Malësia e Madhe, inaugurohet xhamia në Kullaj
30 pril 2015
Ditën e enjte, më 30
prill 2015, Myftinia e Malësisë së Madhe
ka organizuar ceremoninë e inaugurimit
të xhamisë më të re në zonën e Shkodrës,
atë në fshatin Kullaj (Gruemirë).
Ceremonia nisi me këndimin e një pjese
kur’anore, pas së cilës teologu Agim
Elezi bëri një pasqyrë të historisë së
fillimit të punimeve dhe kontribuuesit e
kësaj xhamie, që u ndërtua nën
mbikëqyrjen e Myftinisë së Malësisë së
Madhe.
Më pas, në fjalën e tij përshëndetëse,
Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir
Smajlaj, falënderoi të pranishmit për
pjesëmarrjen në këtë ditë të gëzueshme,
si dhe bëri thirrje që xhamia e re të
frekuentohet me po atë zell, me të cilin
u ndërtua dhe u plotësua, me mirësitë e
Zotit.
Myftiu theksoi se xhamia nuk prodhon
terrorizëm, as e nxit atë, përkundrazi,
ajo është djep i besimit dhe i
harmonisë, vendi ku brezat edukohen me
moralin e bukur të fesë dhe ndjenjat më
të larta të saj.
Ceremoninë e përshëndeti edhe Myftiu i
Zonës Shkodër, Imam Muhamed Sytari, i
cili theksoi se ndërtimi i kësaj xhamie
në këtë tokë, është shenjë hyjnore për
dashurinë që Zoti ka për këta njerëz dhe
tregues i vullnetit të Tij që feja
islame të lulëzojë në tokën dhe vendin
tonë.
I pranishëm në këtë ditë feste ishte
edhe thirrësi islam me banim në ShBA, z.
Burhan Fili. Në fjalën e tij, ai shprehu
gëzimin dhe emocionet për këtë ditë të
begatë dhe vuri theksin te madhështia e
mesazhit islam. “Çdo gjë në këtë botë e
ka një datë skadimi, vetëm Islami nuk ka
skadencë”, tha ai, duke tërhequr
vëmendjen e të pranishëmve drejt
investimit në jetë në shërbim të fesë
dhe vlerave të saj.
Në shoqërimin e tekbireve u bë edhe
prerja e shiritit të inaugurimit dhe u
bë falja e parë e namazit të mesditës me
xhemat në xhaminë e re.