“Vlerat e Tre Muajve të Mirë”, në Vau Dejës
09 maj 2015
Pasditen e së
shtunës, më 9 maj 2015, Myftinia
Shkodër, në bashkëpunim me Medresenë
"Haxhi Sheh Shamia", organizuan një
aktivitet fetaro-kulturor në Vau Dejës.
Aktiviteti në fjalë, i pari në llojin e
tij në këtë zonë është pjesë e tubimeve
fetare, që Myftinia Shkodër po organizon
me rastin e Tre Muajve të Mirë.
Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili
vuri theksin te domosdoshmëria e
ruajtjes së amanetit të fesë dhe
qëndrueshmëria në udhën e saj. Myftiu
tha se muslimani, pavarësisht
realiteteve me të cilat përballet, e
ruan me dinjitet dhe krenari përkatësinë
e tij fetare. Ai dha disa këshilla të
dobishme për muslimanët e kësaj zone dhe
u angazhua se në të ardhmen, Myftinia
Shkodër do të jetë më pranë muslimanëve
të Bashkisë Vau Dejës.
Njëkohësisht tha se Vau Dejës është një
zonë kryesisht e krishterë, por detyra e
muslimanëve të saj është të përhapin
vlerat e harmonisë dhe bashkëjetesës
ndërfetare dhe të jenë faktor i
rëndësishëm i ruajtjes dhe mbrojtjes së
paqes sociale.
Ndërsa imami i xhamisë Parrucë,
teologu Naim Drijaj mbajti një temë mbi
vlerën e Tre Muajve të Mirë dhe
shfrytëzimin e tyre në rrugëtimin hyjnor
në jetë, si një mirësi nga Zoti për
besimtarët e Tij.
Imami i nderuar tha se këto tre muaj
janë një mundësi e mirë për t'u
përgatitur si duhet për Muajin Ramazan
dhe dëshmimin e mrekullive të besimit në
jetë.
Një program i larmishëm me recitime dhe
ilahi, të mbushura me emocione besimi
dhe malli për të dërguarin e All-llahut,
Hz. Muhammedin (a.s), nga medresistët
tanë plotësoi më së miri këtë aktivitet
të dobishëm.Në përfundim, për të
pranishmit u shpërnda Kur'ani Famëlartë,
me përkthim të kuptimeve në gjuhën
shqipe, dy libra mbi jetën e Hz.
Muhammedit (a.s), si dhe revistat
"Etika" dhe "Drita Islame".