Hidhen themelet për xhaminë e re në Mjedë
16 pril 2015
Paraditën e së
enjtes, më 16 prill 2015, nisën punimet
për hedhjen e themeleve të xhamisë së re
në fshatin Mjedë, bashkia Vau Dejës. Në
fjalën e tij të rastit Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari,
falënderoi Zotin e Madhëruar që mundësoi
realizimin e kushteve për nisjen e
punimeve për xhaminë e re në fshatin
Mjedë. Ai përmendi me shumë respekt
shembullin bamirës të plakut të mirë,
rahmetliut z. Ragip Rrema (Hasmegaj), që
dhuroi tokën për ndërtimin e xhamisë,
për të cilin kërkoi që të lexohet një
“Fatiha”, në shenjë nderimi.
Njëkohësisht, Myftiu vlerësoi
bashkëpunimin e Myftinisë Shkodër me
Fondacionin “Mirësia”, në drejtim të
realizimit të këtij projekti të bukur e
të munguar në fshatin Mjedë, sikurse
uroi mbarësi dhe suksese për grupin e
punës, që do të nisë punimet në mënyrë
intensive.
Në fjalën e tij, Myftiu kërkoi që
besimtarët të dëshmojnë besimin e tyre
dhe të mos ndikohen nga propaganda e
kohës në dëm të Islamit dhe vlerave të
tij universale. Nga ana e tij, drejtori
i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja,
falënderoi të pranishmit për
pjesëmarrjen dhe përmendi se fondi për
realizimin e këtij projekti është
dhuruar nga një zonjë e moshuar
besimtare nga Kuvajti, që dëshironte
ndërtimin e një xhamie në Shqipëri.
Ceremonia u përshëndet edhe nga imami i
Mjedës, z. Asllan Babaj, si dhe u bë
duaja e rastit nga H. Fejzi Zaganjori,
imam i xhamisë Rus.
Në shoqërinë e tekbireve nga të
pranishmit, Myftiu hodhi gurin e parë të
themelit, shoqëruar edhe nga familjarët
e dhuruesit të tokës, drejtori i
Fondacionit “Mirësia” dhe imamët e
pranishëm.