Aktivitet fetaro-kulturor
më nxënësit e xhamive të Shkodrës
14 mars 2015
Myftinia Shkodër në
kuadër të aktiviteteve të përkujtimit të
Pejgamberit Muhammed (a.s) organizoi
ditën e shtunë, më 14 mars 2015, në
xhaminë e Parrucës një aktivitet të
madh fetaro-kulturor me nxënës dhe
nxënëse të kurseve fetare që zhvillohen
pranë xhamive të rrethit Shkodër.
Merrnin pjesë rreth 500 nxënës, të
shoqëruar me imamët–mësuesit e tyre,
prindër, xhematë nga xhamitë
pjesëmarrëse, të cilët kishin mbushur
plot xhaminë si një ditë xhumaje.
Pas hapjes me lexim nga Kur’ani
famëlartë, përshëndeti teologu Arben
Halluni, përgjegjës i arsimit pranë
Myftinisë Shkodër, i cili gjatë
përshëndetjes falënderoi Allahun (xh.sh)
dhe të gjithë bashkëpunëtorët e
organizimit të këtij aktiviteti me vlera
të larta arsimore, kulturore dhe
edukative. Ai tha se këto veprimtari
kanë për qëllim më shumë se kurrë
afrimin e brezit të ri në shtëpitë e
Allahut, si garanci për të shpëtuar
njeriun e çdo moshe nga humbja e
besimit, nga prishja e moralit dhe e
personalitetit të njeriut. Teologu
Halluni theksoi se, xhamitë janë vatër
ku fëmijët dhe të rinjtë tanë mësojnë
frymën e vërtetë dhe të drejtë islame,
parimet e dashurisë në mes njerëzve,
paqes dhe harmonisë me të gjitha
krijesat e Krijuesit të gjithësisë.
Më pas programi vijoi nga kori i
nxënësve më këndimin e salavateve,
ilahive, recitimeve për Profetin e
Islamit, lexim të Mexhlis-Hadith
(porosive profetike), një traditë e re
kjo e Myftinisë Shkodër për të tërhequr
vëmendjen e besimtarëve rëndësinë dhe
vlerën që kanë mësimet profetike në
jetën e myslimanit etj.
Gjithashtu gjatë këtij aktiviteti u
zhvillua edhe një konkurs fetar midis
xhamive pjesëmarrëse dhe në fund një nga
nxënësit lexoi hytben e lamtumirës të
dërguarit të Allahut, Muhamedit (a.s).
Disa xhami që morën pjesë më nxënësit e
tyre në këtë aktivitet janë, xhamia:
Parrucë, Tophanë, Rus, Kiras, Boks,
Dragoç, Kullaj, Bardhaj, Mes-Myselim,
Fshati i Ri, Gur i Zi, Golem, Shirq,
Muriqan, Luarëz, Vukatanë dhe
Barbullush.
Aktivitete të tilla do të zhvillohen
edhe në të ardhmen me xhamitë e tjera që
kanë kurse të mësim-besimit islam.