“Ata që bëjnë dhikër,
morën krejt të mirën me vete!”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, i Cili thotë në Kur’anin Famëlartë: “E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve)”[1]
           
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë, zotërisë tonë, Hz. Muhammedit (a.s), i cili lutej: “All-llahumme të lutem të më dhurosh dije të dobishme dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga dija e padobishme”[2]
           
Të nderuar dhe të dashur xhemati i dijes dhe i njerëzve të saj,
           
Ditën e djeshme, faqja zyrtare e angazhuar në internet për përhapjen e mësimeve dhe këshillave të dijetarit të shquar damasken, shehidit të mihrabit, Dr. Muhammed Said Ramadan El-Buti (1929-2013), publikoi një video. Një pjesë e marrë nga një konferencë e zhvilluar në Damask, në verën e vitit 2002. E kujtoj si tani atë ligjëratë, pasi isha i pranishëm në sallë…
           
Dijetari i shquar, ndër të tjera sjell në vëmendjen e të pranishëmve një moment shumë emocionues, nga vegjëlia e tij. Me gjuhën e emocioneve, që e shoqëronin, dëshmon: “Nuk kisha hyrë akoma në moshën e pjekurisë, kur babai im[3] më mori për dore drejt medresesë. Më tha: “Biri im, sikur ta dija se rruga për të mbërritur drejt All-llahut, kalon nga koshat e rrugës, do të bëja pastrues! Por, vështrova dhe kuptova se rruga që të çon drejt All-llahut, është dija! Dhe, ja, po të marr për dore drejt kësaj rruge. Por, ruaju, mos e bëj dijen shërbëtore të dunjasë tënde! Ruaju, mos e bëj dijen shkallë drejt famës! Kushti i vetëm që kam për ty është ta shfrytëzosh dijen për një qëllim, që s’ka të dytë: arritjen e pëlqimit të All-llahut! A ma jep besën për këtë?” – I thashë: Ta jap besën! (Ndonëse, asokohe isha i vogël dhe nuk ia dija vlerën këtyre fjalëve, si sot. Por, asokohe zotëroja respektin për babën tim!)”[4]
           
Pastaj, m’u kujtua leximi i një hadithi mbi vlerën e dhikrit. E rrëfen Ibn Kajjim El-Xheuzijje (691-751) në një prej librave të tij, teksa shpjegon vlerat e mëdha që ka përmendja e All-llahut në jetën e përditshme.

Thotë: “(E pesëdhjetë e gjashta)[5] Është se njerëzit më të mirë në çdo fushë, janë ata që më së shumti i bëjnë dhikër All-llahut të Madhëruar, në të. Për shembull: agjëruesit më të mirë, janë ata që më së shumti i bëjnë dhikër All-llahut të Madhëruar, haxhilerët më të mirë, janë ata që më së shumti i bëjnë dhikër All-llahut të Madhëruar. Dhe kështu për të gjitha punët.

Rreth kësaj teme, Ibn Ebid-Dunja transmeton një hadith mursel, në të cilin i Dërguari i All-llahut (a.s) u pyet: Xhemati i cilës xhami është më i miri? Tha: “Janë ata që më së shumti i bëjnë dhikër All-llahut të Madhëruar”. E pyetën: Po xhenazja më e mirë? Tha: “Ata që më së shumti i bëjnë dhikër All-llahut të Madhëruar”. E pyetën: Po sakrifikuesit më të mirë? Tha: “Ata që më së shumti i bëjnë dhikër All-llahut të Madhëruar”. E pyetën: Po haxhilerët më të mirë? Tha: “Ata që më së shumti i bëjnë dhikër All-llahut të Madhëruar”. E pyetën: Po adhuruesit më të mirë? Tha: “Ata që më së shumti i bëjnë dhikër All-llahut të Madhëruar”.
           
Ebu Bekri (dmth, Ibn Ebid-Dunja) thotë: “Ata që bëjnë dhikër, morën krejt të mirën me vete!”[6]
           
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë,

Pata dëshirë ta nis këtë hytbe me kujtimet e dijetarit të shquar të kësaj kohe, që në vetvete, janë kujtime që përkthejnë më së miri shpirtin e afrimit të muslimanëve me dijen dhe kërkimin e pëlqimit të All-llahut në jetën e tyre.
           
E pasova me dëshminë e mrekullueshme profetike, rreth vlerës së dhikrit në jetë, sepse dua të tërheq vëmendjen e nxënësve, studentëve dhe kërkuesve të dijes, drejt një fakti shumë të rëndësishëm për jetën e tyre. Dua t’ju them se dija pa dhikrin, është si zogu me një krah. Dhe se dija pa dhikrin, rrezikon të kthehet në dije të padobishme, prej së cilës Resulull-llahu (a.s) kërkonte mbrojtjen e Zotit!
           
Në vijim të logjikës së hadithit të lartpërmendur, pyetja se cili kërkues i dijes është më i miri, do të kishte si përgjigje të natyrshme: “Ai që më së shumti i bën dhikër All-llahut të Madhëruar!”
           
Më lejoni, që brenda konteksteve të kësaj hytbeje, të citoj njërin prej dijetarëve të shquar të shekujve të shkuar, Shejkhul-Islamin Ibn Tejmije (661-728), i cili forcën e vullnetit për të mësuar e për t’u thelluar në dije, e merrte nga dhikri. Sepse “ai kishte virde dhe dhikre, që i vepronte në vazhdimësi”[7]
           
Ibn Kajjim, tregon se e kishte dëgjuar Ibn Tejmijen, teksa lutej në sexhde: “All-llahumme më ndihmo të të bëj dhikër…” dhe se Mësuesi i tij i kishte thënë: “I burgosur është ai që është burgosur zemra e tij nga Zoti i tij i Madhëruar. I robëruar është ai që është robëruar nga epshet e tij”[8]
           
Poashtu, ai i kishte thënë nxënësit të tij të afërt, Ibn Kajjimit, se: “Dhikri për zemrën është si uji për peshkun. E si mund të jetë gjendja e peshkut, kur ndahet nga uji?”. Sikurse thoshte: “Nuk e lë dhikrin, vetëm se me qëllim që të pushoj, në mënyrë që ta shfrytëzoj atë pushim për një tjetër dhikër”[9]
           
Të dashur kërkues të dijes dhe lexues të etur,

Ajo që duhet të përgatisim sot, në këto kohë sprovash dhe intrigash, etiketimesh të pasakta në hak të Islamit dhe muslimanëve, në një kohë kur “mongolët” e kohës tonë, dogjën dhe shkatërruan para pak ditësh bibliotekën e madhe të Mosulit në Irak, me mbi dhjetë mijë libra e dorëshkrime të rralla, në skenat e reja të shfaqjeve islamofobike në botë, është një model i suksesshëm lexuesish dhe kërkuesish të dijes, të cilët janë të lidhur si duhet pas saj, shoqëruar me dhikrin e përhershëm të Zotit.

Vetëm ky model është i denjë dhe i garantuar për të pasur sukses në jetë, veçanërisht në përballje me sfidat e saj.
           
E vërteta është se në këto 25 vite të rimëkëmbjes së Thirrjes Islame në Shkodër e në Shqipëri, ne së bashku kemi dështuar për të promovuar një model të tillë, që garanton edhe më tepër vlera islame dhe cilësi, për të cilat ka nevojë shoqëria e jonë!
           
Ne kemi nevojë, që kërkuesi i dijes së kësaj kohe, të ndjekë shembullin e dijetarit të shquar të shekujve të parë, Imam Muhammed Ibnul-Hasen Esh-Shejbani (132-189), i cili thoshte, se: “Kush dëshiron të largohet qoftë edhe një orë nga kjo dije, le të largohet në këtë moment, sepse puna e jonë është nga djepi deri në varr!”[10]
   
Të dashurit e mi,

Në përfundim, më lejoni të risjell në vëmendjen tuaj, konkluzionin e rëndësishëm, se: “Islami është një fé, që në themelet dhe degëzimet e tij, ngrihet mbi kuptimin dhe diturinë. Dhe, se nuk është adhuruar All-llahu me diçka më të mirë sesa dija, as nuk është prezantuar me diçka më të mirë sesa dija…”[11]

Prandaj ta shfrytëzojmë kohën për t’u thelluar në dije, duke e shoqëruar këtë kohë me përmendjen e vazhdueshme të All-llahut, sepse dija pa dhikrin, është si një trup i bukur, pa shpirt!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Medresesë)
Shkodër, më 27 shkurt 2015


[1] Kur’ani, El-Bekare:31.
[2] Transmetuar nga Ibni Hibbani, nga Xhabir ibni Abdil-lah (r.a).
[3] Dijetari i shquar Molla Ramadan El-Buti (1888-1989).
[4] https://www.facebook.com/naseemalsham?fref=pb&hc_location=profile_browser
[5] Prej vlerave dhe dobive të dhikrit.
[6] Ibn Kajjim El-Xheuzijje, “El-vabilus-sajjib minel-kelimit-tajjib”, botimi i parë, Kajro, 1987, f. 104. 
[7] Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, “El-ulemaul-uzzab”, botimi i gjashtë, Bejrut, 2008, f. 169.
[8] Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, vep. e cit., f. 177.
[9] Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, vep. e cit., f. 178.
[10] Dr. Ali Ahmed En-Nedvi, “El-Imam Muhammed Ibnul-Hasen Esh-Shejbani”, botimi i parë, Damask, 1994, f. 30.
[11] Shejkh Ali Esh-Sherbexhi, “El-erbaunel-mukhtare fil-fedailid-dinijjeti vel-insanijje”, botimi i parë, Kuvajt, 2006, f. 226.

 


“Ata që bëjnë dhikër, morën krejt të mirën me vete!”
“Ata që bëjnë dhikër, morën krejt të mirën me vete!”
“Ata që bëjnë dhikër, morën krejt të mirën me vete!”