“Dhe njerëzve thoni fjalë të mira…”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Zotit të vetëm të gjithësisë, i Cili, nëpërmjet Fjalës së Tij, na përkujton shembullin e të shkuarve dhe gabimet e tyre, për të marrë udhëzimet dhe për t’u distancuar nga devijimi dhe mosndjekja e udhëzimit. Thotë në Kur’anin Famëlartë: “(Përkujtoni) Kur ne morëm zotimin e bijve të israilit; mos adhuroni tjetërkë përveç All-llahun, të silleni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimave, ndaj të varfërve dhe njerëzve thoni fjalë të mira! Faleni namazin dhe jepni zeqatin, e pastaj ju e thyet zotimin dhe përveç një pakice prej jush, ia kthyet shpinën zotimit.”[1]
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta, ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë zotërisë tonë, Hz. Muhammedit (a.s), zotërisë së bijve të Ademit, i cili teksa falej në mesin e shokëve të tij, një ditë prej ditëve, erdhi një person që mezi merrte frymë dhe tha: “All-llahu ekber, Elhamdulil-lahi hamden kethiren  tajjiben mubareken fihi”[2] Kur i Dërguari i All-llahut (a.s) e përfundoi namazin, pyeti: “Kush ishte ai që foli?” Njerëzit përreth heshtën. Tha (a.s): “Nuk ka thënë gjë të keqe”. Personi tha: Unë, o i Dërguar i All-llahut. Resulull-llahu (a.s) tha: “Pashë dymbëdhjetë melekë, që garonin se kush do t’i lartësonte (drejt qiejve) ato fjalë”[3]
 
Të dashur vëllezër dhe të nderuara motra,

Gjatë leximeve të ditëve të fundit, më tërhoqi vëmendjen një dialog interesant, që i ka ndodhur Shejkhul-Islamit Abdull-llah Ibnul-Mubarek (118-181 h.), me një plakë të përkushtuar, në kthim nga vendet e shenjta, pas përfundimit të haxhit. (Kujtoj se këtë dialog të pashembullt, e kam përkthyer të plotë në gjuhën shqipe, kur ende isha nxënës në Damask, në vitet e para të mësimit të gjuhës arabe).
           
Thotë Ibnul-Mubarek[4]: “Dola në rrugën e kryerjes së haxhit, drejt Shtëpisë së All-llahut dhe vizitës së varrit të Profetit të Përzgjedhur, Muhammedit (a.s). Në kthim, pashë diçka të zezë dhe, kur u afrova, ishte një plakë e veshur dhe e mbuluar me rroba të leshta.

I thashë: Es-selamu alejkum ve rahmetull-llahi ve berekathu.
Tha: “Selamun kaulen min Rabbin Rahim”[5]
I thashë: All-llahu të mëshiroftë, ça bën e vetme në këtë vend?
Tha: “Men judlilil-Lahu fela hadije leh”[6]
Thotë Ibnul-Mubarek: E kuptova se kishte humbur rrugën.
E pyeta: “Ku do të shkosh?”
Tha: “Subhanel-ledhi esra biabdihi lejlen minel-mesxhidil-Harami ilel-mesxhidil-Aksa”[7]
Thotë Ibnul-Mubarek: E kuptova se kishte kryer haxhin dhe po kthehej për në Bejtul-Makdis.[8]
I thashë: Qysh kur je këtu?
Tha: “Thelathe lejalin sevijja”[9]
I thashë: Nuk shoh të kesh ushqim për të ngrënë!
Tha: “Huve jut’imuni ve jeskini”[10]
I thashë: Me çfarë merr abdes?
Tha: “Fe in lem texhidu maen fetejemmemu saiden tajjiba”[11]
I thashë: Kam ca ushqim me vete, a dëshiron?
Tha: “Thumme etimmus-sijame ilel-lejli”[12]
Thotë Ibnul-Mubarek: E kuptova se ishte agjërueshëm.
I thashë: Por, ky nuk është muaji i agjërimit!?
Tha: “Ve men tetavaa khajren feinnaLl-lahe Shakirun Alim”[13]
I thashë: Por, neve na është lejuar të hamë, kur jemi në udhëtim.
Tha: “Ve en tesumu khajrun lekum in kuntum ta’lemun”[14]
Thotë Ibnul-Mubarek: Dhe kur e kuptova se ajo nuk fliste vetëm se me ajete kur’anore, i thashë: Përse nuk më flet siç të flas?
Tha: “Ma jelfidhu min kaolin il-la ledejhi rakibun atid”[15]


Dialogu në mes tyre vazhdon gjatë, deri në një moment, kur në horizont shfaqet një karvan dhe Ibnul-Mubarek e pyet plakën: A ke njeri në këtë karvan?
Tha: “El-malu vel-benune zinetul-hajatid-dunja”[16]
Thotë Ibnul-Mubarek: E kuptova se kishte fëmijë.


I thashë: Ja ku janë çadrat, a ke njeri aty?
Tha: “Vet-tekhedhell-Llahu Ibrahime khalila”[17], “Ve kel-lemeLl-llahu Musa teklima”[18], “Ja Jahja khudhil-kitabe bikuvveh”[19]
Thotë Ibnul-Mubarek: Dhe unë thirra: O Ibrahim, O Musa, O Jahja! Dhe, ia behën tre djem si hëna, që erdhën drejt nesh. Kur u rehatuam pak, ajo u tha: “Feb’athu ehadekum biverikikum hadhihi ilel-medineti fel-jendhur ejjuha ezka taamen fel-je’tikum birizkin minh”[20]

Ndërkohë, njëri prej tyre u largua, për të blerë ca ushqim, që na e solli dhe na e vendosi para duarve.

Plaka tha: “Kulu vesh’rebu henien bima esleftum fil-ejjamil-khalije”[21]
Thotë Ibnul-Mubarek: Haram e paça ushqimin tuaj, nëse nuk më tregoni për këtë plakë!
Djemtë thanë: Kjo është nëna e jonë, ka katërdhjetë vite që nuk flet vetëm se me ajete kur’anore, nga frika e gabimit dhe ndëshkimi i Mëshiruesit…
Atëherë, Ibnul-Mubarek tha: “Dhalike fadluLl-llahi ju’tihi men jeshau vaLl-llahu dhul-fadlil-adhim”[22]
 
Të nderuar të pranishëm,

Ajo që desha, nëpërmjet kësaj ngjarje të transmetuar nga njëri prej dijetarëve dhe njerëzve të shquar të këtij ymeti, është ftesa që na bëhet për të ruajtur gjuhën, për të përzgjedhur fjalën dhe për të menduar para se të flasim, sepse muslimani është njeri i ruajtur, nga goja e të cilit nuk lëndohet njeri dhe, që me gjuhën e tij ndërton dhe shtron ura qytetarie, besimi, dije, kulture dhe morali.
 
Në përfundim,
           
Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj transmetimin e sahabiut të dashur Enes ibn Malik (r.a)[23], ku thuhet se: “Nuk ka ditë as natë, që cepat e tokës të mos i thërrasin njëri-tjetrit: A ka kaluar pranë teje ndonjë njeri i mirë, që është falur mbi ty apo ka përmendur All-llahun e Madhëruar? Nëse njëri cep thotë: Po, cepi tjetër e konsideron këtë si mirësi të tij mbi të”[24]

All-llahu i Madhëruar na bëftë prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe veprojnë më të mirën e saj dhe i bëftë shembujt e së shkuarës, ushqim për të sotmen tonë, dritësim për jetën dhe model për të ardhmen!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 13 mars 2015


[1] Kur’ani, El-Bekare: 83.     
[2] Në shqip, me përshtatje: “All-llahu është më i madhi. Falënderimi i plotë i qoftë All-llahut, falënderim i pasur, i kulluar, plot begati”.
[3] Transmetuar nga Imam Muslimi, nga Enesi (r.a).
[4] Për më shumë, të shihet: Hamdi Zemzem dhe Muhammed Abdurrahim, “El-mutekel-limetu bil-Kur’an ve kisasun ukhra”, botimi i dytë, Damask, 1990, f. 8-11.
[5] Ajeti 58 i sures Jasin: “Selam, thënie e Zotit mëshirues!”
[6] Ajeti 186 i sures El-A’rafë: “Atë që All-llahu e la në humbje, s'do të ketë udhëzues”
[7] Ajeti 1 i sures El-Isra: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes)”
[8] Kudsi Sherifë, Kryeqyteti i Palestinës.
[9] Ajeti 10 i sures Merjem: “Tre netë”.
[10] Ajeti 79 i sures Esh-Shuara: “Ai që më ushqen dhe më jep të pij”.
[11] Ajeti 43 i sures En-Nisa: “E nëse nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni dheun dhe fërkoni me të fytyrat dhe duart (tejemmum).”
[12] Ajeti 187 i sures El-Bekare: “Pastaj, agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje”
[13] Ajeti 158 i sures El-Bekare: “E kush bën ndonjë të mirë nga vullneti (jo obliguese), s'ka dyshim se All-llahu është shpërblyes i gjithëdijshëm”.
[14] Ajeti 184 i sures El-Bekare: “Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.”
[15] Ajeti 18 i sures Kaf: “Nuk ka fjalë që flet, e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm”, pra: dy melekët që regjistrojnë fjalëte njeriut.
[16] Ajeti 46 i sures El-Kehf: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote”.
[17] Ajeti 125 i sures En-Nisa: “All-llahu e zgjodhi Ibrahimin të dashurin më të ngushtë”.
[18] Ajeti 164 i sures En-Nisa: “E, Musait i foli All-llahu me fjalë”.
[19] Ajeti 12 i sures Merjem: “O Jahja, merre librin me shumë kujdes”.
[20] Ajeti 19 i sures El-Kehf: “Dërgojeni njërin prej jush me këtë argjend (monedhë argjendi) në qytet, e të zgjedhë ushqimin më të mirë, e t'ua sjellë”.
[21] Ajeti 24 i sures El-Hakka: “Hani e pini, shijshëm, për atë që bëtë në ditët e shkuara”. (Me përshtatje).
[22] Ajeti 4 i sures El-Xhumua: “Kjo është mirësia e All-llahut, që ia jep atij që do, e All-llahu është i zoti i dhuntisë së përsosur”.
[23] Tranmetuar nga Tabaraniu në “El-Eusat” dhe Ebu Nuajmi në “El-Hilje”, nga Enesi (r.a), merfu.
[24] Abdull-llah Siraxhuddin, “Suudul-ekval ve ref’ul-a’mal ilel-Kebiril-Muteal”, Damask, pa vit botimi, f. 88.

 


“Dhe njerëzve u thuani fjalë të mira…”
“Dhe njerëzve u thuani fjalë të mira…”
“Dhe njerëzve u thuani fjalë të mira…”
“Dhe njerëzve u thuani fjalë të mira…”