“U udhëzove ti, u udhëzua ymmeti yt!”
15 maj 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Krijuesit të gjithësisë. Atij, që me anë
të mrekullive forcoi zemrën e të
dërguarve të Tij, duke udhëzuar
nëpërmjet tyre mendjet e hutuara dhe
zemrat e devijuara nga drita e së
vërtetës. Thotë në Kur’anin Famëlartë:
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që
robin e Vet e kaloi në një pjesë të
natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes)
deri në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes),
rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar,
(ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar
atij disa nga argumentet Tona…”[1]
Salavatet dhe përshëndetjet më të
përzemërta, ia dërgojmë sot në këtë ditë
dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë
së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit
(a.s), që u dërgua mëshirë për të gjitha
krijesat, plotësues i moralit dhe vulë e
të dërguarve të Zotit. Thotë: “Shembulli
im dhe i të dërguarve para meje është si
shembulli i një burri që ndërtoi një
shtëpi, të cilën e perfeksionoi dhe e
zbukuroi, përveç vendit të një tulle, në
një qoshe prej qosheve të saj. Njerëzit,
që e vizitonin, i thonin: Pse nuk e
vendos edhe këtë tullë?! Unë jam ajo
tullë, unë jam vula e të dërguarve!”[2]
Të dashur dhe të nderuar,
motra dhe vëllezër,
Diku, në një qytet të quajtur Taif, një
burrë i heshtur, që kishte kaluar pragun
e të pesëdhjetave nga vitet e jetës së
tij, me këmbë të gjakosura dhe me frymën
e lodhur nga përballja me arrogancën e
idhujtarisë dhe injorancën e mosdijes, u
ul të pushonte nën hijen e ca pemëve…
Ishte i lodhur, i mërzitur. Çfarë nuk
kishte kaluar mbi supet e tij në këto
dhjetë vite… Por, zemra e tij rrihte
mëshirë dhe falje, urtësi dhe
dashamirësi të pakufijshme për krijesat
e Zotit…
E, përtej lodhjes, mërzisë, dhembjeve të
trupit, që lëngonte goditjet e gurëve,
sharjet dhe fyerjet e panumërta, i
përqendruar në një qëllim dhe një
pikësynim, me kokën e ulur dhe duart
drejt qiellit, nisi të mërmëriste këto
fjalë: “All-llahumme, Ty po të ankohem
për dobësinë time, për mungesën e
rrugëve, për përçmimin nga njerëzit. O
Mëshiruesi i mëshiruesve, Ti je Zoti i
të dobësuarve, Ti je Zoti im! Në dorën e
kujt po më lë?... Por, nëse Ti nuk je i
zemëruar me mua, hiç nuk pyes…”[3]
Të dashur vëllezër
muslimanë,
Herë pas here, në harkun e një viti
kalendarik, na vijnë ditë dhe data të
shënuara, nëpërmjet të cilave ne
përkujtojmë dhe mundohemi të nxjerrim
mësime dhe mesazhe nga ndodhi dhe
personazhe, ngjarje dhe mrekulli, që
janë pjesë e Kur’anit dhe jetës së të
dërguarve të All-llahut.
Si të thuash, vit pas viti, krejt
natyrshëm, Zoti i gjithësisë na sjell në
vëmendjen tonë ngjarje, prej atyre që na
forcojnë besimin, që na japin kurajo dhe
që na thërrasin për të mos u përkulur në
jetë, përpara sprovave dhe vështirësive
të saj.
E, pikërisht, mrekullia e Israsë dhe e
Miraxhit, në kufijtë e një nate të
begatë, është një ndalesë e rëndësishme,
në të cilën jemi të ftuar të meditojmë
thellë dhe të mbushemi me shpresë,
optimizëm, krenari dhe vullnet
sakrifice!
Pavarësisht faktit se “dijetarët e
biografisë së Profetit (a.s), nuk kanë
rënë dakord për datën e saktë të Israsë
dhe Miraxhit, duke paraqitur transmetime
dhe analiza rreth saj, por të gjithë ata
janë në një mendje, se Israja dhe
Miraxhi ishte një nderim dhe fisnikërim
nga All-llahu i Madhëruar për të
dërguarin e Tij…”[4]
Nga këtu, më lejoni të vendos para
duarve tuaja, në një formë të
përmbledhur, hadithin kryesor të kësaj
ndodhie të mrekullueshme, që është
koleksionuar në librin e saktë të Imam
Bukhariut dhe disa detaje nga
transmetimi i Ibni Mesudit (r.a), për të
parë mrekullinë e Zotit ndaj të Dashurit
të Tij, Hz. Muhammedit (a.s).
Resulull-llahu (a.s) tregon: “Më sollën
Burakun, një kafshë e bardhë, që hidhte
hapin, ku i përfundonte vështrimi. Hipa
në të, derisa mbërrita në Bejtul-Makdis…
“Aty gjeti Hz. Ibrahimin, Hz. Musain,
Hz. Isain dhe shumë të dërguar të tjerë,
të cilëve u priu në namaz”[5]
Pastaj dola. Më erdhi Xhibrili (a.s) me
dy enë; njëra me verë dhe tjetra me
qumësht. Unë zgjodha qumështin. Xhibrili
tha: “Zgjodhe natyrën e pastër! [U
udhëzove ti, u udhëzua ymmeti yt!][6]”
Pastaj nisëm miraxhin (lartësimin) drejt
qiellit, ku Xhibrili trokiti… Na u hap
dera dhe pashë Ademin (a.s), që më uroi
mirëseardhjen dhe u lut për mua. Pastaj
u ngjitëm në qiellin e dytë (dhe në çdo
qiell, All-llahu e takonte me të dërguar
të ndryshëm; në të dytin, me Isain, të
birin e Merjemit dhe me Jahja, të birin
e Zekerijasë, në të tretin me Jusufin,
në të katërtin me Idrisin, në të pestin
me Harunin dhe në të gjashtin me
Musain).
Pastaj u ngjitëm në qiellin e shtatë, ku
pashë Ibrahimin, që kishte mbështetur
shpinën e tij tek Bejti Ma’muri, në të
cilin hynin çdo ditë shtatëdhjetë mijë
melekë dhe nuk dilnin më prej aty…”[7]
Vëllezër besimtarë,
Në simbolikën e saj, ndodhia e Israsë
dhe Miraxhit (detajet e së cilës janë të
panumërta dhe është e pamundur të
përfshihen në një hytbe të zakonshme),
nëpërmjet dëshmimit të saj në dy suret e
zbritura në këtë përshpirtësi; sureja
“El-Isra” dhe sureja “En-Nexhm”, dëshmon
se “Muhammedi (a.s) është profeti i dy
kibleve, imami i dy lindjeve dhe i dy
perëndimeve, trashëgimtari i të
dërguarve para tij, prijësi i brezave
pas tij! Pasi, në personalitetin e Hz.
Muhammedit (a.s), mbrëmjen e Israsë, u
takua Mekka me Kudsin, Bejtul-Harami me
Mesxhidi Aksanë. Aty, të dërguarit u
falën pas tij, duke sinjalizuar kështu
universalizmin e dërgesës së tij
profetike, përjetësimin e imamatit të
tij, humanizmin e mësimeve të tij dhe
përshtatshmërinë e tyre me gjithë
ndryshimet e vendit dhe kohës”[8]
Israja dhe Miraxhi erdhën si përforcim i
Hz. Muhammedit (a.s) në rrugën e tij të
mundimshme të thirrjes, në edukimin e
brezave me dritën e udhëzimit hyjnor dhe
begatitë e fesë së All-llahut; ISLAMIT!
Atë natë, zemra e tij u mbush
pafundësisht me dritën e pashuar të
mbështetjes hyjnore, tamam si atë ditë,
kur melekët i hapën gjoksin dhe ia
mbushën me nurin e besimit dhe dashninë
e Zotit!
Atë natë, iu dhurua amaneti më i
shtrenjtë dhe garancia e përjetshme e
lidhjes së qiellit me tokën dhe
anasjelltas; namazi i pesë kohëve
ditore!
Atë natë, u vulos mirësia dhe u derdhën
bekime pafund për Pejgamberin tonë dhe
ymmetin islam, deri në ditëne
kiametit!
Atë natë, teksa kthehej me pesë namazet
e ditës, si rrugë e pambyllur drejt
kërkimit të mëshirës dhe Dritës së Zotit
në jetën tonë, fjalët e Krijuesit, ishin
ngulitur thellë në zemrën e tij (a.s),
do ua thoshte më pas edhe sahabëve,
mbarë botës: “O Muhammed, këto janë pesë
namaze, për çdo ditë dhe natë. Secili
namaz do të shumëzohet me dhjetë, pra
pesëdhjetë namaze…”[9]
Të dashurit e mi,
Në përfundim, më lejoni të kthehem, nga
pikënisja e kësaj hytbeje. Atje nën
hijen e pemëve, ku një burrë me fytyrë
të dritshme, që as pluhuri, lodhja e
mërzia, nuk ia largonin dot rrezatimin e
bukurisë, me të cilën ishte gatuar
krijimi i tij, lutej pa fund dhe priste…
Priste i bindur, në ato fjalë, që më pas
do të përjetësoheshin në Kur’anin
Famëlartë: “Zoti yt nuk të ka lënë, as
nuk të ka përbuzur!”[10]
Ai burrë i madh, që “një vit më parë,
fëmijët e Taifit, qenë rreshtuar në të
dy anët e rrugës dhe me gurë në duar,
qëllonin këmbët e tij (a.s), teksa
largohej prej aty për në vendin e vet.
Sot, pas një viti, po i rreshtoheshin
Pejgamberët (a.s), atje në Kuds, me
dhjetra të dërguar, të cilët po e
prisnin me gëzim dhe donin të faleshin
pas tij…”[11]
Ai burrë i madh, ajo zemër e
pakufijshme, ajo dritë e pashuar, ai zë
i përbotshëm, ajo thirrje për
gjithësinë, ajo lutje dorëzimi… Hz.
Muhammedi (a.s), udhëtari i
papërsëritshëm i Israsë dhe
Miraxhit…
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë “Ebu Bekër”)
Shkodër, më 15 maj 2015
[1] Kur’ani,
El-Isra: 1.
[2] Transmetuar
nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu
Hurejra (r.a).
[3] Dr.
Mervan Shejkhulerd,
“Es-siretun-nebevijje”, botimi i parë,
Damask, 2003, vëll. 1, f. 268, duke u
bazuar në historinë e Ibn Hishamit.
[4] Muhammed
El-Habesh, “Siretu Resulil-lah”, botimi
i 6-të, Damask, 1996, f. 101.
[5] Transmetimi
i Ibn Mesudit (r.a), si te Ibn Hishami,
“Es-siretun-nebevijje”, botimi i 4-t,
Bejrut, 1999, vëll. II, f. 30.
[6] Transmetimi
i Ibn Mesudit (r.a).
[7] Transmetuar
nga Imam Bukhariu, nga Enes ibn Malik
(r.a) dhe Malik ibn Sa’sa’ (r.a).
[8] Es-Sejiid
Ebul-Hasen Ali El-Haseni En-Nedvi,
“Es-siretun-nebevijje”, botimi i 12-të,
Damask, 2004, f. 218-219.
[9] Transmetuar
nga Imam Bukhariu, nga Enes ibn Malik
(r.a) dhe Malik ibn Sa’sa’ (r.a).
[10] Kur’ani,
Ed-Duha: 3.
[11] Vehbi
Sulejman Gavoçi, “Muhammedi alejhisselam
– Jeta dhe vepra”, LOGOS-A, Shkup, 2011,
f. 117.