“Islami do të mbetet fé e krenarisë
dhe e përparimit!”

Më tërhoqi vëmendjen një nga ligjëratat e dijetarit të shquar islam Shejkh Ahmed Keftaro, të mbledhura në një prej librave të tij të botuar. Teksa flet për praktikimin e Islamit dhe frytet e tij, thekson se: “Feja është një kushtetutë qiellore, e zbritur nga Krijuesi i botrave për të garantuar lumturinë e njeriut, qetësinë, sigurinë dhe mirëqenien e tij. Feja e ka obliguar njeriun të punojë çdo gjë të dobishme dhe të vlefshme, sikurse ia ka ndaluar atij veprimin e çdo gjëje të dëmshme, për individin a për shoqërinë… Feja është kulturë dhe dije, studim dhe kuptim! Feja është shëndet dhe pastërti, vullnet dhe këmbëngulje, që nuk njeh lodhje as tërheqje…”[1]
           
Në realitetet e sotme, shpesh ndeshemi me pyetje të ndryshme, që kanë një të përbashkët: “Përse muslimanët, thuajse kudo nëpër botë, po kalojnë momente, shpesh të frikshme, në përballjen e tyre me vete shpirtin e fesë dhe ballafaqimin e tij me shoqëritë, sidomos ato perëndimore?”
           
E vërteta është se Islami është model i përkryer në edukimin e individit, në udhëzimin e tij drejt përsosmërisë së paraqitjes së tij në shoqëri si një shembull i heshtur, të cilit i flasin veprat, sjellja, morali, puna, mirësjellja, mirëkuptimi, sinqeriteti, distancimi total nga e pavërteta dhe respektimi i kufijve të hallallit dhe të haramit.
           
Nga këtu, duke lexuar me përsiatje në vende të ndryshme në Kur’an, por edhe në fjalët e të dërguarit të All-llahut, Hz. Muhammedit (a.s), muslimanët janë të ftuar të kërkojnë më të mirën në jetën e tyre; në dije, në sjellje, në moral, në ekonomi, në pushtet, në drejtim, në art, në kulturë, në çdo gjë! 

Nuk i shkon muslimanit të jetë hije e dikujt, as i dytë, as frikacak, as i padrejtë, as servil, as mashtrues, as tinzar, as të ndjehet në faj për diçka që nuk e ka bërë. Muslimani nuk ka komplekse në jetë dhe nuk mund ta frenojë ecurinë e shembullit të tij në përditshmërinë e të jetuarit, asnjë keqpërdorim i fesë, nga kushdo e kudo!

Atyre që abuzojnë sot me emrin e Islamit, duke hedhur shashka paditurie dhe etiketime raciste, u thuhet: “Mos jepni vendime mbi Islamin nga sjellja e rebelëve! E vërteta është se ka muslimanë të prapambetur, jo Islam të prapambetur!”[2]

Musliman i mirë është ai që mendon mirë për tjetrin, që kontribuon për të mirën, që jep në shoqëri për më të mirën e saj, që mban besën dhe që nuk shkel parimet! 

Në hadithin profetik, të gjithëve ne na serviret një shembull: “Çdo musliman e ka obigim të japë sadeka (lëmoshë)! I thanë: Po sikur të mos ketë? Tha: Punon me duart e tij, i bën dobi vetes dhe njerëzve, pastaj jep sadeka! I thanë: Po sikur të mos ketë mundësi? Tha: Ndihmon nevojtarin e raskapitur!”[3] (Unë e kujtoj mirë gjyshin tim rahmetli, që më edukonte të ndihmoja të moshuarit në rrugë, t’u liroja vendin në autobus, mundësisht, të mos ecja as para tyre, në shenjë respekti).

Muslimani nuk lejon që njerëzit-gram (sepse në shoqëri ka plot të tillë), ta zënë në pabesi, sepse grami, pas lajkës e fërkimit të duarve, të nxjerr sytë! Nga dora e muslimanit është e shpëtuar shoqëria. Nga gjuha e tij, poashtu!

Resulull-llahu (a.s) thoshte: “Musliman është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit, njerëzit janë të shpëtuar”[4] Ndërsa në një transmetim tjetër shtohen edhe këto fjalë të mreklullueshme: “… dhe besimtar është ai, prej të cilit njerëzit janë të sigurtë në gjakun dhe pasurinë e tyre”[5]

Muslimani ndihmon, kur është koha për të dhënë, mundësisht në heshtje (për të arritur kënaqësinë e All-llahut, jo famën a falënderimet e njerëzve, edhe pse mirënjohja dhe falënderimi ndaj mirëbërjes është nxitje e shenjtë), respekton të drejtat e bashkëqytetarisë dhe besimin e tjetrit; nuk shan as fyen besimet e të adhuruarit e tjerëve! Muslimani është i brumosur se në fé, nuk ka dhunë! (këtu, do të mjaftonin shembujt e kalifatit osman në marrëdhëniet e tyre me të krishterët dhe hebrenjtë, si shembulli më i afërt me kohën tonë, edhe për të ndrequr një propagandë të keqe të historianëve komunistë dhe të disa klerikëve abuzues me të vërtetat e kësaj historie të lavdishme).

Muslimani nuk shan, as mallkon, ndonëse edhe ai është njeri, si krejt njerëzit, që ka emocione, ndjenja, caqe dhe kufij! Nuk nënçmon, as paragjykon! 

Në hadithet profetike, mësojmë se: “Besimtar nuk është ai, që flen i ushqyer, ndërkohë që komshiu i tij është i uritur”[6] Poashtu thotë: “Muslimani nuk është fyes, as mallkues, as është arrogant, as gojëndyrë!”[7]

Muslimani e di mirë se kjo botë e ka një fund dhe se të gjithë njerëzit do të dalin të barabartë para Zotit të gjithësisë, në një ditë që do të vijë, e pranoi kush e pranoi dhe e mohoi kush e mohoi!

Muslimani jeton në paqe, me Zotin, me veten, me tjetrin, por nuk lejon që në emër të saj të zihet gafil për t'u poshtëruar!

Prandaj është mirë, që muslimanët, secili prej nesh, të shikojë në vetveten e tij, të bëjë një llogari sesa musliman është dhe sa dëshmitar i ndershëm është ai në hak të fesë së tij!

Sot, secili prej nesh duhet ta ketë bindje se: “Dobia e besimit ndaj shoqërisë është e pamasë, nuk llogaritet! Aty ku nuk arrin dora e ligjit dhe e shtetit, aty mbërrin dora e besimit, vetvetiu! Kështu, besimtari vetëllogaritet, para se ta llogarisin njerëzit! ... Ky besim nuk e nxjerr jashtë loje mendjen, por e vendos atë në pozitën e pëlqyer nga Zoti, në më të lartin imazh!”[8]

Sot, më shumë se kurrë, ne nuk kemi nevojë të na flitet për “terrorizmin islamik”, “ekstremizmin fetar” e “dhunën në emër të Islamit”, si për të na bërë të ndjehemi në faj e kokëulur për diçka që nuk ka lidhje me fenë tonë, as prej afër, as prej larg!

Sot, detyra e jonë është të prezantojmë sa më qartë e me argumente bindëse mrekullinë e Islamit dhe nevojën e madhe që ka njerëzimi për të, nëpërmjet praktikimit të tij në jetën e përditshme. Pjesa tjetër, është liria e përzgjedhjes individuale të kujtdo që ka akoma dyshime e paqartësi!

Dhe, siç thotë historiani i shquar damasken, Dr. Sheuki Ebu Khalil: “Islami do të mbetet fé e krenarisë dhe e përparimit! Nuk mundet një vëzhgues objektiv ta etiketojë atë si të prapambetur!”[9]

Kështu thuaj edhe për muslimanin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Në vend të një hytbeje të munguar)
Shkodër, më 20 mars 2015

[1] Shejkh Ahmed Keftaro, “Min hedjil-Kur’an”, përgatitur për botim nga Zahir Ebu Davud, Damask, pa vit botimi, f. 11. (Në fund të shkrimit me titull: “Praktikimi i Islamit dhe frytet e tij”, që mban shënimin: “Ligjëratë e mbajtur më 29.3.1961”).
[2] Shejkh Mutevel-li Esh-Shaaravi, “Shubuhat ve ebatil khusumil-Islam ver-reddu alejha”, botimi i dytë, Bejrut – Kajro, 1987, f. 111.
[3] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[4] Transmetuar nga Imam Ahmedi, nga Abdull-llah ibn Amr (r.a).
[5] Transmetuar nga Imam Ahmedi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[6] Transmetuar nga Bukhariu në “El-Edeb”, Tabaraniu, Hakimi dhe Bejhekiu, nga Ibn Abbasi (r.a). Në shjegim të këtij hadithi, Imam Mennavi, thotë: “Prandaj, është turp që njeriu të ngopet, ndërkohë që komshiu i tij është i uritur”. Si në: “Fejdul-Kadir”, botimi I, Bejrut, 1996, vëllimi i pestë, f. 437.
[7] Transmetuar nga Imam Ahmedi, Bukhariu në “El-Edeb”, Ibn Hibbani dhe Hakimi, nga Ibn Mesudi (r.a).
[8] Dr. Sheuki Ebu Khalil, “Araun jehdumuhal-Islam”, botimi i gjashtë, Damask, 1996, f. 36-37. 
[9] Dr. Sheuki Ebu Khalil, “El-Islam ve harekatut-tehar-ruril-arabijje”, botimi i pestë, Damask, 1991, f. 15.

 


“Islami do të mbetet fé e krenarisë dhe e përparimit!”