“Namazi është i rëndë
dhe ymmeti yt janë të dobët…”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Krijuesit të gjithësisë. Atij, që njeriun e krijoi në formën më të përsosur, e bëri mëkëmbësin e Tij në tokë, për ta ndërtuar dhe gjallëruar atë me udhëzimin e Tij hyjnor.

Lëvdatat e plota ia kushtojmë Zotit tonë, që e bëri namazin miraxh të përditshëm drejt mirësisë, paqes dhe bekimeve të Tij në jetën tonë. Atij, që teksa na tregon për cilësitë e besimtarëve të udhëzuar e triumfues, në këtë jetë e në të përtejmen, në Kur’anin Famëlartë, ndër të tjera thotë: “të cilët i kryejnë rregullisht faljet.”[1]

Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili u begatua me mrekullitë e Israsë dhe Miraxhit, në një natë të paqtë, ku u obligua falja e pesë namazeve ditore për ymmetin islam, deri në ditën e kiametit.
 
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë,
 
Po lexoja në historinë e Ibn Hishamit, mbi mrekullinë e Israsë dhe Miraxhit, sipas transmetimit të Ibn Mes’udit (r.a), kur vëmendja ime u përqendrua tek kthimi i Resulull-llahut (a.s) nga takimi i tij me Zotin e botëve, ku u obligua me faljen e pesëdhjetë namazeve ditore.

Thotë Resulull-llahu (a.s): “Dhe u ktheva. Kur kalova pranë Musait, të birit të Imranit, miku juaj i dashur, më pyeti se sa namaze m’u obliguan. I thashë: “Pesëdhjetë namaze ditore.” (Musai) Tha: “Namazi është i rëndë dhe ymmeti yt janë të dobët, prandaj kthehu tek Zoti yt dhe kërkoji lehtësim për vete dhe për ymmetin tënd!”

U ktheva tek Zoti im dhe i kërkova lehtësim për vete dhe për ymmetin tim. Më lehtësoi me dhjetë (namaze). U largova dhe kalova pranë Muasit, i cili më tha të njëjtat fjalë dhe u ktheva sërish tek Zoti im. Më lehtësoi me dhjetë të tjera. Sërish u ktheva dhe më tha të njëjtat fjalë. U ktheva tek Zoti im, që më lehtësoi edhe me dhjetë të tjera, deri sa përfundoi në pesë namaze. Pastaj u ktheva tek Musai, i cili më kërkoi sërish të kthehem tek Zoti im dhe të kërkoj lehtësim. I thashë: Jam kthyer disa herë tek Zoti im dhe më ka lehtësuar, sa më erdhi turp prej Tij. Nuk kthehem më!”[2]

Këto pesë namaze, ndonëse u lehtësuan nga pesëdhjetë të tilla në origjinën e obligueshmërisë, por ato do ta kenë shpërblimin e dhjetëfishuar tek All-llahu i Madhëruar, që tha: “O Muhammed, këto janë pesë namaze, për çdo ditë dhe natë. Secili namaz do të shumëzohet me dhjetë, pra pesëdhjetë namaze…”[3]
 
Motra dhe vëllezër të nderuar,
 
Sa e vërtetë dhe reale tingëllon fjalë e Hz. Musait (a.s): “Namazi është i rëndë dhe ymmeti yt janë të dobët”[4], teksa vërejmë dita-ditës, se ne nuk jemi të rregullt me kryerjen e këtij adhurimi të mrekullueshëm, i cili na u dhurua në një natë të bekuar, si bekim e mëshirë për ne!?

Dijetarët thonë se: “Qëllimi kryesor i namazit është realizimi i lidhjes së njeriut me Zotin e tij, nëpërmjet rrugëve të nënshtrimit të tij dhe përuljes para duarve të Zotit, falënderimit për mirësitë e panumërta… Sepse lidhja e vërtetë me All-llahun, nuk mund të jetë vetëm se nëpërmjet rrugëve të adhurimit, në krye të cilave qëndron namazi!”[5]

Nga këtu, lind një pyetje: A nuk është mosfalja e namazit argument i këtyre realiteteve të hirta, që dëshmohen sot në shoqërinë tonë, ku thirrjet për t’u shkëputur nga Islami, sa vijnë e forcohen, si një mallkim ogurzi mbi këtë popull e këtë shoqëri?

Me fjalë të tjera, përse kjo neglizhencë ndaj namazit, që na ushqen ditë pas dite me prehje dhe paqe të brendshme, duke na bërë individë më të mirë në një shoqëri, që përherë e më shumë ka nevojë për përmirësim dhe kthim nga Zoti?

A nuk na e ka vërtetuar Resulull-llahu (a.s) këtë mirësi të namazit, kur ka thënë: “Shembulli i pesë namazeve ditore, është si shembulli i një lumi të pastër e të rrjedhshëm në derën e secilit prej jush, ku ai lahet pesë herë në ditë. Si mendoni, sa papastërti do të mbetet në trupin e secilit? – Thanë: Asgjë, o i dërguar i All-llahut! Tha: Namazet i pastrojnë gjynahet, siç i pastron uji papastërtitë!”[6]

Po! Sepse, ai që falet me rregull, duke e kontrolluar mbikëqyrjen e All-llahut në jetën e tij, flet pak dhe ruhet nga thashethemet. Nuk gënjen, nuk mashtron, nuk bie në pesimizëm, nuk dorëzohet në jetë, është këmbëngulës në realizimin e të mirës, e ndalon të keqen me kurajo dhe me kënaqësi, nuk fyen, nuk shan, nuk mallkon, e ruan pastërtinë e jashtme, pasi është mësuar të mbajë pastër zemrën, të cilën ia ka dorëzuar All-llahut Mëshirëbërës me vullnet e me kënaqësi.

Dëgjoni se sa bukur e përshkruan All-llahu i Madhëruar, në një hadith kudsi, marrëdhënien e Tij me njeriun që falet. Thotë (xh.sh): “E kam ndarë namazin, në mes Meje dhe robit Tim, në dy pjesë. Dhe robi Im, do të marrë atë që kërkon. Kur robi Im thotë: “Elhamdu lil-lahi rabbil-alemine”[7], All-llahu thotë: “Më falënderoi me lavde, robi Im”. Kur robi thotë: “Er-Rrahmanirr-Rrahim”[8], All-llahu thotë: “Më lavdëroi robi Im”. Kur robi thotë: “Maliki jeumid-din”[9], All-llahu thotë: “Më madhëroi robi Im”. Kur robi thotë: “Ijjake na’budu ve ijjake nestein”[10], All-llahu thotë: “Kjo është në mes Meje dhe robit Tim dhe, robi Im do të ketë atë që kërkon”. Kur robi thotë: “Ihdinas-siratal-mustekim, siratal-ledhine en’amte alejhim gajril-magdubi alejhim ve led-dal-lin”[11], All-llahu thotë: “Kjo është e robit Tim dhe robi Im do të ketë atë që kërkon”[12]

Prandaj, të parët tanë, që e kuptuan drejtë vlerën e namazeve ditore në raport me jetën e përditshme dhe mundësinë e gabimit dhe rrëshqitjes në gjynahe, ishin të rregullt dhe të disiplinuar me namazet ditore. Transmetohet se, kur vinte namazi, Hz. Ebu Bekri (r.a) thoshte: “Ngrihuni drejt zjarreve, që keni ndezur dhe fikini!”[13] Pra, ngrihuni në namaz, që ju pastron nga gabimet dhe gjynahet, që janë si zjarri që djeg!
 
Të dashurit e mi,
 
Tema e namazit, mund të ketë përherë një fillim dhe e ka të vështirë fundin, duke parë madhështinë që i ka dhënë Zoti këtij adhurimi dhe ndikimit të madh që ka ai në sjelljen e njeriut, në përmirësimin e jetës, në edukimin e nefsit, në zbutjen e zemrës, në ekuilibrimin e mendimeve etj.

Dua të përmend në këtë hytbe, një hadith kudsi, shumë interesant e të dashur për zemrën, të cilin shpresoj ta kuptojmë e ta veprojmë në jetën tonë, për të dëshmuar bukurinë e fesë islame, mrekullitë e namazit dhe frutet e tij në këtë jetë dhe në të përtejmen.

“Thotë All-llahu i Madhëruar: Namazin do ta pranoj nga ai që është i përulur para Madhërisë Sime, që nuk është arrogant ndaj krijesave të Mia. Nga ai që e kalon ditën me dhikrin Tim, që nuk është insistues në gabimet e tij. Nga ai, që ushqen të uriturin dhe strehon të huajin, që mëshiron të voglin dhe respekton të madhin. Ky është ai, që kur të më kërkojë, do t'i jap, kur të lutet, do t'i përgjigjem, kur të më përgjërohet, do ta mëshiroj. Shembulli i tij tek Unë, është si shembulli i Firdeusit, ndër xhennete; frutet e tij nuk ndryshojnë, gjendja e tij nuk ndryshon!”[14]

Ja, pra, ky është namazi, kjo është falja e pesë kohëve ditore dhe përtej tyre; besim dhe bindje, besnikëri dhe fisnikëri, edukim nefsi dhe moral, bujari dhe respekt, nënshtrim dhe lutje para duarve të Krijuesit!
 
Në përfundim të kësaj hytbeje, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj një rrëfim nga libri “Shpirti”, i Ibn Kajjimit, ku thotë: “Tregon Jezid ibn Haruni, se një person i quajtur Ibn Mina, doli një ditë në një xhenaze dhe pasi mbërriti tek varreza, u ndal në një cep. Thotë: Aty fala dy rekate, pastaj u mbështeta tek një varr aty pranë. Pasha All-llahun zemra ime ishte zgjuar, kur dëgjova një zë nga ai varr, që më tha: “Largohu nga unë, mos më dëmto, pasi ju jeni njerëz që punoni, por nuk dini, ndërsa ne dijmë, por nuk mund të punojmë më! Sikur të kem mundësi të falem sa ato dy rekate, është më e dashur për mua se aq e kaq!”[15]
 
All-llahu na bëftë prej atyre që e kuptojnë vlerën e namazit, që e falin atë me rregull, që edukojnë fëmijët e tyre me namazin, duke u bërë fillimisht shembull personal në faljen e namazit; në shtëpi, në xhami, në punë, në zyrë, në punishte, në udhëtim e kudo që të jemi, në momentin e thirrjes për shpëtim! Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Tophanës)

Shkodër, më 22 maj 2015



[1] Kur’ani, El-Mu’minune: 9. Përkthimi i kuptimeve të këtij ajeti është marrë nga prof. Hasan I. Nahi, “Kurani i Madhërishëm”, AIITC, botimi i 6-të, Tiranë, 2008, f. 375.
[2] Ibn Hisham, “Es-siretun-nebevijje”, botimi i 4-t, Bejrut, 1999, vëll. II, f. 37-38.
[3] Transmetuar nga Imam Bukhariu, nga Enes ibn Malik (r.a) dhe Malik ibn Sa’sa’ (r.a).
[4] Ibn Hisham, vep. e cit., vëll. II, f. 37-38.
[5] Afif Abdulfettah Tabara, “Ruhud-din el-islami”, botimi i 30-të, Bejrut, gusht, 1995, f. 164.
[6] Transmetuar nga Muslimi, nga Xhabiri (r.a).
[7] Përkthimi i kuptimeve të sures “El-Fatiha”, që në versionin shqip, nga prof. Hasan I. Nahi, vjen kështu: “Çdo lavdërim i përket All-llahut, Zotit të botëve”
[8] “të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”.
[9] “Sunduesit të Ditës së Gjykimit”.
[10] “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”.
[11] “Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!”.
[12] Transmetuar nga gjashtë imamët kryesorë, përveç Bukhariut, nga Ebu Hurejra (r.a). Si në koleksionin e Ebu Abdurrahman Kemal ibn Besjuni El-Ebjani, “Mu’xhem el-ehadithul-kudsijjetus-sahihati ve meaha el-erbaunel-kudsijje li Mola Ali”, botimi i parë, Bejrut, 1993, f. 316-317.
[13] Ebu Hamid El-Gazali, “Ihjau ulumiddin”, botimi i parë, Bejrut, 2000, vëll. I, f. 201.
[14] Transmetuar nga Darekutniu, nga Ali ibn Ebi Talib (r.a), siç e ka koleksionuar muhadithi i Shamit, Imam Ibn Asakir (499-571 h.), në përmbledhjen e tij: "Med'hut-tevadu ve dhemmul-kibr", Damask-Bejrut, 1993, f. 35.
[15] Ibn Kajjim El-Xheuzijje, “Er-Ruh”, botimi i tretë, Damask-Bejrut, 1998, f. 61.

 


“Namazi është i rëndë dhe ymeti yt janë të dobët…”