Imamët e Shkodrës,
						të bartim me dinjitet amanetin e Thirrjes Islame!
					28 maj 2015
Ditën e enjte, më 28 
										maj 2015, Myftiu i Shkodrës, 
										Imam Muhamed Sytari, zhvilloi një takim 
										pune me një grup imamësh të Myftinisë 
										Shkodër.
										
										Myftiu diskutoi mbi zhvillimet e fundit 
										në vend, atmosferën e prag Ramazanit, 
										sikurse dha udhëzime që lidhen me 
										predikimet fetare dhe gjuhën e tyre. 
										
										"Duhet të jemi të vëmendshëm për atë që 
										themi dhe si e themi, sepse kjo është 
										kohë intrigash dhe sprovash, ku e keqja 
										përpiqet me të gjitha mënyrat për të 
										shfrytëzuar hapësira të mundshme, kundër 
										Islamit dhe muslimanëve në këtë vend dhe 
										në mbarë botën. Kjo na obligon të 
										përqendrohemi edhe më shumë tek tematika 
										e forcimit të vëllazërisë islame dhe 
										rritjes së harmonisë në mes vete. 
										Prandaj, ne duhet të bëjmë detyrën tonë 
										dhe të bartim me dinjitet amanetin e 
										Thirrjes Islame, të cilës i jemi 
										kushtuar! Ditë pas dite po dëgjojmë të 
										flitet për terrorizmin, ekstremizmin 
										fetar, e të ngjashme. E kemi për detyrë 
										të distancohemi publikisht ndaj 
										thirrjeve të dhunës, terrorit, 
										ekstremizmit, që fatkeqësisht, dikush i 
										përdor sot edhe në emër të Islamit. Por, 
										Islami është i pastër nga fëlliqësia e 
										injorancës, nga terrorizmi dhe 
										ekstremizmi, nga mosrespektimi i të 
										drejtave të njeriut dhe intoleranca 
										ndërfetare! Ne jemi thirrës islamë dhe 
										detyra e jonë është shumë e rëndësishme, 
										sidomos në mësimin e njerëzve dhe 
										qartësimin e tyre se Islami është fé e 
										dijes, e drejtësisë, e bamirësisë, e 
										lartësimit të njeriut në rangjet më të 
										larta të besimit, larg dhunës, 
										urrejtjes, ekstremizmit!", - tha Myftiu 
										në fjalën e tij.
										
										Ai theksoi se është e domosdoshme të 
										respektohet detyra e imamit në shërbim 
										të komunitetit dhe besimtarëve.
										
										Myftiu tha se ditëve të fundit, fushatat 
										e islamofobisë janë shtuar, por detyra e 
										jonë është të dëshmohemi njerëz të 
										ekuilibruar, thirrës drejt dijes, 
										harmonisë brenda komunitetit tonë dhe 
										përhapës të denjë të vlerave islame në 
										shoqëri.
										
										Në këtë takim, Myftiu lexoi edhe 
										qarkoren e Komunitetit Mysliman të 
										Shqipërisë drejtuar krejt myftinive të 
										vendit, në lidhje me votimet e 21 
										qershorit dhe qëndrimin ndaj tyre.
										
										Në fund, u disktua edhe rreth kërkesave 
										dhe shqetësimeve të shfaqura nga imamë 
										të ndryshëm, mbi aktivitetin fetar dhe 
										gjallërimin e mëtejshëm të jetës fetare 
										në Shkodër.
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 

