“Ja, një letër nga miku yt damasken!”
08 maj 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të Vetëm të botrave, Krijuesit të
Pashoq, Mëshiruesit, që na udhëzoi drejt
ruajtjes së amanetit dhe mbrojtjes së
fjalës së dhënë. Thotë në Kur’anin
Famëlartë, teksa përshkruan cilësitë e
besimtarëve: “ata të cilët me kujdes i
ruajnë ato që u janë besuar (sende ose
fjalë), e ruajnë edhe premtimin e dhënë”[1]
Salavatet dhe përshëndetjet e përzemërta
ia dërgojmë sot në këtë ditë e nga kjo
tokë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz.
Muhammedit (a.s), i cili thoshte:
“Kryeja amanetin atij që të ka zënë besë
dhe mos tradhëto atë që të ka
tradhëtuar!”[2]
Të nderuar dhe të dashur
vëllezër besimtarë,
Po lexoja rreth kuptimeve dhe vlerës së
ruajtjes së amanetit, si një cilësi
fisnike, prej cilësive të muslimanit,
kur rreshtat më tërhoqën si pa u ndjerë
drejt një kohë dhe një vendi, ndryshe
nga koha dhe vendi ynë.
Një ndodhi interesante në Bagdad, në
vitet e udhëheqjes[3]
së kalifit të famshëm El-Me’mun
(Abdull-llah ibn Harun Er-Reshid).
Ditën e ndodhisë në fjalë, kalifi
urdhëroi kryepolicin e kryeqendrës së
kalifatit, një person i quajtur Abbas,
që të merrte në dorëzim një burrë me
duar të lidhura, duke i thënë: “Kujdes
këtë njeri, mos e lër të ikë dhe ma sill
që në mëngjes!”
Nga frika e arratisjes së tij, Abbasi e
mori burrin e lidhur në shtëpinë e tij.
E pyeti: Prej nga je? Burri iu përgjigj:
Nga Damasku. Abbasi e pyeti: A e njeh
filanin në Damask? Burri ia ktheu: E ku
e njeh ti atë njeri? Abbasi vazhdoi: Eh,
para shumë vitesh, së bashku me ca
ushtarakë, po kalonim në ato vende, kur
ca banorë të atyre zonave u ngritën
kundër nesh. Ishin të shumtë në numër.
Nga frika e vdekjes së sigurt, kalova
pranë shtëpisë së këtij personi, të
cilin as e njihja, as më njihte. I
kërkova ndihmë dhe besë në emër të
All-llahut. Ai më mori me të shpejtë në
shtëpinë e tij dhe më futi në dhomën e
grave të shtëpisë. Kur ia behën banorët,
nisën të kontrollonin shtëpinë. E
shoqja, doli e zemëruar dhe u bërtiti me
të madhe duke i përzënë nga shtëpia.
Shpëtova për pak.
Në shtëpinë e këtij burri qëndrova plot
katër muaj, në një atmosferë të
mrekullueshme mikpritjeje dhe respekti.
Kur u qetësua gjendja, i kërkova të
largohem drejt Bagdadit. Më ndihmoi të
largohem i maskuar në një karvan dhe më
pajisi me çdo gjë që kisha nevojë për
këtë udhëtim. Që nga ajo ditë, kur
mbërrita shëndosh e mirë, unë nuk e kam
harruar mirësinë e atij burrë…
I lidhuri, iu drejtua duke i thënë: Unë
jam personi për të cilin po flet dhe
nisi t’i tregonte për një fitne që
kishte ndodhur në Damask dhe akuzimin e
tij për të, ndonëse ai nuk kishte asnjë
faj as lidhje.
Pastaj i kërkoi që ta ndihmonte të
mbërrinte tek disa prej shërbëtorëve të
tij, që e kishin ndjekur deri në Bagdad
dhe që ishin fshehur tek një familje e
njohur e tij, që t’u linte ca porosi dhe
amanete për familjen në Damask. Nuk
donte gjë tjetër.
Abbasi u ngrit menjëherë dhe pasi e
njohu mirë se ishte pikërisht ai,
personi për të cilin po pyeste, e
përqafoi, i zgjidhi duart dhe pasi u
qetësua pak, u la dhe ndërroi teshat, e
ndihmoi të ikte drejt shërbyesve të tij
të fshehur, duke i dhënë me vete edhe
një shumë të madhe me të holla.
Por, damaskeni i dha fjalën se nuk do të
largohej nga Bagdadi, pa mësuar se mikut
të tij nuk do t’i ndodhte asnjë e keqe
nga kalifi.
Të nesërmen, Abbasi u bë gati, i bindur
se ajo do të ishte dita e fundit e jetës
së tij. Nuk vonoi dhe mbërritën njerëzit
e Me’munit, që e morën me vete për te
kalifi. Kur Abbasi hyri vetëm, Me’muni u
ngrit në këmbë i zemëruar dhe bërtiti:
Do ta pres kokën nëse më thua se të ka
ikur i burgosuri!
Duke mos humbur kohë, Abbasi nisi t’i
tregonte historinë e vërtetë dhe
veprimin e tij. E përfundoi rrëfimin
duke thënë: “Më fal, ose më vrit, por
unë jam i qetë se ia shpërbleva mirësinë
e tij të madhe me jetën time!”
Me’muni, që tashmë ishte qetësuar,
kërkoi ta gjenin damaskenin dhe t’ia
sillnin sa më parë, pasi ishte shumë i
befasuar nga sjellja dhe kjo cilësi e
tij. Abbasi, i habitur, i tregoi se ai
vazhdon të jetë në Bagdad dhe se nuk do
të largohet pa mësuar se miku i tij ka
shpëtuar nga zemërimi i kalifit.
Me’muni, i habitur edhe më shumë nga kjo
sjellje, e urdhëroi Abbasin të vraponte
drejt mikut të tij dhe t’ia sillte
menjëherë në prezencë…
Kur u takuan, Me’muni e nderoi me të
madhe burrin besnik dhe pasi u njoh edhe
më shumë me të, e ngarkoi si mëkëmbësin
e tij në Damask…
E, sa herë vinte ndonjë mesazh nga
Damasku, Me’muni i thoshte kryepolicit
të tij: “Ja, një letër nga miku yt
damasken!”[4]
Të dashurit e mi,
Ajo që desha të tërheq vëmendjen tuaj
nëpërmjet kësaj ngjarjeje reale, është
pikërisht cilësia e besës dhe ruajtja e
amanetit në jetë. Sepse, ne muslimanët e
kemi të shkruar në murin e vlerave të
identitetit dhe personalitetit tonë,
besën dhe ruajtjen e amanetit! Si jo,
kur Zoti i gjithësisë na porosit në
Kur’an: “All-llahu ju urdhëron që t'a
kryeni amanetin tek të zotët e tij”[5]
dhe tërheq vëmendjen tonë drejt një
vendimi hyjnor të pakthyeshëm:
“All-llahu nuk e do atë që është
tradhëtar, gjynahqar”[6]
Teksa flasim dhe hedhim dritë sadopak
rreth kësaj teme, shumë i goditur është
hadithi profetik, në të cilin
Resulull-llahu (a.s) i përgjigjet
kështu, personit që e pyeti për
kiametin: “Kur të humbet ruajtja e
amanetit, atëherë prisni kiamietin!”
Personi e pyeti sërish: Po si humbet
ruajtja e amanetit? Zotëria i jonë (a.s)
tha: “Kur çështja t’i lihet në dorë
jofamiljarëve të saj, atëherë prisni
kiametin!”[7]
Dhe më lejoni të ndalem tek hadithi i
lartpërmendur. Ai është një mrekulli, që
duhet t’i shërbejë secilit prej nesh për
të ndrequr jetën e tij dhe për të
kontribuar me tërë mundësitë që i janë
dhënë, për të mos shkaktuar prishje në
këtë botë, për të mos ndikuar në
kiametin e amaneteve dhe besëlidhjeve të
heshtura a të dëshmuara, që ka marrë
përsipër!
A nuk është ky hadith ftesë për
studentin, që të mos abuzojë me kohën e
tij, të studiojë e të thellohet sa më
shumë në dije, që nesër në jetë të ketë
mjetet më të mira; dijen e saktë dhe
thellimin në të, si mundësi ndërtimi dhe
përparimi?
A nuk janë këto mësime të ruajtjes së
amanetit, një thirrje e pastër, që
secili prej nesh të përpiqet me sa të
ketë mundësi, ta perfeksionojë punën e
vet, drejt rritjes së cilësisë së jetës
në këtë vend, të cilin e kemi në besë?
A nuk duhet të mendojë secili nga ne se
me punën e tij, ka mundësi të
rregullojë, ose të bëjë kiametin në
detyrën që i është ngarkuar, si një
amanet i shenjtë dhe një besë, për të
cilën do të pyetet në ditën e llogarisë?
A nuk është cilësi e muslimanit largimi
nga mashtrimi, nga vjedhja, nga abuzimi
me punën e ngarkuar, nga neglizhenca
ndaj detyrës, nga e nga...?
Dikur kanë thënë: “Ai që e humbet
amanetin dhe e pranon tradhëtinë, i ka
shkëputur lidhjet me fenë!”[8]
Dhe, më lejoni në fund të kësaj hytbeje,
të sjell në vëmendjen tuaj transmetimin
e sahabiut Auf ibn Malik (r.a), i cili
thotë: “Ishim tek Profeti – nëntë, tetë
a shtatë persona – kur na tha: “A po ia
jepni besën të dërguarit të All-llahut?”
Ne shtrimë duart dhe thamë: “Ta japim
besën, o i dërguar i All-llahut!” Tha:
“Të adhuroni All-llahun, mos t’i bëni
shirk në asgjë, të falni pesë namazet,
të dëgjoni dhe të bindeni (ndaj prijësve
tuaj)” dhe, me zë të ulët tha një fjalë:
“dhe të mos kërkoni asgjë nga njerëzit!”
Auf ibn Malik thotë: “Më vonë, kam parë
disa nga ata që dhanë besën atë ditë,
duke i rënë kamzhiku nga dora, duke mos
kërkuar nga dikush prej njerëzve që t’ia
japë”[9]
Islami, të dashurit e mi, është amanet
mbi supet tona, ta mbrojmë me
mirësjelljen tonë, ta dëshmojmë në jetën
e përditshme me dije, zanate të
perfeksionuara dhe korrektësi në kohë,
t’ia mëkojmë fëmijëve dhe të rinjve
tanë, si besëlidhja më e shenjtë e tokës
me qiellin!
Vel-hamdu lil-lahi rabbil-alemine!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit
Ura e Shtrenjtë)
Shkodër, më 8 maj 2015
[1] Kur’ani,
El-Mu’minune: 8.
[2] Transmetuar
nga Ebu Davudi.
[3] Udhëheqja e
kalifit El-Me’mun (170-218 h.), ka
zgjatur “njëzet vjet e pesë muaj e tre
ditë” – Shejkh Muhammed El-Khudari,
“Ed-Deuletul-Abbasijje”, botimi i tretë,
Bejrut, 1997, f. 153.
[4] Hamdi Zemzem
dhe Muhammed Abdurrahim,
“El-mutekel-limetu bil-Kur’an ve kisasun
ukhra”, botimi i dytë, Damask, 1990, f.
154-156.
[5] Kur’ani,
En-Nisa: 58.
[6] Kur’ani,
En-Nisa: 107.
[7] Transmetuar
nga Imam Bukhariu.
[8] Ahmed Said
Ed-Dixhevi, “Itmam fethul-Khal-lak fi
mekarimil-akhlak”, botimi i parë,
Damask, 1996, f. 89.
[9] Transmetuar
nga Imam Muslimi.