Myftiu priti Kryetarin e Komitetit Shtetëror
për Kultet
26 maj 2015
Paraditën e së
martës, më 15 maj 2015, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, priti në
një takim zyrtar Kryetarin e Komitetit
Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli
me funksionarë të këtij institucioni.
Në qendër të bashkëbisedimit ishte
aktiviteti i Myftinisë Shkodër dhe
përpjekjet për gjallërimin e jetës
fetare dhe rritjen e frymës së
fetarizmit në shoqëri.
Myftiu, theksoi se këto 25 vite të
rilejimit me ligj të fesë në Shqipëri,
janë një moment reflektimi për të parë
atë që ishim, ku jemi dhe si mund të
përmirësohen shumë detaje të jetës
fetare dhe shoqërore në vendin tonë.
Ai theksoi se Myftinia Shkodër ka qenë e
interesuar dhe vazhdon të punojë me
këmbëngulje për ruajtjen e ekuilibrave
fetarë në vend dhe dhënien e një
kontributi sa më të dukshëm në
përcjelljen e mesazheve të harmonisë
fetare, që janë shtylla kurrizore e
harmonisë kombëtare.
Myftiu kërkoi që institucionet e vendit
të jenë të kujdesshme në trajtimin e
komuniteteve fetare dhe buxhetet që
ndajnë për to, duke shprehur
pakënaqësinë e tij për mosvlerësimin e
festave fetare islame në Shkodër dhe
tendencën në rritje të një fryme
islamofobie në rrjetet e ndryshme
mediatike.
Nga ana e tij, z. Ilir Hoxholli, theksoi
se Myftinia Shkodër ka një rol të
dukshëm në përhapjen e vlerave të
besimit dhe ato të harmonisë në
komunitet, sikurse vlerësoi hapat që
hidhen në drejtim të bashkëpunimit në
mes të komuniteteve fetare, sidomos në
përcjelljen e përbashkët të mesazheve të
harmonisë, paqes dhe bashkëjetesës në
vendin tonë.
Myftiu, njohu drejtuesit e KShK, edhe me
disa prej botimeve më të reja të
Myftinisë Shkodër, duke theksuar se po
punohet për të shtuar numrin e botimeve
të dobishme në shërbim të interesave të
besimtarëve dhe lexuesve të ndryshëm.
Temë e këtij takimi ishin edhe
zhvillimet e reja në botë, terrorizmi
dhe dhuna në emër të fesë, ku u ra
dakord se terrorizmi nuk ka fé dhe se
ata që po vrasin dhe shkatërrojnë sot në
botë, janë kriminelë, larg mësimeve të
fesë dhe vlerave të qytetërimeve me
themel hyjnor.