“Silluni mirë me ta,
sepse ata kanë ndër ne besë dhe farefis!”
03 pril 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut
Fuqiplotë, i Cili nëpërmjet Fjalës së
Tij na udhëzoi drejt frymës së drojes së
Tij në jetë dhe respektimit të
marrëdhënieve farefisnore, kur tha: “Dhe
kinie frikë All-llahun që me emrin e Tij
përbetoheni dhe ruajeni farefisin
(akraballëkun)”[1]
Salavatet dhe përshëndetjet më të
përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë
dhe në çdo ditë të jetës, zotërisë tonë,
Hz. Muhammedit (a.s), i cili na mësoi
se: “Kush beson në All-llahun dhe në
jetën e përtejme, le të ruajë lidhjet
farefisnore”[2] dhe
se: “Nuk do të hyjë në xhennet ai që
shkëput lidhjet farefisnore”[3]
Të dashur vëllezër dhe motra
besimtarë,
Para disa ditësh, një i ri musliman, më
kërkoi t’i shpjegoj diçka rreth
marrëdhënieve farefisnore në Islam,
sepse, siç edhe më shkruante, ai kishte
një problem serioz me disa të afërm, që
mundoheshin t’i argumentonin se nuk ka
nevojë për hyrje-dalje, pa asnjë lloj
arsyetimi a problem paraprak. E keqja e
madhe ishte, se personat e tij të afërt,
justifikoheshin se ky distancim e ka
origjinën në arsyetime islame.
Shqetësimi i vëllaut tonë të nderuar më
shtyu të shkruaj dhe të flas rreth kësaj
teme, në kufijt e hytbes së xhumasë, me
qëllimin e mirë të tërheqjes së
vëmendjes së besimtarëve, se
marrëdhëniet farefisnore kanë një vend
të veçantë në jetën familjare e
shoqërore të muslimanit.
Nuk është e vërtetë se Islami nxit a
thërret drejt distancimit me të afërmit
dhe farefisin, përkundrazi. Ajetet e
shumta kur’anore dhe hadithet e sakta të
panumërta, janë argumenti më i mirë dhe
thirrja më e pastër drejt korrigjimit të
këtyre marrëdhënieve dhe forcimit të
tyre, në kuadër të harmonisë familjare
dhe shoqërore.
“Imam El-Ajni, në shpjegimin e tij të
haditheve të Imam Bukhariut, sqaron se
ruajtja e lidhjes farefisnore, nënkupton
bamirësinë ndaj të afërmve nga gjaku dhe
miqësia, butësinë ndaj tyre, marrjen me
të mirë, përkujdesjen ndaj gjendjes së
tyre, edhe kur ata largohen a sillen
keq. Ndërsa prishje e marrëdhënieve
farefisnore, është prishja e krejt sa u
përmend më lart.
Ndërsa Imam Neveviu thotë se vërtetësia
e lidhjes farefisnore është: butësia dhe
mëshira (ndaj tyre)”[4]
E, natyrshëm, perfeksionimi i ruajtjes
së kësaj fryme në marrëdhënie me
farefisin, buron nga gjendja e besimit
dhe niveli i tij në zemrën dhe jetën e
secilit prej nesh.
Të nderuar të pranishëm,
Në fenë tonë, “muslimani e ka për detyrë
të veprojë për respektimin e farefisit
të tij, forcimin e marrëdhënieve me ta,
edhe nëse ata e shkëpusin lidhjen, edhe
nëse i bëjnë keq. Ai duhet të veprojë,
që të dalë nga gjynahi i shkëputjes së
lidhjeve farefisnore dhe të fitojë
shpërblimin e lidhjes dhe afrimit. Sepse
forcimi i lidhjeve farefisnore është
prej mirësjelljes islame. Kulmi i kësaj
mirësjellje është: të kontaktosh atë që
të ka shkëputur, t’i japësh atij që të
ndalon dhe të falësh atë që të ka bërë
padrejtësi”[5]
Ne si muslimanë, duhet të forcojmë sa më
tepër në mes vete mësimet dhe traditat e
fesë tonë, jo të ndikohemi nga shembujt
e perëndimit, ku kryesisht, njeriu është
thjeshtë një krijesë materialiste,
egoiste, që kqyr punën e vet dhe përherë
e më tepër distancohet nga lidhjet
farefisnore. Në Islam, farefisi është
familje dhe familja ka shenjtëri tek ne!
Vetëm kur shqiptarët u larguan nga
Islami dhe mësimet e tij, ndër ta nisën
të dalin në pah shfaqje primitive, që
duhet të na shqetësojnë e të na bëjnë
përherë e më të vëmendshëm ndaj
humnerave, drejt së cilave po rrugëton
individi dhe shoqëria shqiptare.
Kohëve të fundit, përherë e më shumë po
dëgjojmë e lexojmë për krimin në
familje, për krimin në farefis e miqësi,
për shkaqe krejtësisht banale, për
interesa të ngushta materiale, që
gjithsesi kthehen te mungesa e edukimit
dhe disiplinës fetare në jetën e
individit.
Nga këtu, dua të pyes se kur ka qenë
hera e fundit, kur i ke dhënë selam
vëllait, motrës, axhës e djalit të
axhës, dajës e tezes, hallës e fëmijëve
të tyre? Kur ka qenë hera e fundit që i
ke dhënë dorën një të afërmi a je
interesuar për të, qoftë edhe me një
vizitë, një telefonatë, një sms, një
email, një mesazh në ibox, a të
ngjashme, sidomos sot, kur mjetet dhe
mundësitë e komunikimit janë të shumta
dhe të larmishme? Kur ke vizituar të
sëmurin e fundit prej tyre? Ndërkohë që
Resulull-llahu (a.s) thotë: “Të drejtat
e muslimanit ndaj muslimanit janë
gjashtë. E pyetën: Cilat janë këto të
drejta, o i dërguar i All-llahut? Tha:
Kur ta takosh, jepi selam (përshëndete),
kur të ftojë, përgjigju, kur të kërkojë
këshillë, këshilloje, kur të teshtitet e
ta falënderojë All-llahun, uroje, kur të
sëmuret, vizitoje, e kur të vdesë,
pasoje xhenazen e tij”[6]
Në shoqërinë shqiptare, ka akoma familje
e fise që kanë probleme të trashëguara
nga periudha e errët e komunizmit, ku
niveli i njerzillekut të disave ra aq
poshtë, sa harruan Zotin, besimin,
trashëgiminë familjare, genin e
virtyteve më të mira qytetare, gjakun e
fisin dhe nisën edhe spiunimet brenda
familjes, për interesa cinike të një
periudhe të çmendur.
Duhen thyer e shkrirë akujt, duhen falur
të penduarit, duhen ruajtur kufijtë e
Zotit në marrëdhëniet farefisnore e,
gjykimi përfundimtar le t’i lihet
Krijuesit në ditën e gjykimit!
Vëllezër dhe motra,
Në disa porosi të tij, Resulull-llahu
(a.s) ka tërhequr vëmendjen tonë se
ruajtja e marrëdhënieve farefisnore,
është shkak për fitimin e kënaqësisë së
All-llahut, shtimin dhe begatimin e
rizkut dhe mirësi të tjera pa fund.
Transmetohet se i Dashtuni i jonë (a.s)
ka thënë: “Ai që ka dëshirë të ketë
begati në rizk, begati në kohë e jetë,
le të ruajë lidhjet farefisnore”[7]
E kur një person e pyeti të dërguarin e
All-llahut që ta udhëzonte drejt një
pune që e afron me xhennetin dhe e
largon nga xhehnemi, i tha: “Adhuroje
All-llahun dhe mos i bëj shirk Atij,
fale namazin, jepe zekatin dhe ruaji
lidhjet farefisnore”[8]
E ndoshta, një ndër thëniet më të
mrekullueshme e më kulmore të Hz.
Muhammedit (a.s) në lidhje me këtë temë
dhe dimensionet e mëdha të ruajtes së
lidhjeve farefisnore dhe miqësore në
Islam, është edhe sihariqi i tij (a.s),
kur tha: “Ju do ta çlironi Egjiptin
(Misirin), një tokë ku përdoret kirati
(monedha e përdorur asokohe atje). Kur
të hyni atje, silluni mirë me ta, sepse
ata kanë ndër ne besë dhe farefis!”[9],
ose tha: “besë dhe miqësi!”
“Imam Neveviu shpjegon se farefisi i
nënkuptuar këtu, është fakti se nëna e
Hz. Ismailit (a.s), (prej nga rrjedh
profeti ynë) Haxherja, është prej tyre,
pra egjiptiane. Ndërsa miqësia e
nënkuptuar është fakti se Marija (nëna e
jonë, gruaja e profetit dhe nëna e
djalit të tij, Ibrahimit), është prej
tyre, pra egjiptiane.[10]
“Silluni mirë me ta, sepse ata kanë ndër
ne besë dhe farefis!”[11],
ose tha: “besë dhe miqësi!”
All-llahut të Madhëruar i lutemi të na
bëjë prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe
veprojnë më të mirën e saj, që ruajnë
hakun e Zotit në familjet dhe farefisin
e tyre dhe që dëshmohen si muslimanë
ndërtues në jetën e tyre!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e “Dy
Vajzave”)
Shkodër, më 3 prill 2015
[1] Kur’ani, En-Nisa: 1.
[2] Transmetuar
nga Imam Bukhariu në “El-Edeb”.
[3] Transmetuar
nga Imam Bukhariu në “El-Edeb”, po aty.
[4] Shejkh Ali
Esh-Sherbexhi, “El-erbaunel-mukhtare
fil-fedailid-dinijjeti vel-insanijje”,
botimi i parë, Kuvajt, 2006, f. 312.
[5] Shejkh Ali
Esh-Sherbexhi, vep. e cit., f.313.
[6] Transmetuar
nga Muslimi etj, nga Ebu Hurejra (r.a).
[7] Transmetuar
nga Bukhariu në “El-Edeb” dhe Muslimi.
[8] Transmetuar
nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Ejjub
El-Ensariu (r.a).
[9] Transmetuar
nga Muslimi, nga Ebu Dherri (r.a).
[10] Shejkh Ali
Esh-Sherbexhi, vep. e cit., f. 319.
[11]
Transmetuar nga Muslimi, nga Ebu Dherri
(r.a).