“A nuk e kam falur namazin? …
– Po, o armik i All-llahut!…”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë Zotit të Vetëm të gjithësisë, All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit, Udhëzuesit, i Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t'i ktheni fytyrat tuaja nga lindja ose nga perëndimi, por mirësi e vërtetë është besimi në All-llahun, në ditën e gjykimit, në melekët, në librat (e zbritur), në të dërguarit dhe (vepra e atij që) pasurinë që e do, ua jep të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zekatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertët dhe të tillët janë ata të përkushtuarit (që e kanë dro All-llahun)”[1]
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë, zotërisë tonë, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte: “… Muslimani është vëlla i muslimanit; nuk i bën padrejtësi, nuk e gënjen, nuk e përçmon! Takvaja (ndjenja e drojes së All-llahut) ËSHTË KËTU – dhe bënte me shenjë nga gjoksi i tij, tre herë – …”[2]
 
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë,

Në këshillat e tij drejtuar të birit, Lukmani i urtë thoshte: “Biri im, druaju All-llahut dhe mos i trego njerëzve që i frikësohesh Atij, për t’u nderuar prej tyre për veprën tënde, ndërkohë që zemrën e ke të shthurrur!”[3]
           
Takvaja, si fjalë në gjuhën arabe, buron nga kuptimet e “ruajtjes nga e keqja dhe të mbrojturit prej saj”[4], ndërsa në kuptimet e terminologjisë fetare është: “kur njeriu vendos një mburojë në mes vetes dhe asaj gjëje, për veprimin e së cilës mund të ndëshkohet, duke iu nënshtruar urdhëresave të Zotit dhe duke respektuar ndalesat e Tij”.[5]
           
Tema e takvasë është e një rëndësie të veçantë në jetën e muslimanit, ajo është thelbi i veprimtarisë së tij të përditshme, burimi i drejtimit të veprave të tij, sjelljes, fjalëve, mendimeve, vullnetit për të bërë mirë dhe për të dëshmuar vlera në jetë, pa kërkuar shpërblimin egoist të njerëzve.
           
Në këshillat e tij, dijetari dhe edukatori i shquar, Shejkh Abdulkadir Xhejlaniu (470-561 h.) thotë: “Ndreqja e zemrës ndodh me drojen dhe mbështetjen në All-llahun e Madhëruar, njësimin e Tij dhe sinqeritetin në vepra. Prishja e zemrës ndodh nga e kundërta e kësaj!”[6]

Poashtu, në një prej mexhliseve të tij, ai i ishte drejtuar të pranishëmve me këto fjalë: “Ai që kërkon fisnikërim në këtë botë dhe në tjetrën, le t’i druhet All-llahut të Madhëruar, i Cili ka thënë: “e s'ka dyshim se tek All-llahu, më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat)”[7] Fisnikërimi vjen nga droja e Tij, poshtërimi, nga kundërshtimi i Tij! Ai që kërkon pushtet, le të mbështetet tek All-llahu, sepse mbështetja e ndreq dhe e forcon zemrën, e dlirëson, e udhëzon dhe i tregon çudira! Mos u mbështet në dërhemet as në dinarët e tu.., mbështetu tek All-llahu se kjo mbështetje të forcon dhe të ndihmon, ajo të hap dyer të pallogaritura dhe të forcon zemrën!”[8]
           
Në të vërtetë, krejt ne kemi nevojë që herë pas here ta pastrojmë nijetin tonë, me qëllim që të kërkojmë në vazhdimësi më të mirën në marrëdhëniet tona me Zotin. Sepse kjo marrëdhënie është edhe rregullatori i krejt jetës, i marrëdhënieve në shoqëri, i dëshmimit në jetë, i prezantimit përherë e më shumë në rritje progresive, si muslimanë, shembull për t’u ndjekur nga kushdo.
 
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë,

Në hadithin e transmetuar nga sahabiu i nderuar Muadh ibn Xhebel (r.a), Resulull-llahu (a.s) porosit qartë: “Druaju All-llahut kudo që të jesh, pasoje të keqen me një të mirë, ta fshish atë dhe, sillu me njerëzit me sjellje të mirë!”[9]

Në shpjegimin e këtij hadithi dijetarët kanë thënë se: “Takvaja është përmbledhja e krejt të mirave dhe mburoja nga çdo e keqe. Për shkak të saj, besimtarët kanë merituar mbështetjen dhe përkrahjen hyjnore: “S'ka dyshim se All-llahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës”.[10] Për të, u ka premtuar rizk të begatë dhe çlirim nga vështirësitë: “e kush u përmbahet dispozitave të All-llahut, atij, Ai i krijon rrugëzgjidhje (në jetë), dhe e furnizon prej nga nuk e pret!”.[11] Për të, u ka premtuar mbrojtje nga komplotet e armiqve: “Po, në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe ruheni (prej mëkateve), dinakëria e tyre nuk do t'u dëmtojë aspak”.[12] Të përkushtuarve u ka premtuar mëshirën e Tij: “mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët u ruhen (mëkateve)”[13]…”[14]

Nga sa më lart, ne si muslimanë e kemi për detyrë të reflektojmë përherë e më tepër në mënyrën sesi e trajtojmë ne Zotin në jetën e përditshme, si mendojmë për Të, si gjykojmë për veprat tona, para se t’i veprojmë, sa thellohemi për fundin e punëve, para se t’i nisim, si vlerësojmë urdhëresat e Tij dhe sa privohemi nga haramet, me bindjen se po bëjmë gjënë e duhur, pa asnjë dëshpërim a peng në zemër!

Si muslimanë, ne jemi të ftuar të dorëzohemi para duarve të Krijuesit të gjithësisë, duke përdorur mendjen dhe zemrën, me të cilat na ka bërë të dallohemi nga krijesat e tjera, jo duke i nxjerrë jashtë funksioni (siç shpifin për ne, ateistët), për ta përdorur veten tonë për çdo të mirë, për ta dritësuar atë me Dritën e mëshirës së Tij dhe për ta bërë secilin prej nesh thirrës, i dëshmuar me veprën dhe sjelljen e tij!
 
Në përfundim, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj ndodhinë vijuese: [Shejkh Davud Taiu (All-llahu e mëshiroftë), kaloi pranë një varri dhe dëgjoi një zë që vinte nga brenda. Thoshte: “A nuk e kam falur namazin? A nuk e kam dhënë zekatin? A nuk kam bërë këtë e atë?” Ndërkohë, një zë i përgjigjej duke i thënë: “Po, o armik i All-llahut! Por, sa ishe në atë botë, kur ishe vetëm, e sfidoje All-llahun me gjynahe dhe nuk i druheshe Atij!”][15]

All-llahumme na bëj nga ata që e dëgjojnë fjalën dhe veprojnë më të mirën e saj, na udhëzo drejt mirësive të takvasë dhe na bëj prej atyre kërkojnë pëlqimin dhe kënaqësinë Tënde, në këtë botë dhe në të përtejmen! Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit Bardhaj)
Shkodër, më 27 mars 2015


[1] Kur’ani, El-Bekare: 177.
[2] Transmetuar nga Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[3] Muhammed Khajr Ramadan Jusuf, “Lukmanul-hakim ve hikemuhu”, botimi i tretë, Damask, 1994, f. 105.
[4] Grup autorësh prej gjuhëtarëve të mëdhenj arabë, “El-mu’xhemul-arabijjul-esasi”, fjalor i gjuhës arabe, Tunizi, 1988, f. 1328.
[5] Dr. Mustafa El-Bugha dhe Muhjiddin Misto, “El-vafi fi sherh el-erbainen-Nevevijje”, Damask, pa vit botimi, f. 122.
[6] Shejkh Abdulkadir El-Xhejlani, “El-fet’hur-rabbani vel-fejdurr-rrahmani”, Bejrut, pa vit botimi, f. 9.
[7] Kur’ani, El-Huxhurat: 13.
[8] Shejkh Abdulkadir El-Xhejlani, vep. e cit., f. 173.
[9] Transmetuar nga Tirmidhiu, që thotë: “Hadith hasen” e diku tjetër: “Hasen Sahih”. Sikurse transmetohet me rrugë të tjera edhe nga Imam Ahmedi, Bezzari, Tabaraniu, Hakimi etj.
[10] Kur’ani, En-Nahl: 128.
[11] Kur’ani, Et-Talak: 2-3.
[12] Kur’ani, Ali Imran: 120.
[13] Kur’ani, El-A’raf: 156.
[14] Dr. Mustafa El-Bugha dhe Muhjiddin Misto, vep. e cit., f. 124.
[15] Abdull-llah Siraxhuddin, “El-hedjun-nebevvijju vel-irshadatul-Muhammedijjeh”, botimi i parë, Damask, 2001, f. 267.

 


“A nuk e kam falur namazin? … – Po, o armik i All-llahut!…”
“A nuk e kam falur namazin? … – Po, o armik i All-llahut!…”
“A nuk e kam falur namazin? … – Po, o armik i All-llahut!…”
“A nuk e kam falur namazin? … – Po, o armik i All-llahut!…”
“A nuk e kam falur namazin? … – Po, o armik i All-llahut!…”
“A nuk e kam falur namazin? … – Po, o armik i All-llahut!…”