Mirësia e një shkencëtareje…
04 pril 2015
-mbresa-
Me datën 02.04.2015, mua dhe gruas sime
Pitit, na erdhi një zarf nga Myftinia
Shkodër. Për një çast, mendova se sot
është Dita ndërkombëtare e librit për
fëmijë, por është edhe Dita e autizmit.
Hapa zarfin. Ishte një ftesë, e
dizajnuar bukur e plot fantazi,
bashkëkohore e vizionare, por edhe
lakmitare. Në të shkruhej: “Myftinia
Shkodër ka kënaqësinë t’ju ftojë të
merrni pjesë në ceremoninë e dhënies së
titullit: “Mirënjohja e Qytetit”,
studiueses së afirmuar të mjekësisë
bërthamore Dr. Egesta Lopçi, akorduar
nga Këshilli i Bashkisë Shkodër.”
… dhe ajo ditë e shumëpritur e datës
04., erdhi. Erdhi dhe ora 11.00. Mes
pjesëmarrësve nuk ishte e vështirë të
dalloje Dr. Egestën. “E thjeshtë gjer në
madhështi” – m’u kujtua njëherësh një
varg brilant e me hapësirë universale i
shkrimtarit tonë të shquar Ismail
Kadare.
Vështrimi i saj nazik, në heshtje, me
një shpirtësi e sofër bujarie sikur
rrokte e përqafonte të pranishmit e më
gjerë. Patjetër që rrokte e përqafonte
qytetin e vendlindjes, Shkodrën e
fëmijërisë, Shkodrën e ëndrrave rinore.
Mbase ajo nuk e mendonte se dhjetra sy
ndiqnin me admirim e mirënjohje…
Vështrimi saj sikur nuk ngopej… Kudo ku
ndaleshin ato sy, sikur shihte një
gjurmë, një kujtim, një lule Shkodre,
një ëndërrim…
Mbase ajo nuk e mendonte se dhjetra sy e
ndiqnin me dashuri e fjalë zemre…
Vështrim i saj… diç i kujtonte… Mbase e
thonin ato që e ndiqnin papushim: “Ajo
iku si një dallëndyshe, për t’i ardhur
qytetit të saj: një shkencëtare.”
Vështrimi i saj… Vështrimi i të
pranishmëve… Hapësira malli, hapësira
lotësh… Dhe pas krahëve të saj, si një
mozaik i bukur qëndronin tufa e tufa
lulesh… E qyteti i saj i lindjes, i
përmendur për lule, doemos me lule do ta
priste… Ndaj dhe vështrimi i saj ka
ngjyrën e lules, ka krahët e ëndrrës…
Dhe… tani… kur qetësia ka vendosur
perandorinë e saj, ashtu e thjeshtë, me
hap të ngadaltë si një fëshfërimë
gjelbërimi, Dr. Egesta drejtohet tek
foltorja, ku dhe i dorëzohet titulli:
Mirënjohja e Qytetit”.
Fjalën e ka Ajo…, që pas 15 vjetësh
kthehet në vendlindje. Kësaj here e ka
thirrë Vendlindja përmes propozimit të
Myftinisë.
E ka fjalën Ajo… Me një shqipe për t’u
admiruar, që nuk e ka tronditur trysnia
e kulturës italiane; Dr. Egesta, si një
bletë e mirë dhe punëtore që përzgjedh
lulet, edhe ajo përzgjedh fjalët
më të bukura të shqipes për t’i thënë e
për t’i shprehur... Teksa flet ajo,
ngjan sikur rrjedh një ujvarë që shpalos
mahnitshëm një ylber shumëngjyrësh e
mahnitës. Leksiku i saj është i pasur, i
qartë në artikulim. Çdo fjalë i del nga
shpirti. Nuk e ke vështirë të kuptosh,
se era e mallit e Vendlindjes fryn
pandërprerë dhe i përkëdhel fjalët e
saj, zgjedhur enkas për këtë Ditë të
shënuar e të paharruar. Jo, ç’them! –
Fjala e bukur shqipe dhe Vendlindja kanë
ndërtuar ‘folezën’ në zemrën e saj,
rrahin me të dhe nuk mund të
tjetërsohen. Çdo fjalë e saj ngjan si
një gur i çmueshëm dhe ka një mision
jetik.
Flet Dr. Egesta… Shoh tek ndonjë
pjesëmarrës edhe ndonjë pikë loti në
faqe, që del si pakuptuar… Edhe ai
rrjedh në heshtjen e vet, për të mos
trazuar solemnitetin e këtij momenti
mrekullidhënës.
(Nuk e di pse m’u kujtua shkolla, ku
Egesta mësoi dhe doli me ‘Medalje të
Artë’. E, shkolla në personalitetin e
saj duhet të dijë se ku kanë fluturuar
‘zogjtë’ e saj lavdiplotë. E, së paku,
ajo shkollë duhej doemos të bënte takim
me ‘bijën’ e saj shkencëtare… Ose së
paku të fliste dikush nga shkolla në
ceremoninë e organizuar. Siç duket, edhe
shkolla, ashtu si Shkodra ime jeton në
përgjumjen e saj. E them se duhej të
fliste dikush, sepse arkiva duhet të mos
jetë e zbrazur dhe e pluhurosur, kur në
fakt me këtë ndodhi duhet të jetë
krenare.)
Dr. Egesta, ti motër e nderuar
myslimane! Ti sot jeton në një dhe të
huaj, evropian. Papushim pret biletën
dhe udhëton me trena modern. Pret në
aeroporte të huaja ardhjet e avionëve
për të udhëtuar drejt një shteti, ku ti,
në një konferencë shkencore, në një
takim kolegësh, në një mbledhje
redaksie, në një zbulim, në një triumf…,
do të flasësh për arritjet tuaja
shkencore në mjekësinë bërthamore… Unë e
di se në valixhen tënde të udhëtimit, si
përherë qëndron si një relike e
çmueshme: falendërim i përjetshëm
“Mirënjohja e Qytetit”, të Shkodërloces,
propozuar nga Myftinia Shkodër.
Unë e di se kjo Mirënjohje të rri në sy
e në shpirt, në labirintet e misionit
tënd e në vizionet planetare… Ashtu siç
të rri në shpirtin tënd dhe në
udhëdrejtimin hyjnor, jetësor e njerëzor
edhe ajo e Madhërishmja: Haxhi, 2010. E
more atë dritë jetëdhënëse në Mekën e
largët për ta shpërndarë me mirësitë e
tua, moj shkencëtarja jonë shkodrane,
Dr. Egesta Lopçi.
Xhahid
Bushati
Shkodër, 04.04.2015