Diversiteti fetar e kulturor dhe paqja sociale

Ditëve të fundit, në horizontet tona, sa vjen e po shtohen thirrjet e islamofobisë, në djepin e artikullshkruesve dhe komentuesve më të këqinj të mundshëm, që përveç vrerit që vjellin, servilizmin ndaj të keqes dhe shembullin e miopësisë intelektuale, dëshmohen edhe si një model jo i shëndetshëm për t’u pasuar nga një brez, që më shumë se kurrë sot ka nevojë për mësimet dhe udhëzimet e fesë.

Fatkeqësisht, nxitjet perëndimore të poshtërimit fetar, mosrespektimit të shenjtërive të tjetrit dhe të bërit "art" me absurditete qesharake (si rasti i ekspozitës së fundit në Teksas), që fyejnë intelektin dhe ndjenjat e miliarda muslimanëve në mbarë globin dhe shtojnë dozat e urrejtjes ndërfetare nëpër botë, nuk është gjë tjetër vetëm se dëshmi e dekadencës morale, intelektuale dhe shpirtërore, që kanë prodhuar sistemet e dobëta njerëzore, sot në botë. 

Me fjalë të tjera, islamofobia në rritje, që përkthen edhe në praktikë thirrjet e të shkuarve të afërt për luftë të hapur ndaj Islamit dhe vlerave të tij, pa asnjë justifikim logjik, po kthehet në një shtysë më tepër, që na bën të bindemi përherë e më shumë, se ky shekull është shekulli i Islamit!

Një pyetje lind vetvetiu, teksa shoh eksitimin e thirrësve të radikalizmit racist në Evropë dhe atyre amerikanë, që në emër të lirive ekstreme, nxisin urrejtje dhe dhunë krejtësisht të pajustifikueshme fetare në botë: A është kjo histeri kolektive e këtij modeli, fatura që ne muslimanët duhet të paguajmë, pas dëshmimit tonë si thirrës drejt vlerave të harmonisë dhe tolerancës ndërfetare në botë?

A është kjo fatura e mosmirënjohjes, që perëndimi i shpreh sot muslimanëve, pas shekujve dritë e qytetërim, në të cilët muslimanët i mësuan paraardhësve të këtij modeli njerëzish të sëmurë, pastrimin dhe pastërtinë, moralin dhe ruajtjen e nderit, dijen dhe pastrimin nga analfabetizmi dhe injoranca, gjuhët e huaja dhe shkencat e panumërta, tolerancën dhe vlerësimin e qenies NJERI dhe aftësinë e të jetuarit në paqe me tjetrin?

E teksa Kur'ani pyet: "A nuk është shpërblimi i mirënjohjes, veçse mirënjohja?", realitetet e sotme bëhen dëshmitare të heshtura të një devijimi nga nivelet e larta të qytetërimeve hyjnore, ku njeriu është vëlla i njeriut dhe ku, shenjtëria e tjetrit është kufi respekti, që nuk duhet shkelur as tejkaluar; me rrobë fetare, intelektuale, politike a kulturore qoftë! Sepse diversiteti fetar e kulturor, duhet të nxisë përherë e më shumë paqe sociale, jo ekstremizëm laik, nxitës urrejtje e islamofobie, që i ngjan një kanceri të dëmshëm, me të cilin duhet të përballemi pa ndrojtje, me qetësi dhe me të gjitha mënyrat legjitime!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
 
Shkodër, 5 maj 2015