Muslimanët e Shkodrës dhurojnë gjak
për talasemikët
13 mars 2015
Ditën e xhuma, më 13
mars 2015, gjatë hytbes së xhumasë në
xhaminë e Parrucës, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, ka bërë thirrje për
të dhuruar gjak për fëmijët talasemikë
dhe të sëmurët e ndryshëm që kanë nevojë
për këtë ndihmë njerëzore.
Myftiu ka lajmëruar se pas përfundimit
të namazeve dhe lutjeve të kësaj
xhumaje, në bashkëpunim me Bankën e
Gjakut, në xhaminë e Parrucës,
besimtarët do të dhurojnë gjak me qëllim
shpëtimin e jetëve dhe ndihmën e
nevojtarëve.
Myftiu, imamët dhe besimtarë të shumtë
kanë dhuruar nga gjaku i tyre, duke
dhënë një mesazh të rëndësishëm, në
shpëtim të jetës dhe në ndihmë të
sëmurëve të ndryshëm, që vuajnë nga
mungesa e gjakut.
Para mediave të pranishme, Myftiu i
Shkodrës ka theksuar se kjo fushatë po
kthehet në një traditë të dobishme për
Myftininë e Shkodrës, ku herë pas here
janë zhvilluar dhurime të tilla për
Bankën e Gjakut.
“Unë do të isha shumë i lumtur po të
dija se gjaku që dhuruam sot, do të
shpëtojë, qoftë edhe një fëmijë
talasemik a një njeri në nevojë! Kur’ani
Famëlartë na mëson se kush shpëton një
jetë njeriu, është si të kishte shpëtuar
tërë njerëzimin” – ka thënë Myftiu në
mesazhin e tij për mediat e pranishme.
Myftinia Shkodër falënderon të gjithë
ata që iu përgjigjën thirrjes së saj,
sidomos të rinjtë, që nuk hezituan për
t’u bërë pjesë e kësaj tradite bamirëse
dhe njerëzore, në ndihmë të fëmijëve
talasemikë.