Fjala e Myftiut në konferencën ndërfetare: “Familja, rinia dhe sfidat e modernitetit”
13 maj 2015
Të nderuar
përfaqësues të lartë të komuniteteve
fetare në Shkodër,
Të nderuar autoritete lokale dhe
vendore,
Të nderuar imamë, klerikë, thirrës
islamë e shërbestarë në rrugën e
besimit,
Të nderuar të pranishëm në këtë
organizim vlerash,
Është kënaqësi e madhe të përshëndes
këtë konferencë, që ne komunitetet
fetare të Shkodrës, ndërmorëm së bashku,
në rrugën e bashkëpunimeve të dobishme,
që ndezin një dritë shprese më shumë dhe
një udhëzim besimi për rininë dhe
familjen, në realitetet e sotme
shqiptare.
Sot, më shumë se kurrë, është detyra e
përfaqësuesve të fesë në këtë vend, që
të bashkojmë duart dhe të drejtojmë
kontributet tona, në rrugën e
përkujdesjes prindërore ndaj brezit të
ri dhe udhëzimeve të urta në rrugëtimet
e tyre në një jetë të turbulluar nga
sprova e modernitetit, shpesh të
paekuilibruar.
Është e udhës, që komunitetet fetare të
jenë më aktive në jetën e përditshme,
duke kontribuar me urtësi dhe
largpamësi, për ruajtjen e rinisë dhe
mbrojtjen e familjes nga sprova të
shumta të kësaj kohe, që si hije të
fshehura, përpiqen të prishin jetën dhe
të shuajnë shpresën e udhëzimit.
Po bëhet përherë e më e domosdoshme që
të shtohet bashkëpunimi ynë për të
qëndruar të bashkuar përballë sfidave,
me të cilat rinia e jonë dhe familja në
tërësinë e saj, po përballet ditë pas
dite, me faktorë të prishjes së
harmonisë dhe dhunimit të saj, si:
ateizmi i fshehur në neglizhencën ndaj
fesë, mungesa e lëndës së edukatës
fetare në shkollat e vendit tonë,
laicizmi ekstrem dhe ai selektiv, që
nxisin përherë e më shumë tendenca të
urrejtjes fetare, injoranca, si
shërbëtori më besnik i së keqes, krejt
të keqes në shoqëri, devijimet nga
natyra, me të cilën Zoti e ka krijuar
njeriun dhe reklamimi i tyre me të
madhe, si vlerë, liria e paekuilibruar
dhe e papeshuar e fjalës, mendimit dhe
shprehjes, që kohët e fundit po bëhet
objekt i rritjes së islamofobisë dhe
nxitjes së shkeljes së të drejtave të
besimtarëve në vendin tonë dhe përtej
tij, mosvlerësimi i diversitetit fetar,
kulturor e intelektual, si një
alternativë më shumë për t’u thelluar në
rrugët e bashkëpunimit, jo një mallkim
shtesë në jetë, mosrespektimi i
shenjtërive të tjetrit, që nxit
ekstremizëm në emër të fesë, tendenca
prishëse të harmonisë dhe bashkëpunimit
qytetar etj.
Takime, si ky i sotmi, duhen
përshëndetur dhe mbështetur edhe nga
institucionet e ndryshme, me të cilat
bashkohemi në rrugëtimin e tonë të
përbashkët drejt edukimit, dijes,
moralit e besimit solid, që frymëzon një
rini të pjekur dhe dhuron një familje të
shëndoshë e të ekuilibruar, e denjë për
t’u përballur me çdo sfidë e çdo sprovë
në jetë.
Falë Zotit, Fjala e Tij, e zbritur në
Librat e shenjtë, mesazhet e profetëve
tanë të nderuar dhe urtësia e dijetarëve
të palëkundur, që kemi në duar si një
amanet hyjnor, janë një garanci më shumë
për të ecur përpara me krenari legjitime
dhe me zemër të hapur karshi kujtdo, që
ka një nijet të mirë si ne, në rrugën e
edukimit dhe mbrojtjes!
Zoti e begatoftë rininë e Shkodrës dhe
familjet e nderuara shkodrane, që me
besimin e tyre në Një Zot, me dorëzimin
e tyre në Kur’an dhe Inxhil, kanë ditur
ndër shekuj të përballen me dinjitet me
sprovat e kohës, duke ruajtur mbi të
gjitha paqen sociale dhe harmoninë e
shenjtë të familjes tonë të madhe të
përbashkët, që quhet SHKODËR!
Zoti ju bekoftë dhe ju dashtë!
Imam
Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Fjala përshëndetëse në konferencën
e përbashkët të tre komuniteteve fetare
të Shkodrës, me temë: “Familja, rinia
dhe sprova e diversitetit”)
Shkodër, më 13 maj 2015