“Le të heshtim para tij, le të dritësohemi me dritën e tij…”
06 mars 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut të
Madhëruar, Krijuesit Fuqiplotë, i Cili
urdhëron në Librin e Tij Famëlartë: “A
nuk e studiojnë me vëmendje Kur'anin?
Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e
vet!”[1]
Salavatet dhe përshëndetjet më të
përzemërta, ia dërgojmë sot në këtë ditë
dhe në çdo ditë, të dashurit të zemrave
tona, Hz. Muhammedit (a.s), i cili
thoshte: “All-llahu, ka të përzgjedhur
në mesin e njerëzve” I thanë: Kush janë
ata, o i Dërguar i All-llahut? Tha
(a.s): “Njerëzit e Kur’anit, janë të
përzgjedhurit e All-llahut dhe të
afruarit me të”[2],
dmth: të dashurit e Tij.[3]
Të nderuar vëllezër
besimtarë,
Më ka tërhequr vëmendjen një shënim
anësor i dijetarit të shquar të botës
islame, Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh
(1336-1417 h.), në një prej librave të
tij të shumtë, teksa përmend rastin e
një hafizi turk të quajtur Muhammed
Galib El-Istanbuli.
Thotë: “Hoxha i jonë Imam Muhammed Zahid
El-Keutheri, rahmet pastë, në librin e
tij: “Et-tahrirul-vexhiz fima
jebtegihil-mustexhiz”, f. 42, në
zinxhirin e hoxhallarëve të hoxhallarëve
të tij muhadithë, tregon se Hafiz
Muhammed Galib El-Istanbuli (ndërroi
jetë në vitin 1286 h.), e kishte mësuar
Kur’anin përmendësh në muajin Ramazan,
teksa falej si imam në namazin e
teravisë.
Në jetëshkrimin e tij, hoxha i jonë
thotë: Hafiz Muhammed Galibi, i biri i
Kadi Muhammed Emin El-Istanbulit, ndër
dijetarët e spikatur në shkenca, me një
kujtesë shembullore.
Në fillimet e tij u nis drejt një vendi,
për të dhënë vasë në muajin e agjërimit,
si zakoni i studentëve të dijes. Ditën e
parë, pasi dha vasë dhe këshilla fetare,
banorët e atij vendi u kënaqën prej tij
dhe u pëlqeu vasi.
Por, ata e pyetën nëse ishte hafiz
Kur’ani i mirë apo jo? U tha: Jo! I
thanë: Atëherë, ti nuk bën për ne, me
gjithë vasin e mirë që na dhe, sepse
tradita e jonë është që në muajin e
agjërimit ta falim teravinë me hatme
Kur’ani! Ai heshti pak dhe u tha: Kjo
është e thjeshtë. Ata e pranuan, duke
menduar se ai ishte hafiz. E fali krejt
teravinë me hatme të plotë, pa ju
ngatërruar asnjë fjalë, duke mësuar çdo
ditë një xhyz Kur’ani.
Pas bajramit, i tha drejtuesve të atij
vendi: Nuk mjafton vetëm të më uroni
sot, ju duhet të përgatitni edhe një
ceremoni të hivzit të Kur’anit, sepse
unë u bëra hafiz Kur’ani në mesin tuaj
dhe dua që Kur’anin të ma dëgjojë një
nga hafizët e mëdhenj!
Me këtë rast, ata zhvilluan një ceremoni
të madhe. Ndërkohë, nga ai moment,
kishte nisur të lindte dielli i mirësive
të tij.”[4]
Nëpërmjet kësaj dëshmie interesante dua
të shtroj një pyetje, që mendoj se ne si
muslimanë duhet t’ia drejtojmë vetes
(sidomos në këto ditë, kur informacioni
deformues dhe përpjekjet për ta
tjetërsuar mendimin e muslimanit të
paformuar, ndaj fesë së tij, kanë
arritur kulme befasuese): Sa vëmendje i
kushtojmë Kur’anit, Fjalës së Zotit
tonë, në jetën e përditshme? (Dhe këtu
nënkuptoj jo vetëm mësimin e leximit, që
ka vlerën e tij, por edhe kuptimin dhe
zënien e mesazheve të tij, për t’i
përkthyer në modele të jetuara e të
dëshmuara çdo ditë)
Me fjalë të tjera, a nuk është me vend
që secili prej nesh të reflektojë me
shumë përgjegjësi rreth marrëdhënies që
duhet të ketë muslimani me Librin e
Zotit? Sepse, sikurse thoshte Shejkh
Muhammed El-Gazali: “Qëndrimi i
muslimanëve ndaj Kur’anit, me të cilin
janë nderuar, nxit habi! Ka disa shekuj
që thirrja e Kur’anit është ngurtësuar
dhe mesazhi i Islamit është bërë si një
lumë, rrjedha e të cilit është tharë…”[5]
Të nderuar vëllezër
besimtarë,
Ka kohë, që në mesin e muslimanëve,
është zbehur interesimi për ta lexuar me
meditim dhe vullnet praktikimi,
Kur’anin, Fjalën e Zotit të gjithësisë.
Realiteti i përditshëm, është dëshmitar
i heshtur, që nuk të lejon të thuash të
kundërtën.
Sa për ilustrim: Ka kohë, që në mesin e
popullatës tonë muslimane janë përhapur
bestytni të ndryshme dhe forma shirku,
që e largojnë njeriun nga adhurimi dhe
besimi në Një Zot të Vetëm, që është
thelbi i thirrjes kur’anore (“Thuaj: Ai,
All-llahu është Një!”[6])!
Nuk ka nevojë muslimani të lutet as ndër
gurë, as ndër varre, as të kërkojë
mirësinë, nëpërmjet rrugëve ilegjitime
në fenë e tij, që po i shohim sot të
përhapura e të reklamuara, në shumë
forma e mënyra.
Sa pijetore janë të përhapura në qytetet
dhe fshatrat tonë, ku pjesa dërrmuese e
popullatës është muslimane? Sa
supermarkete, në të cilat muslimanët
blejnë ditë pas dite ushqimet e tyre, ka
mallra të pakontrolluara, produkte
derri, alkool pa fund, ndërkohë, po të
pyesim për një pjesë të mirë të
pronarëve dhe tregtuesve në këto njësi
tregtare, do të befasohemi kur të
mësojmë se edhe ata janë muslimanë!?
Përditë e më shumë, në realitetet e
vendit tonë, lakuriqësia dhe paturpësia
(nëpërmjet mënyra të shumta), po
reklamohen me të madhe në vendin tonë,
ndërkohë thirrja e Kur’anit është shumë
e qartë: “(Ky është) Libër i begatshëm,
Ne ta shpallëm ty, që t'i studiojnë
argumentet e tij dhe që të marrin mësim
ata që kanë mend.”[7]
Përherë e më shumë, propaganda të shumta
e të larmishme, nëpërmjet formave të
ndryshme mediatike, po përpiqen ta
shkëpusin Kur’anin dhe moralin e tij nga
jeta e përditshme e muslimanëve. Aq sa,
ajeti kur’anor: [E i dërguari tha: “O
Zot im, vërtet populli im e konsideroi
këtë Kur'an si (diç) të hedhur!”][8],
duket më aktual se kurrë!
“Ndërkohë ymeti islam, nuk e di se në
çfarë mënyre arriti të ndante leximin e
Kur’anit, nga meditimi në ajetet e tij,
saqë muslimani i sotëm e lexon Kur’anin
thjeshtë “për bereqet”, siç i thonë!? A
thua se përsëritja e fjalëve pa ndjerë
kuptimet dhe pa kuptuar qëllimet, ka
dobi a është vetë obkjektivi?!”[9]
Vëllezër besimtarë,
Të kthehemi nga Kur’ani, Libri i Zotit
të gjithësisë, që përmban zgjidhjen,
shërimin, modelin, shembujt më të
përkryer, lajmet e së shkuarës dhe
gabimet e paraardhësve tanë, shembullin
e përkushtimit, durimin e largpamësve,
urtësinë e të kaliturve nga eksperiencat
e jetës, të nënshtruarve ndaj kaderit
dhe të kënaqurve me Zotin e tyre!
Të kthehemi nga Kur’ani, pyetja e të
cilit: “Nga po shkoni?”[10],
duhet të na zgjojë nga hutimi i kohëve
me prekje ateizmi, afetarizmi,
tendencash islamofobike e prekjesh
djallëzore, për t’u kthyer te thirrja e
Zotit tonë, që na drejtohet me mirësinë
e Tij: “O ju të cilët besuat, mos shkoni
gjurmëve të djallit, pse kush ndjek
gjurmët e djallit ai urdhëron për të
shëmtuara dhe urrejtje, e sikur të mos
ishte mirësia e All-llahut ndaj jush dhe
mëshira e Tij, askush prej jush nuk do
të pastrohej kurrë (prej gjynaheve), por
All-llahu e pastron atë që do Ai.
All-llahu dëgjon e di.”[11]
Në fund të kësaj hytbeje,
Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj një
thirrje të fortë besimi dhe arsyeje, nga
një njeri i madh dhe një mendimtar i
thelluar në detrat dhe sekretet e
Kur’anit Famëlartë; Bediuzzeman Said
Nursi, që thoshte: “Nëse ke një mënyrë
për ta vrarë vdekjen dhe për të shuar
zhdukjen e kësaj bote… Nëse ke një ilaç
për eliminimin e paaftësisë dhe
varfërisë nga njerëzimi… Dhe, një mënyrë
për të mbyllur derën e varrit deri në
përjetësi… Silli, pra dhe thuaji, do të
dëgjoj dhe do të bindem! E, përndryshe,
hesht! Sepse Kur’ani Famëlartë po lexon
argumentet e krijesave në xhaminë e
këtij universi të madh. Le të heshtim
para tij, le të dritësohemi me dritën e
tij, le të punojmë me udhëzimin e tij të
urtë, derisa gjuhët tona të njomen me
përmendjen dhe leximin e tij!”[12]
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit
Trush)
Shkodër, më 6 mars 2015
[1] Kur’ani,
Muhammed: 24.
[2] Transmetuar
nga Nesaiu, Ibn Maxheh dhe Hakimi, nga
Enesi (r.a).
[3] Abdull-llah
Siraxhuddin, “Et-tekarrubu ilaLl-llah”,
botimi i parë, Haleb, 1991, f. 75.
[4] Abdulfettah
Ebu Guddeh, “El-ulemaul-uzzab”, botimi i
gjashtë, Bejrut, 2008, f. 182-183.
[5] Muhammed
El-Gazali, “Kejfe neteamelu
meal-Kur’an”, botimi i parë, Mensura,
1992, f. 25.
[6] Kur’ani,
Ihlas: 1.
[7] Kur’ani,
Sad: 29.
[8] Kur’ani,
El-Furkan: 30.
[9] Muhammed
El-Gazali, vep. e cit., f. 27.
[10] Kur’ani,
Et-Tekvir: 26.
[11] Kur’ani,
En-Nur: 21.
[12]
Bediuzzeman Said En-Nursi, “Kul-lijjatu
Resailin-Nur”, vëllimi i parë:
“El-Kelimat”, përkthyer në arabisht, nga
turqishtja, nga prof. Ihsan Salihi,
botimi i tretë, Stamboll, 1998, f. 30.