“Mirënjohja e Qytetit”, studiueses
së Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi

Paraditen e sotme, më 4 prill 2015, Myftinia Shkodër organizoi ceremoninë e dhënies së titullit: “Mirënjohja e Qytetit”, studiueses shkodrane të Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi, akorduar nga Këshilli i Bashkisë Shkodër.
 
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë besimi dhe dije, ku ishin të pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Maxhid Cungu, Kryetari i Këshillit të Bashkisë, z. Bardhyl Lohja, si dhe intelektualë të shumtë të qytetit të Shkodrës, si dhe të ardhur nga Tirana në nderim të kësaj ceremonie.
 
Aktiviteti u hap me një falënderim të bërë nga Dr. Leart Bërdica, që shprehu mirënjohjen e tij për Këshillin e Bashkisë Shkodër, edhe në emër të grupit organizator. Ai theksoi se ceremonia e sotme është një vlerësim për intelektualët e Shkodrës, mjekët në veçanti dhe të gjithë ata që gjejnë tek besimi në Zotin e Madhëruar, një motiv më shumë për të përparuar në jetë, në rrugën e zënies së dijes dhe praktikimit të saj në dobi të njerëzimit.
 
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, theksoi se: “E vërteta është se realitetet e sotme të qytetit tonë, kanë përherë nevojë për momente të tilla fatlume, ku mirënjohja kthehet në kryefjalë. Vlera e kësaj mirënjohjeje peshon edhe më me shumë dinjitet e krenari, kur vendoset në duart e një njeriu, që është larguar që herët nga vendlindja e saj, ka kaluar muret e larta të lodhjes, mallit, sakrificës, paragjykimit dhe përballjes me vështirësitë e zënies së dijes, ku ka arritur maja të pashkelura më parë nga dikush tjetër.”
 
Më pas, me shumë emocion u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit: “Mirënjohja e Qytetit” për studiuesen e talentuar shkodrane, Dr. Egesta Lopçi, e cila, në fjalën e mbajtur para të pranishëmve, theksoi se ky titull është në të vërtetë një vlerësim i madh për të dhe një respekt nga vendlindja e dashur, të cilës i ka munguar prej 17 vitesh.
 
Dr. Egesta Lopçi falënderoi familjen, miqtë, Myftininë Shkodër dhe Këshillin e Bashkisë për këtë ceremoni dhe vlerësim që i bëhet personit të saj.
 
Më pas, mjekja e njohur, Jolanda Lopçi (nëna e Dr. Egesta Lopçi), nëpërmjet emocioneve dhe falënderimeve të shumta, tregoi për arritjet e studiueses së re shkodrane të mjekësisë bërthamore dhe vlerësimet e fituara prej saj në konferenca dhe takime ndërkombëtare, nga njëri cep i botës në tjetrin.
 
Znj. Lopçi theksoi se thirrja e besimit, të cilës iu dedikua e bija, që ditën e vendosjes së velit e deri më sot, ka qenë një motiv më shumë për të qenë përherë shembull i një muslimaneje të përkushtuar në jetë dhe një studiuese, që përherë ka arritur maksimumin e vlerësimeve, si në Universitetin e Bolonjës, ku është diplomuar me notë maksimale, si në konferencat shkencore ku ka prezantuar studime elitare në mënyrat e luftimit të kancereve të ndryshme nëpërmjet mjekësisë bërthamore, si në revistat e ndryshme shkencore të fushës, ku përtej dhjetra studimeve të botuara, është edhe pjesë e bordeve drejtuese. Ajo theksoi se një moment kulmor në jetën e Dr. Egesta Lopçi ishte edhe kryerja e haxhit në vitin 2010.
 
Pas ceremonisë, u organizuar një koktejl, ku të pranishmit uruan vajzën e re shkodrane për arritjet e saj në dije, shkencë e besim.
 
Dr. Egesta Lopçi jeton dhe punon në Itali.

 


“Mirënjohja e Qytetit”, studiueses së Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi
“Mirënjohja e Qytetit”, studiueses së Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi
“Mirënjohja e Qytetit”, studiueses së Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi
“Mirënjohja e Qytetit”, studiueses së Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi
“Mirënjohja e Qytetit”, studiueses së Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi
“Mirënjohja e Qytetit”, studiueses së Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi
“Mirënjohja e Qytetit”, studiueses së Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi
“Mirënjohja e Qytetit”, studiueses së Mjekësisë Bërthamore, Dr. Egesta Lopçi