesh me emra muslimanë dhe me prejardhje nga familje muslimane, po bëhen altoparlantë të bezdisshëm, që reklamojnë ditë pas dite ateizmin ekstrem, islamofobinë, nxitjen e urrejtjes fetare, nëpërmjet sharjes dhe nënçmimit të Islamit dhe muslimanëve.
           
Ditë pas dite, humbja e kohës po kthehet në një plumb vrasës, për të cilin nuk ka drejtësi që të fajëson!?

Besimtarë të shumtë muslimanë, praktikantë të namazit, agjërimit dhe ruajtjes nga haramet, ankohen se përballen me paragjykime, herë të fshehta e herë pa maskë, fyhen, provokohen, u shkelen të drejtat e tyre dhe nuk gjejnë zgjidhje të hallit që kanë.
           
E, karshi këtyre fenomeneve negative, që në të vërtetë janë thelbi i ekstremizmit afetar në një shoqëri provinciale dhe të hutuar, detyra e muslimanit është të mos neglizhojë boshtin kryesor në fenë e tij; urdhëresën për mirë dhe ndalimin e së keqes, në dobi të individit dhe vetë shoqërisë.
           
Ebu Hamid El-Gazali, teksa trajton këtë temë, thekson me të madhe se: “Urdhëresa për mirë dhe ndalimi i së keqes, është poli më i madh i fesë, është përgjegjësia për të cilën janë dërguar profetët. Po të lihej pas dore, do të anulohej dërgesa profetike, do të shuhej feja, do të verbohej natyrshmëria e besimit, do të përhapej devijimi, do të mbizotëronte injoranca, do të dominonte prishja e rendit, do të shkatërrohej vendi…”[4]
           
Vëllezër besimtarë,
 
Ka shumë rëndësi që muslimani të mos bëhet palë me të keqen, me padrejtësinë, më haramin, me atë që të merr për dore drejt shkatërrimit, në këtë botë dhe në tjetrën!

Për këtë, një ditë, Resulull-llahu (a.s) iu drejtua sahabëve të tij duke i thënë: “Si do të jeni atë ditë kur të devijojnë gratë tuaja, kur të shthuret rinia juaj dhe kur të lini pas dore xhihadin?” Thanë: Pse, a do të ndodhë kjo, o i dërguar i All-llahut? Tha: “Po, pasha Atë, që ma ka shpirtin në dorë, edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” Thanë: “E çfarë mund të jetë më shumë se kaq?”

Tha: “Si do të jeni atë ditë kur nuk do të urdhëroni më për mirë dhe nuk do të ndaloni më të keqen?” Thanë: Pse, a do të ndodhë kjo, o i dërguar i All-llahut? Tha: “Po, pasha Atë, që ma ka shpirtin në dorë, edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” Thanë: “E çfarë mund të jetë më shumë se kaq?”

Tha: “Si do të jeni atë ditë kur të mirën do ta shihni të keqe dhe të keqen do ta shihni të mirë?” Thanë: Pse, a do të ndodhë kjo, o i dërguar i All-llahut? Tha: “Po, pasha Atë, që ma ka shpirtin në dorë, edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” Thanë: “E çfarë mund të jetë më shumë se kaq?”

Tha: “Si do të jeni atë ditë kur të urdhëroni për keq dhe të ndaloni të mirën?”…[5]

Ky hadith përkthen më së miri, realitete të zymta, në vorbullat e të cilave është sprovuar shoqëria e jonë, që nga koha e largimit nga feja dhe abuzimit me shenjtëritë e saj.

Por, këto nuk janë mesazhe pesimizmi, që i përhapim nga minberet tona, duke derdhur lotë krokodili, përkundrazi! Shpesh, duhet të kemi kurajo të themi haptas gjendjen tonë të mjerë, me qëllim orientimin e forcave për një rizgjim dhe rimëkëmbje drejt asaj për të cilën jemi krijuar.

Kjo më kujton një sprovë të vështirë të kaluar nga dijetari i shquar islam shkodran, Hafiz Ali Kraja (1898-1974), për të cilin dëshmohet se: “Pasi i morën bibliotekën, u thirr nga sekretari i partisë në degën e brendshme, në një komision, ku bënte pjesë edhe sekretari i partisë së lagjes, për t’i hequr mjekrën. U tha: “Mjekra tregon se çfarë jam, por fenë e kam këtu”, duke bërë me shenjë nga gjoksi i tij. “Nëse e heq mjekrën, mos mendoni se e heq besimin..!” dhe u izolua në shtëpi, derisa ndërroi jetë.”[6]

Edhe ne sot, në përballje me sprovat e shumta të së keqes së përhapur në shoqëri, duhet të dëshmojmë pikërisht këtë shpirt përballje, duke mos lejuar të bëhemi palë, nëpërmjet heshtjes tonë, me të keqen, që zgjat tentakulat e saj drejt shoqërisë tonë islame, drejt shtëpive tona, familjeve e fëmijëve tanë! Nuk duhet ta tolerojmë të keqen në mesin tonë!

Resulull-llahu (a.s) thotë: “Ai që sheh nga ju një të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij e, nëse nuk mundet, me gjuhën e tij e, nëse nuk mundet, me zemrën e tij dhe kjo është më e pakta e besimit!”[7]

Ndërsa Imam Neveviu, teksa e shpjegon këtë hadith, ndër të tjera thotë: “Dije se kapitulli i urdhëresës për mirë dhe ndalimit të së keqes, thuajse ka humbur sot. Kanë mbetur vetëm disa simbolika të pakta. Ai është një kapitull shumë i madh, me të cilin rregullohet çdo punë dhe përsoset!”[8]
 
Të dashurit e mi,
 
Më lejoni ta përfundoj mesazhin tim të kësaj jave me një pjesë nga një hytbe e Hz. Ebu Bekrit (r.a), që thoshte: [O ju njerëz, ju e lexoni këtë ajet: “O ju që besuat, ruajeni veten tuaj! Ai që ka humbur, nuk ju dëmton, kur jeni në rrugë të drejtë...”[9] dhe e interpretoni në një formë të gabuar!

Ndërkohë, kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut (a.s), që thoshte: “Sa herë që një popull vepron gjynahe dhe në mesin e tij ka prej atyre, që mund t’a qortojnë, por nuk e bëjnë, pritet që All-llahu t’i përfshijë me një ndëshkim prej Tij”][10]
 
All-llahut të Madhëruar i lutem të na japë kurajo dhe forcë, për të kryer me besnikëri amanetin e urdhëresës për mirë dhe ndalimit të së keqes në mesin tonë, me urtësi, dije, butësi dhe largpamësi.

Atij i lutem, që asnjëri prej nesh të mos jetë prej atyre, që sahabiu i nderuar Hudhejfe El-Jemani (r.a), e ka cilësuar si “i gjallë-i vdekur”; “ai i cili nuk e ndalon të keqen me dorën e tij, as me gojën e tij, as me zemrën e tij!”[11]
Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e “Dy Vajzave”)
Shkodër, më 29 maj 2015



[1] Kur’ani, El-Maide: 78-79.
[2] Kur’ani, Et-Teube: 71.
[3] Transmetuar nga Tirmidhiu.
[4] Ebu Hamid El-Gazali, “Ihjau ulumiddin”, botimi i dytë, Bejrut, 2000, vëll. I, f. 377.
[5] Transmetuar nga Ibn Ebid-Dunja, nga Ebu Umame El-Bahili (r.a) dhe Ebu Ja’la, nga Ebu Hurejra (r.a).
[6] Nga bashkëbisedimi që kam zhvilluar me z. Mehdi Ali Kraja, në Shkodër, më 14. 03. 2007. (Pjesë e një studimi në dorëshkrim mbi jetën dhe veprën e Hafiz Ali Krajës.)
[7] Transmetuar nga Imam Muslimi.
[8] Shejkh Ali Esh-Sherbexhi, “El-erbaunel-mukhtare fil-fedailid-dinijjeti vel-insanijje”, botimi i parë, Kuvajt, 2006, f. 354.
[9] Kur’ani, El-Maide: 105.
[10] Transmetuar nga Ebu Davudi, Ibn Maxheh, Nesaiu, Tirmidhiu etj.
[11] Ebu Hamid El-Gazali, vep. e cit., vëllimi i dytë, f. 383.