“O Ahmed, ja ku është xhenneti, hyr në të!”
10 pril 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut të
Madhëruar, Krijuesit Fuqiplotë, i Cili
urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “E kur
robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam
afër, i përgjigjem lutjes, kur lutësi më
lutet…”[1]
Salavatet dhe përshëndetjet më të
përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë
dhe në çdo ditë të kësaj jete,
Resulull-llahut (a.s), zotërisë tonë,
Hz, Muhammedit (a.s), i cili thoshte se:
“Duaja është ajka e adhurimit”[2]
Të nderuar vëllezër
besimtarë,
Literatura islame e të gjitha kohërave
është e mbushur me shembuj të gjallë,
sesi lutja dhe përgjërimi, meditimet dhe
përshpirtjet e ndryshme, kanë dëshmuar
sesa e mrekullueshme është lidhja e
njeriut me All-llahun dhe sesi dorëzimi
i njeriut para duarve të Krijuesit,
dhuron balsam shërimi për çdo brengë në
jetë.
Ditët e njeriut të sotëm, përherë e më
tepër, po mbushen me prekje të thata të
një materializmi pa jetë, që vetëm e
tërheq njeriun për ta zhveshur nga
sekretet e shumta, me të cilat Zoti e ka
zbukuruar qënien tonë si krijesat e Tij
më të përsosura, duke lënë përherë një
derë të pambyllur dhe një dritare të
hapur, atë të lutjes, nëpërmjet të cilës
e kemi përherë mundësinë e kthimit dhe
reflektimit në jetë.
Sa i ngratë është ai që nuk lutet. Sa
shumë padrejtësi i bën vetes kushdo që i
privon asaj ëmbëlsinë e lutjes dhe
begatitë e dorëzimit para duarve të
Atij, që i ka dhënë jetë, që e ka në
dorë dhe që në orbitën e kaderit të Tij
sillet, shpesh edhe mohues e
arrogant..!?
Ndërkohë, Zoti i botrave i drejtohet
njeriut duke thënë: “A është Ai që i
përgjigjet nevojtarit (atij që ka hall)
kur ai e thërret, duke ia larguar të
keqen e juve ju bën mbizotërues të
tokës. A ka zot tjetër pos All-llahut?
Jo, por ju shumë pak përkujtoni”[3]
Ndërsa Resulull-llahu (a.s), lutej
pambarimisht, shpesh edhe duke u larguar
nga kënaqësitë e kësaj bote, i drejtuar
me kokën në sexhde, në ruku a me
këndimet dhe lutjet e gjata në këmbë, në
kërkim të balsamit shpirtëror e
kënaqësisë së All-llahut në jetën e tij.
Sahabiu i nderuar Abdull-llah
ibnush-Shikhir (r.a) tregon se një herë:
“Erdha ta takoj Resulull-llahun (a.s)
dhe e gjeta duke u falur, nga gjoksi i
tij dëgjohej një zhurmë si uji që vlon
në kazan”[4]
Ibnul-Ethiri në “Xhamiul-usul” shpjegon
se: “Kjo nënkupton frikën e
Resulull-llahut gjatë namazit, që
shkaktonte këtë zhurmë”[5]
Vëllezër besimtarë,
Secili prej nesh ka nevojë të kthehet me
sinqeritet dhe përulësi nga Zoti
nëpërmjet rrugëve të lutjes, ajo është
derë garante, që asnjëherë nuk mbyllet,
jo vetëm për besimtarin, por për krejt
krijesat e Zotit. Ai është Zot
Mëshirues, Falës, Pranues i pendimit,
Mëshirëplotë!
All-llahu i Madhëruar thotë në Kur’an:
[“Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua,
Unë ju përgjigjem…”][6],
që do të thotë se krejt ne jemi të ftuar
të përfitojmë nga çdo moment i jetës për
t’u lutur, sepse nuk i dihet jetës dhe
nuk i dihet momentit të lutjes.
Transmetohet se sahabiu i nderuar Habib
ibn Mesleme (r.a) u caktua udhëheqës i
një ushtrie dhe kur po afrohej beteja, u
tha ushtarëve: E kam dëgjuar
Resulull-llahun (a.s) që thoshte: “Sa
herë që një popull mblidhen dhe dikush
prej tyre lutet dhe të tjerët bëjnë
“Amin”, All-llahu do ju përgjigjet!”
Pastaj, e falënderoi All-llahun, e
lavdëroi Atë dhe u lut: “All-llahumme
ruaje gjakun tonë dhe na jep shpërblimin
e shehidëve!” E, teksa ndodhej në këtë
gjendje lutjeje, komandanti i armikut u
afrua pranë tyre, hyri në çadrën e
Habibit (r.a) dhe u dorëzua pa luftë…[7]
T
ransmetohet nga Muhammed ibni Khuzejme
se ka thënë: “Kur vdiq Ahmed ibn
Hanbeli, unë isha në Aleksandri
(Egjipt), u mërzita shumë. Atë natë e
pashë Ahmed ibni Hanbelin në ëndërr,
teksa ecte duke u krekosur. I Thashë: O
Ebu Abdull-llah, çfarë është kjo ecje?
Tha: Ecja e shërbëtorëve në Vendin e
Paqes (në xhennet)! I thashë: Çfarë bëri
All-llahu me ty? Tha: Më fali, më dha
një kurorë, dy shapka të arta dhe më
tha: “O Ahmed, ky është shpërblimi për
thënien tënde se Kur’ani është Fjala
Ime” Pastaj tha: “M’u lut, o Ahmed, me
ato lutje që të kanë mbërritur nga
Sufjan Theuriu, me të cilat më luteshe
sa ishe në dunja!” Unë thashë: “O Zot i
çdo gjëje, me madhninë Tënde ndaj çdo
gjëje, më fal mua çdo gjë dhe mos më
pyet për asgjë” Më tha: “O Ahmed, ja ku
është xhenneti, hyr në të!” dhe unë
hyra”[8]
Të nderuar vëllezër,
Ajo që dua nëpërmjet kësaj hytbeje,
është të tërheq vëmendjen time dhe
tuajën, për t’u kthyer nga Zoti dhe për
të mos e bërë lutjen, temë të huaj në
jetën tonë të përditshme.
Të gjithë ne kemi halle, shqetësime, na
bëhet padrejtësi, na shkelen të drejtat,
sulmohemi nga çdo cep. Muslimanët sot në
botë kalojnë ditë të vështira, vriten,
dhunohen, tallen e nënçmohen, por,
asnjëherë nuk duhet me e mbyll derën e
lutjes. Sepse siç kanë thënë: “Duaja
është gjuha e mallit për të Dashurin”[9],
e para duarve të Dashurit më të madh në
jetë, zemra duhet dorëzuar e gjuha duhet
të përkthejë brengat e zemrës, me bindje
se duaja nuk ngelet pa përgjigje.
Ndërkohë, në hadithin kudsij,
transmetohet se Resulull-llahu (a.s) ka
thënë: “Kur kalon një e treta e parë e
natës, All-llahu zbret në qiellin e
kësaj bote dhe thotë: “A është dikush që
kërkon falje? A ka ndonjë të penduar? A
është dikush që kërkon diçka? A ka
ndonjë që lutet?”, derisa të dalë agimi”[10]
Prandaj, ta shfrytëzojmë kohën dhe të
mos neglizhojmë ndaj kësaj mirësie të
madhe që na është dhënë, të lutemi dhe
të kërkojmë nga Zoti ynë, që sheh dhe
dëgjon, që njeh të fshehtat e zemrave
dhe lëvizjet e krijesave. Ai i ka zemrat
në dorë, i ndryshon si të dojë.
Në fund, më lejoni të sjell në vëmendjen
tuaj një lutje të sinqertë zemre,
përkthyer në një letër, shkruar nga një
zonjë damaskene. Duaja e saj titullohet:
“Letër drejtuar Atij që dua”.
Shkruan dhe lutet njëkohësisht: “Për Ty
jetoj. Me Emrin Tënd rrugëtoj. Nga
frymëzimi Yt marr lapsin në dorë. Nëse
Ti largohesh prej meje, kazmat e jetës
do të bien mbi mua. Gjaku do më ngrihet
në damarë. Burimet e jetës do të thahen
në trupin tim. Lapsi do më bjerë nga
dora, letra të bardha do trashëgojë… O
Zotëria im! Më ndihmo me përkrahjen
Tënde hyjnore, zemrën t’ma ndriçojë, nga
krahët të më heqë pluhurin e viteve. O
më i dashuri i Dashur, që gjuha ime ka
lutur.., më jep jetë, misionin tim ta
përfundoj… Sepse unë nuk u dashurova pas
kësaj jete, vetëm se për hir të
Dashurisë. As e deshta vdekjen, vetëm se
për të ruajtur Lidhjen! Ti je i Dashuri,
kur i dashuri shkon…. Drita Jote
mbuloftë mbarë gjithësinë!”[11]
Imam Muhamed B.
Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e lagjes
Zogaj)
Shkodër, më 10 prill 2015
[1] Kur’ani,
El-Bekare: 186.
[2] Transmetuar
nga Tirmidhiu, nga Enes ibn Malik (r.a).
[3] Kur’ani,
En-Neml: 62.
[4] Transmetohet
nga Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn
Khuzejme, Ibn Hibbani etj.
[5] El-Kadi
Ijad, “Esh-Shifa”, botimi i parë,
Damask-Bejrut, 2000, f. 190-191.
[6] Kur’ani,
Gafir: 60.
[7] Nedhir
Mektebi, “Safahatun mushrikatun min
hajatis-sabikine”, botimi i tretë,
Bejrut, 1996, f. 59-60.
[8] Ebul-Kasim
Abdulkerim El-Kushejri,
“Er-Risaletul-Kushejrijje”, botimi i
tretë, Bejrut-Damask, 1997, f. 269.
[9] Ebul-Kasim
Abdulkerim El-Kushejri, vep. e cit., f.
270.
[10]
Transmetuar nga Muslimi dhe Ahmedi, nga
Ebu Saidi dhe Ebu Hurejra (r.anhuma). Të
shihet: Ebu Abdurrahman Kemal ibn
Besjuni El-Ebjani El-Misri, “Mu’xhem
el-ehadith el-kudsijje”, botimi i parë,
Bejrut, 1993, f. 81.
[11] Me
përshtatje, nga: Melek El-Hafidh,
“Reejtull-Llah”, botimi i parë, Damask,
1994, f. 80-82.