Në rahmet të All-llahut, H. Hilmi Hoxha
03 maj 2015
Ditën e dielë, më 3
maj 2015, u nda nga jeta e kalimtare e
kësaj bote në moshën 81 vjeçare, i
nderuari z. Hilmi Hoxha, një besimtar i
përkushtuar dhe një mësues i palodhur në
rrugën e mësimit të leximit të Kur’anit,
në xhami të ndryshme të Shkodrës.
Haxhi Hilmija, siç thirrej nga
besimtarët frekuentues të xhamive të
Shkodrës, sidomos ata të Parrucës, të
Rusit dhe xhamisë “Ebu Bekër”, ishte një
njeri i heshtur dhe shumë i pasionuar
pas mësimit të leximit të Kur’anit.
Janë të panumërt nxënësit e tij, që
mësuan leximin e Fjalës së All-llahut
nga përkushtimi dhe këmbëngulja e tij,
ashtu në heshtje dhe pa kërkuar e
pranuar asnjëherë asnjë falënderim a
mirënjohje nga dikush.
Në ceremoninë e xhenazes së tij, që u
drejtua nga Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, u theksua se shembulli i
H. Hilmi Hoxhës duhet të ngelet një
model frymëzimi, sidomos për teologët,
imamët dhe shërbyesit e ndryshëm në
rrugën e gjallërimit të Thirrjes Islame
në xhamitë e Shkodrës dhe përtej tyre.
Myftiu ngushëlloi familjarët e të
ndjerit, duke thënë se ata duhet të
ndjehen krenarë për babën e tyre dhe
shembullin e lartë që ai la, pas
largimit nga kjo botë. “Ai ishte një
shërbyes i heshtur i Fjalës së
All-llahut, prej atyre, që asnjëherë nuk
dimë se ka kërkuar lëvdata a
falënderime. Ishte modeli i njeriut
asket e sakrifikues në rrugën e besimit
dhe Fjalës së Zotit”- tha Myftiu.
Njëkohësisht, në talkinën e mbajtur nga
H. Fejzi Zaganjori, imami i xhamisë së
Rusit, shprehu nderimet dhe mirënjohjen
e tij për këtë njeri të urtë dhe mësues
të respektuar, që ka pasur një kontribut
të shquar, sidomos me xhematin e xhamisë
së Rusit, ku ka mësuar me dhjetëra
nxënës, me një vullnet të pashembullt.
Më herët, H. Shukri Kapllan dhe imamët e
pranishëm lexuan një “Jasin-i Sherif”
për shpirtin e tij, si dhe bënë lutje që
All-llahu ta pranojë në mëshirën e Tij
dhe ta shpërblejë për shembullin dhe
përkushtimin e tij në këtë botë.