Konferenca mbi etikën islame
të bashkëjetesës ndërfetare
02 maj 2015
Pasditen e së
shtunës, më 2 maj 2015, Myftinia Shkodër
në bashkëpunim me zyrën e Atasheut për
Çështjet Fetare në Ambasadën e Turqisë,
organizuan në sallën e konferencave të
Medresesë "Haxhi Sheh Shamia",
konferencën me temë: "Pejgamberi
Muhammed (a.s) dhe etika e bashkëjetesës
ndërfetare".
Fillimisht, të pranishmit patën mundësi
të ndiqnin një film të shkurtër të
përgatitur nga Dijanieti i Turqisë, në
lidhje me vlerat e bashkëjetesës
në mesin e njerëzve, në diversitetin e
tyre fetar, kulturor e përtej tyre.
Konferenca u përshëndet nga Myftiu i
Zonës Shkodër Imam Muhamed Sytari, që u
ndal në tre momente historike, që
pasqyrojnë më së miri qëndrimin e
Islamit dhe muslimanëve në raport me
jomuslimanët; pritjen që Resulull-llahu
(a.s) i bëri delegacionit të krishterë
të Nexhranit, qëndrimin e Hz. Omerit
(r.a) ndaj peshkopit të Kudsit, kur ky i
fundit i propozoi të falej në kishë dhe
deklaratën e mrekullueshme të Sulltan
Mehmet Fatihut, që i garantoi të drejta
të plota të krishterëve dhe objekteve të
tyre të kultit.
Myftiu falënderoi prezencën e
ambasadorit të Turqisë, z. Hidayet
Bayraktar, koordinatorit të TIKA-s,
prof. dr. Birol Çetin, si dhe
koordinimin e atasheut z. Shaban Ishlek.
Përshëndeti edhe ambasadori i Turqisë në
vendin tonë, z. Hidayet Bayraktar, që
theksoi se këto tubime kanë një vlerë të
madhe, ku pasqyrohet më së miri vlera
dhe humanizmi i mësimeve të Islamit, në
ruajtjen e harmonisë dhe vlerave më të
mira të bashkëjetesës për njerëzimin.
I ftuar special i kësaj konference ishte
studiuesi turk, prof. dr. Hysejn Yilmaz.
Në kumtesën e tij, ai hodhi dritë mbi
bazat e besimit dhe lidhjet e tij me
marrëdhëniet e njeriut me tjetrin në
jetë.
Prof. Yilmaz theksoi se Islami qëndron
në një nivel të lartë, në përballjen e
tij me diversitetin fetar dhe respektin
ndaj njeriut, si krijesa më e përsosur e
Zotit.
Në fund, përshëndeti edhe atasheu z.
Shaban Ishlek, që shprehu falënderimet
dhe mirënjohjen e tij për këtë organizim
dhe bashkëpunimin me Myftininë e
Shkodrës.