Hidhen themelet e Xhamisë së Namazgjasë
13 maj 2015
Komuniteti Mysliman i
Shqipërisë ka hedhur sot zyrtarisht
themelet e Xhamisë së Namazgjasë në
Tiranë, në prani të Presidentit të
Republikës së Shqipërisë z. Bujar
Nishani, Presidenti i Republikës së
Turqisë z. Rexhep Tajip Erdogan, dhe
personalitete të tjera nga Shqipëria dhe
Turqia.
Në fjalën e tij Presidenti i Republikës
së Shqipërisë z. Bujar Nishani
falënderoi popullin turk për ndihmën dhe
përkrahjen e tyre për ndërtimin e kësaj
xhamie. Presidenti Nishani ndër të tjera
tha: “Ne sot ndodhemi në një vend të
bekuar, ku që prej themelimit të
Tiranës, 400 vjet më parë, e deri në
ditën e errët, kur diktatori komunist
Enver Hoxha i penalizoi shqiptarët me
dhunë nga e drejta e besimit, qindra dhe
mijëra besimtarë myslimanë shqiptarë
faleshin këtu në këtë shesh, për hir të
Zotit. Këtu në këtë vend shqiptarët i
drejtoheshin Zotit madje edhe në heshtje
edhe në ditët e egra të sulmit komunist
ndaj kulteve fetare. Jam shumë i lumtur
që sot hedhim themelet e kësaj xhamie,
shtëpisë së Zotit për besimtarët
myslimanët të vendit tim.”
Presidenti Nishani vuri theksin
gjithashtu edhe mbi harmoninë
ndërfetare, si një model perfekt jo
vetëm gjatë ditëve të bukura të
historisë sonë, por edhe në momentet më
të vështira, kur klerikët ishin së
bashku në burgjet dhe kampet e
internimit të regjimit.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe
presidenti i Turqisë z. Rexhep Tajip
Erdogan, i cili ndodhet në Shqipëri në
një vizitë zyrtare me ftesë të
Presidentit të Republikës.
“Kjo xhami do të ndërtohet me
kontributin dhe ndihmat e popullit turk.
Afërsia e kësaj xhamie me kishën, dhe
prania e muzeut të bashkëjetesës, i cili
do të ndërtohet pranë kësaj xhamie,
tregon diversitetin dhe harmoninë në
Shqipëri.”, nënvizoi presidenti Erdogan.
Ai foli gjithashtu për lidhjet historike
midis dy popujve për personalitete të
përbashkëta shqiptare siç kanë qenë
arkitekti i xhamisë Sulltan Ahmet, Sami
Frashëri, autori i himnit kombëtar turk
Mehmet Akif Ersoj, 35 sadrazamë
(kryeministra) në kohën e Perandorisë
Osmane, si dhe kontributin e miliona
shqiptarëve që banojnë në Turqi.
Pas fjalës së dy presidentëve, kryetari
i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z.
Skender Bruçaj ka bërë një lutje (duá),
ku ndër të tjera tha: “Po lutemi sot të
mbledhur në një ditë të veçantë, në
vendin e bekuar të Namazgjasë, për të
filluar realizimin e ëndrrës shumë
vjeçare të besimtarëve myslimanë të
Tiranës dhe mbarë besimtarëve shqiptarë.
O Allah i Madhëruar! Begatoje këtë vend
të shenjtë, nga begatia jote e pafundme,
bëje një vend ku lartësohet dhe nderohet
emri Yt i Madhëruar me adhurime të
sinqerta! Bëje një vend ku
shpërndahet dashuria, dija dhe respekti
për të gjithë.”
Pas kreut të KMSH-së një lutje ka
mbajtur edhe kreu i Komunitetit Mysliman
të Turqisë, z. Mehmet Gormez, i cili
ishte i pranishëm në hedhjen e themeleve
të Kompleksit të Namazgjasë.
Më pas është shtypur butoni për hedhjen
e betonit, ku ka nisur zyrtarisht edhe
puna për ndërtimin e Xhamisë dhe
Kompleksit të Namazgjasë.
Ky kompleks do të jetë qendra më e madhe
Islame në Ballkan, e cila do të
përfshijë xhaminë, një sallë
konferencash, sallë mbledhjeje, një
sallë ekspozitash, Muzeun e parë Islam
në Ballkan, bibliotekën, zyra, parking,
si dhe hapësira të tjera për publikun.
Kompleksi Namazgja do të ketë një
kapacitet të përgjithshëm prej 20.000
metrash katrorë, kurse xhamia do të ketë
një kapacitet prej 5.000 vetash, që mund
të falen në të njëjtën kohë.
Në ceremoninë e hedhjes së themeleve të
xhamisë së Madhe të Tiranës morën pjesë
një numër i madh qytetarësh të
kryeqytetit dhe më gjerë.
13 maj 2015
(marrë nga: kmsh.al)