Këshilli i Myftinisë Shkodër,
diskutime rreth 25 vjetorit

Ditën e martë, më 14 prill 2015, u zhvillua mbledhja e radhës e këshillit të Myftinisë Shkodër. Në qendër të vëmendjes ishte angazhimi për përkujtimin sa më dinjitoz të 25 vjetorit të rihapjes së xhamisë së parë, pas 23 viteve dhunë ndaj fesë dhe besimitarëve, nga një sistem ateist imoral, që sundoi Shqipërinë, në dëm të Islamit dhe muslimanëve.
           
Në pasqyrën e bërë para këshilltarëve, Myftiu spikati aktivitetet kryesore që janë planifikuar të bëhen dhe të realizohen në këtë vit jubilar, duke theksuar krijimin e një grupi këshillimor, që merret me këto projekte.
           
U diskutua edhe mbi xhaminë e kalasë, ku Myftiu deklaroi se keqcitimi i tij rreth kësaj teme, në një shkrim të bërë për një të përditshme, nga një gazetare e Shkodrës, para dy ditëve, është i refuzuar publikisht prej tij dhe as që afrohet me qëndrimin e prerë të Myftinisë Shkodër mbi të drejtën absolute që ajo ka ndaj xhamisë së kalasë, si vakëf i shenjtë e historik. Ai theksoi se në mënyrë kategorike, as kisha katolike, as ajo ortodokse, nuk kanë asnjë të drejtë të kërkojnë zhvillime ritualesh në atë vend të shenjtë për ne.
           
Një pikë e këtij takimi ishte edhe raporti i kryeredaktorit të gazetës “Udha Islame”, z. Lavdrim Hamja, i cili shpalosi planin e tij për gjallërimin e mëtejshëm të këtij botimi periodik të Myftinisë Shkodër, që hyn në vitin e tij të 13-të botimit. Ai theksoi se janë marrë disa masa në drejtim të përmirësimit të prezantimit të gazetës, sikurse po bëhen përpjekje për rritjen e cilësisë së saj në disa drejtime, që u pasqyruan në këtë mbledhje të radhës.
           
U lajmërua edhe zhvillimi i aktivitetit të përvitshëm, që Komunitetit Mysliman i Shqipërisë zhvillon të shtunën, më 25 prill, ora: 11.00, në Pallatin e Kongreseve, në përkujtim të vlerave të dërgesës profetike të Hz. Muhammedit (a.s).
           
Njëkohësisht u miratua edhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Këshillin e Bashkësisë Islame të Ulqinit, i planifikuar prej vitesh nga Myftinia Shkodër dhe i miratuar në parim edhe nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Ulqinit.

 


Këshilli i Myftinisë Shkodër, diskutime rreth 25 vjetorit
Këshilli i Myftinisë Shkodër, diskutime rreth 25 vjetorit
Këshilli i Myftinisë Shkodër, diskutime rreth 25 vjetorit