Xhamia e kalasë “Rozafa”,
aktiviteti: “Të edukohemi me Islamin”
16 maj 2015
Në kuadër të
aktiviteteve të larmishme, në atmosferën
e 25-vjetorit të rilejimit të besimit
fetar në Shqipëri, si dhe në vazhdën e
aktiviteteve fetare e kulturore me
rastin e hyrjes së Tre Muajve të Mirë,
ditën e shtunë, më 16 maj 2015, Myftinia
Shkodër organizoi një aktivitet të
dobishëm më nxënës të kurseve fetare të
disa xhamive të Shkodrës, në kalanë
“Rozafa”.
“Të edukohemi me Islamin”, ishte
titulluar ky aktivitet, në të cilin
përfshiheshin lojra popullore, konkurse
në mesin e nxënësve, lutje e këshilla
fetare nga mësuesit e kurseve dhe imamët
e nderuar të pranishëm në këtë
aktivitet.
Aktiviteti në oborrin e xhamisë së
kalasë së Shkodrës, filloi me leximin e
disa ajeteve nga Kur’ani Famëlartë, nga
një prej nxënësve të dalluar të kurseve
tona fetare.
Më pas teologu Arben Halluni, përgjegjës
i arsimit pranë Myftinisë Shkodër,
mbajti një bisedë të dobishme me
këshilla të vyera dhe lutje për të
pranishmit. Në bisedën e tij, ai uroi
dhe përgëzoi pjesëmarrjen e madhe të
nxënësve (mbi 500 nxënës dhe nxënëse të
xhamive tona), duke shprehur
falënderimet e tij ndaj All-llahut
(xh.sh) për këtë mirësi të madhe që ka
sjellë tek ky brez i ri.
Ai uroi që aktivitete të tilla, ku
shfaqet më së miri fryma e harmonisë
islame dhe e vëllazërisë në mesin e
nxënësve të krejt xhamive të Shkodrës,
të jenë sa më të shumta.
Për rreth katër orë, fëmijët kanë marrë
pjesë në lojëra të shumta popullore, të
mirëorganizuara, si dhe kanë ndarë së
bashku kënaqësinë e faljes së namazit të
Duhasë, nën drejtimin e teologut Arben
Halluni.
Aktiviteti është shoqëruar edhe me
këndimin e ilahive të shumta, vizitën e
kalasë dhe muzeut të saj.