Thonin: “Gënjeshtra e prish agjërimin!”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Krijuesit Fuqiplotë, Zotit të Vetëm të botrave, Atij që është i Vetëm dhe i Pashoq, që nuk ka lindur prej kujt as ka lindur kush prej Tij, i Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “E kush mund të jetë më i vërtetë në thënie, se All-llahu?”[1]
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë xhuma të parë të muajit të begatë Rexheb 1436, zotërisë tonë, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte se: “Kur njeriu gënjen, meleku largohet prej tij një milje, nga fëlliqësia e veprës së tij”[2]
 
Të nderuar vëllezër besimtarë,

Duke lexuar në librin e mendimtarit të shquar islam, Shejkh Muhammed El-Gazali, “Morali i muslimanit”, më tërhoqi vëmendjen konstatimi i mëposhtëm, ku thotë se: “All-llahu krijoi qiejt dhe tokën me të vërtetën, poashtu kërkoi nga njerëzit që jetën e tyre ta ndërtojnë mbi të vërtetën, duke mos thënë vetëm se të vërtetën e duke mos punuar vetëm se të vërtetën. Ndërsa dilemat e njerëzimit dhe dëshpërimi i tyre e kanë burimin tek neglizhenca e tyre ndaj këtij parimi të qartë dhe tek mbizotërimi i gënjeshtrave dhe iluzioneve në veten dhe mendimet e tyre…”[3]
           
Realitetet tona të përditshme po na vërtetojnë përherë e më shumë përhapjen e gënjeshtrës, paragjykimit, iluzionit, korrupsionit e mashtrimit në jetën e përditshme të shoqërisë tonë. Natyrshëm, detyra e jonë si besimtarë është të mos devijojmë asnjë moment dhe për asnjë shkak nga e vërteta dhe sinqeriteti, pasi sikurse kanë thënë: “Kush nuk e kryen farzin e përhershëm, nuk i pranohet farzi i përkohshëm! Pyetën: Cili është farzi i përhershëm? Tha: E vërteta!”[4]
           
Prandaj, nuk duhet të habitemi sesi Islami është interesuar që muslimani të jetë i vëmendshëm në edukimin e fëmijës së tij; të mos e gënjejë atë, qoftë edhe për një lojë, por në mënyrë të vazhdueshme ta ruajë fëmijën nga hilet, mashtrimi e gënjeshtra, duke u bërë shembull për të në jetën e përditshme.
           
Transmetohet se Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Kush i thotë një fëmije të vogël: “Eja të të jap”, dhe nuk i jep diçka, do t’i shkruhet gënjeshtër!”[5] Ndërsa Imam Sem’ani ka transmetuar nga Abdull-llahu (r.a), që thoshte: “Ruajuni nga gënjeshtra, pasi gënjeshtra nuk vlen, as në seriozitet as në lojë!”[6]
           
Ndodh shpesh në marrëdhëniet tona në jetën e përditshme, kur tregtarë të ndryshëm gënjejnë kur shesin mallin e tyre, nuk thonë të vërtetën kur pyesim rreth tij, për pak të holla më shumë a për një fitim, që nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë i begatë dhe i rrethuar me mirësinë e Zotit!? Ndërkohë, All-llahu i Madhëruar urdhëron në Kur’an: “Të mjerët ata që mangu masin e peshojnë”[7]
           
Ndodh shpesh, që dikush premton të na kryejë një punë për një afat të caktuar, që lidhet ngusht me oraret tona, me planifikimin tonë, me lidhjet që kemi me të tjerë, por që nuk e mban fjalën, e tejkalon orarin, nuk e kryen punën e kërkuar dhe nuk ndjen asnjë shqetësim për këtë!? Ndërkohë, Resulull-llahu (a.s) thotë se: “Nuk ka besuar në All-llahun dhe në jetën e përtejme, ai që kur flet, gënjen!”[8]
           
Ndodh shpesh, që nxënësi shkon në shkollë i papërgatitur dhe kur pyetet për shkakun e mospërgatitjes, gënjen, me shpresën se mos shpëton nga nota negative. Mirëpo, kjo nuk duhet të ndodhë, sepse gënjeshtra nuk ka qenë as mund të jetë kurrë zgjidhje e bekuar! Ebu Bekri (r.a) thoshte: “Ruajuni nga gënjeshtra, sepse gënjeshtra rivalizon besimin”[9]
           
Ndodh shpesh, që dikush mundohet dhe vrapon pa pushim të ndërtojë jetën e tij mbi gënjeshtrat, mbi mashtrimin, mbi shfrytëzimin e të tjerëve, që në Islam është e ndaluar kategorikisht. A nuk kemi ne shqiptarët, shembullin e para vitit 1997, kur piramidat e kobshme, gënjyen dhe mashtruan një popull të tërë, të hutuar e të dhënë pas kësaj bote, si të babëzitur e të dalë nga izolimi?! Dhe cilat ishin pasojat e kësaj gënjeshtre dhe mashtrimi masiv? Shkatërrimi, prishja e pasurive publike, dëmtimi i vlerave dhe interesit kombëtar, humbje në jetë dhe në pasuri, dëmtime të shumta pafund!? Ndërkohë, Hz. Omeri (r.a) thoshte: “Më i dashuri nga ju për ne, kur nuk ju shohim, është ai që e ka emrin më të bukur. E kur të shihemi, më i dashuri nga ju për ne, është ai që ka moralin më të bukur. E kur t’ju përzgjedhim, më i dashuri nga ju për ne është ai që thotë të vërtetën dhe ai që ruan amanetin!”[10]
           
Ndodh e ndodh…, por muslimani duhet të jetë i kujdesshëm e nuk duhet të bjerë në nivelin e fëlliqësisë dhe degradimit, me justifikimin se “gënjeshtra është modë”, se “të gjithë gënjejnë nga pak”, se “po nuk mashtrove, të mashtrojnë” etj!? Jo, vëllezër! Muslimani e ka lidhjen e tij me Zotin, e ka të shtruar jetën në drejtim të fitimit të kënaqësisë së Tij, jo përshtatjes me të keqen për të mbijetuar në këtë botë, prej të cilës do të largohet një ditë, i vetëm dhe nevojtar i sinqeritetit, të vërtetës dhe veprave të pranuara nga Ai, para duarve të Cilit do të jetë llogaria e madhe!
           
Përherë e më shumë, secili prej nesh ka nevojë të ulet me veten e tij, të llogarisë mendimet e tij, fjalët e thëna, premtimet dhe sjelljen me njerëzit. Sepse sot, më shumë se kurrë, teksa Islami po sulmohet në çdo cep të botës, e islamofobia ka nxjerrë kthetrat e saj dhe nuk pyet më për asgjë, teksa muslimanët po persekutohen gjithandej dhe bota hesht, ne duhet ta dëshmojmë Islamin tonë me sjelljen tonë, me sinqeritetin tonë, me veprat tona, pa ndrojtje, pa frikë, plot krenari legjitime! Sepse, “po të mos jetë sinqeriteti dhe e vërteta, do të ngrihej besueshmëria e njerëzve në njëri-tjetrin dhe nuk do të mbërrinte dot asgjë nga të vërtetat, në shkencë dhe në fé”[11]
           
Të nderuar vëllezër,

Mjafton nder dhe krenari për të gjithë ata që e kanë shtruar jetën e tyre në rrugën e të vërtetës dhe janë distancuar nga gënjeshtra, mashtrimi, hilet e paragjykimi, që All-llahu i Madhëruar ka urdhëruar në Kur’anin Famëlartë: “O ju që besuat! Druajuni All-llahut dhe të jeni me të sinqertët”[12]
           
Tashmë që kemi hyrë edhe në atmosferën e Tre Muajve të mirë, le të përfitojmë nga koha për të ndrequr e sistemuar zemrën, mendjen e gjuhën; nga hutimi, harresa, gjynahi e rrëshqitja. Sepse dyert e pendesës dhe faljes janë hapur dhe, shpresa në pranimin nga All-llahu Mëshirëplotë, është e madhe!
           
Më lejoni t’ju kujtoj ju dhe vetes time shprehjen e një të urti, nga shekujt e shkuar, që thoshte: “Kapuni pas të vërtetës dhe sinqeritetit, edhe nëse shihni në të shkatërrimin, pasi në të është shpëtimi! Dhe largohuni nga gënjeshtra, edhe nëse shihni në të shpëtimin, pasi në të është shkatërrimi”[13]
           
Kaq të madhe dhe të rrezikshme e shihnin të parët tanë gënjeshtrën, saqë Ibn Ebid-Dunja transmeton se: [Thonin: “Gënjeshtra e prish agjërimin!”][14]
           
Në përfundim, le të na shoqërojë përherë në jetë, porosia e dashur e të dërguarit të All-llahut, Hz. Muhammedit (a.s), që thoshte: “Kur të flisni, mos gënjeni! Kur t’ju lihet një amanet, mos tradhtoni!”[15]

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit Oblikë)
Shkodër, më 24 prill 2015


[1] Kur’ani, En-Nisa: 87.
[2] Transmetuar nga Tirmidhiu.
[3] Muhammed El-Gazali, “Khulukul-muslim”, botimi i 11-të, Damask, 1994, f. 35.
[4] Ebul-Kasim Abdulkerim El-Kushejri, “Er-Risaletul-Kushejrijje”, botimi i tretë, Bejrut-Damask, 1997, f. 214.
[5] Transmetuar nga Imam Ahmedi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[6] Muhammed Nur Suvejd, “Menhexhut-terbijetin-nebevijje lit-tifl”, botimi i 7-të, Damask, 1997, f. 173.
[7] Kur’ani, El-Mutaffifin: 1.
[8] Transmetuar nga Ibn Edi-Dunja, Imam Sujuti dhe Zubejdi, nga Ebu Derda (r.a).
[9] Transmetuar nga Imam Ahmedi dhe Bejhakiu.
[10] Ibn Ebid-Dunja, “Dhemul-kedhib ve ehlihi”, Damask-Bejrut, 1993, f. 21-22.
[11] Ahmed Said Ed-Dixhevi, “Itmam fethul-Khal-lak fi mekarimil-akhlak”, botimi i parë, Damask, 1996, f. 29.
[12] Kur’ani, Et-Teube: 119.
[13] Ahmed Said Ed-Dixhevi, vep., e cit., f. 32.
[14] Ibn Ebid-Dunja, vep., e cit., f. 25.
[15] Transmetuar nga Bejhakiu dhe Hakimi, nga Enes ibn Malik (r.a).

 


Thonin: “Gënjeshtra e prish agjërimin!”
Thonin: “Gënjeshtra e prish agjërimin!”
Thonin: “Gënjeshtra e prish agjërimin!”
Thonin: “Gënjeshtra e prish agjërimin!”
Thonin: “Gënjeshtra e prish agjërimin!”