Myftiu i Stambollit për vizitë në Shkodër
12 maj 2015
Paraditën e së
martës, më 12 maj 2015, ka mbërritur për
një vizitë të shkurtër jozyrtare në
Shkodër, Myftiu i Stambollit, prof. dr.
Rahmi Yaran, i shoqëruar edhe nga njëri
prej zëvendësve të tij dhe dy nga imamët
më të shquar të Stambollit.
Në mikpritje të tij, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, ka shprehur gëzimin
e tij për këtë takim të përzemërt me
Myftiun e nderuar të Stambollit, një
personalitet i shquar islam në Turqi dhe
përtej saj.
Gjatë takimit të përzemërt është
diskutuar për tema të ndryshme, si dhe
është vënë theksi te domosdoshmëria e
angazhimit të përbashkët, në rrafsh
ymeti, për afrimin e muslimanëve me
njëri-tjetrin dhe largimin nga elementët
përçarës dhe tendencat e ndarjes në
familjen e madhe islame në botë.
Me rastin e këtij qëndrimi të shkurtër
në Shkodër, Myftiu i Stambollit, i
shoqëruar nga Myftiu i Shkodrës, ka
zhvilluar një vizitë të shkurtër edhe në
Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, me të dy
degët e saj, ku është njohur me shkollën
dhe angazhimet për përmirësimin e
cilësisë së saj, në drejtim të rritjes
progresive, duke u dëshmuar si një ndër
shkollat më të mira në rangun e Qarkut
Shkodër.
Gjatë vizitës në Medrese, ku ka dhënë
edhe disa këshilla të dobishme për
medresistët tanë, Myftiu i Stambollit
është pritur nga drejtori, z. Kujtim
Dervishi, si dhe nga koordinatorja e
Shoqatës “Istanbul”, znj. Elona Sytari.