Myftiu, vizitë në Agjencinë Turke
për Bashkëpunim dhe Koordinim

Ditën e hënë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ka zhvilluar një vizitë pune në Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), në Tiranë, ku është pritur nga koordinatori i TIKA-s në vendin tonë, prof. dr. Birol Çetin.
           
Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu ka përgëzuar përfaqësuesin e TIKA-s në vendin tonë, për projektet e dobishme, që ky institucion ka marrë përsipër, në rrugën e ringjalljes dhe meremetimit të gjurmëve të vjetra osmane dhe islame në Shqipëri dhe zbatimin e projekteve sociale në shërbim të qytetarëve.
           
Gjatë këtij takimi, prof. dr. Birol Çeti, ka konfirmuar vullnetin e institucionit që përfaqëson për të shtuar bashkëpunimin me Myftininë e Shkodrës, sidomos në drejtim të projekteve të dobishme, që lidhen me trashëgiminë islame në qytetin e vjetër të minareve dhe gjurmëve islame.
           
U diskutua edhe për rastin e xhamisë së Plumbit dhe gjurmëve të disa xhamive të vjetra, monument kulture, për të cilat nuk ka pasur asnjë interesim nga institucionet përkatëse. Myftiu diskutoi edhe për rastin e xhamisë së Sulltan Mehmet Fatihut në kalanë e Shkodrës, duke e konsideruar atë si një gjurmë të vjetër, me një rëndësi të veçantë për komunitetin e muslimanëve të Shkodrës dhe vetë Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
           
Prof. dr. Birol Çetin e ka vënë në dijeni Myftiun se TIKA ka marrë përsipër të ndërhyjë edhe për plotësimin e xhamisë së bukur të fshatit Trush, e cila pritet të inaugurohet në rastin më të parë, pas përfundimit të ndërhyrjeve të fundit që po bëhen në të.           

Myftiu e ftoi koordinatorin e TIKA-s për një vizitë të shpejtë në qytetin e Shkodrës, për të parë së bashku nga afër disa nga vendet e diskutuara në këtë takim të dobishëm.

 


Myftiu, vizitë në Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim
Myftiu, vizitë në Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim
Myftiu, vizitë në Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim
Myftiu, vizitë në Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim