Dy fjalë imamëve të Myftinisë Shkodër
në Konferencën e IV-t vjetore
21 shkurt 2015
Të nderuar imamë,
hatibë, thirrës islamë, teologë,
muezinë,
këshilltarë të xhamive të Myftinisë
Shkodër, të pranishëm në këtë takim
vjetor,
Boshti i Konferencës së sivjetshme
sillet rreth personalitetit të imamit,
si prijës, udhërrëfyes, thirrës drejt
vlerave të harmonisë komunitare,
studiues dhe hulumtues në rrethin e tij,
përçues i mesazheve dhe vlerave më të
spikatura të fesë dhe udhëzimit hyjnor.
Ndoshta, realitetet, shpesh të
mjegullta, me të cilat përballet Thirrja
Islame në vendin tonë, në rajon e përtej
në mbarë botën dhe, roli elitar që duhet
të kenë imamët dhe prijësit fetarë në
këto realitete, u bënë një ndër shkaqet
kryesore të kësaj përzgjedhje.
Gjatë leximeve, më tërhoqi vëmendjen
ajeti 63 i sures “El-Maide”. E përmenda
kalimthi edhe në hytben e xhumasë së
djeshme: “E pse paria fetare (e
krishterë dhe jehude) të mos i ndalin
ata (njerëzit e kohës së tyre) nga
thëniet e tyre të rreme dhe nga ngrënia
e haramit (ryshfetit)! Sa punë e keqe
është ajo (e parisë fetare)”.[1]
Dijetari i shquar tunizian, Et-Tahir Ibn
Ashur (1879-1973) shpjegon se në këtë
ajet kemi të bëjmë me një “kritikë për
veprimin e parisë fetare, që lanë pas
dore tërheqjen e vëmendjes dhe ndalimin
e njerëzve nga thënia e gënjeshtrës dhe
ushqimi me haram… kritikë për heshtjen e
tyre në rrugën e ndryshimit të së
keqes”.[2]
Me fjalë të tjera, të gjithë ne,
shërbyes në rrugën e përhapjes së
mësimeve dhe vlerave të fesë tonë
islame, jemi të përfshirë relativisht në
sekretet dhe kuptimet e këtij ajeti
kur’anor. Nuk mund të shpëtojmë dot nga
mirësia që ai rrezaton, në rrugën e
ndreqjes së gabimeve dhe përsosjes së
rrugëtimit drejt arritjes së qëllimeve
të larta në shërbimet tona!
Të nderuar vëllezër imamë
dhe këshilltarë,
Përherë e më shumë, ne kemi nevojë që në
realitetet shqiptare të spikasë
personaliteti i imamit, si shembull për
t’u ndjekur, si burim dije, urtësie,
kulture dhe shpirtmadhësie, që kupton
kohën, vendin dhe individin dhe arrin të
bëjë lidhjet e duhura ndërmjet tyre dhe
argumenteve të fesë, në rrugën e tij
drejt Thirrjes dhe suksesit në të.
Historiani i shquar islam sirian, Dr.
Sheuki Ebu Khalil (1941-2010), teksa
vendos dijetarët, thirrësit dhe imamët
në peshoren e kohës dhe raportet e tyre
me aktualitetin dhe vetë misionin e
tyre, pyet: “Kush është njeriu i ditur?
I dituri, në terminologjinë e Kur’anit
dhe atë të Traditës Profetike, është
kuptuesi i Librit të All-llahut, me
vërtetësitë e tij, personi që vë në jetë
dijen e tij, me qëllim përhapjen e saj,
i larguari me zemër nga çdo gjë tjetër
pos All-llahut, thirrësi me urtësi dhe
këshillë të pjekur.
Ai është bashkuesi i shoqërisë dhe
nxitësi i saj për një jetë më të mirë,
thirrësi drejt largimit nga përçarja.
Njeriu që ka mbledhur në vetvete një
zemër që e përmend All-llahun, të
pastër, të gjerë e të edukuar. Njeri me
një mendje të gjerë e të madhe, që
kupton kohën e tij dhe rrugët e
shpëtimit.
Ai është i dituri me moralin e përkryer,
të trupëzuar në të, që punon me
këmbëngulje për ngulitjen e tij në
zemrat e njerëzve, në shembullin e të
Dërguarit (a.s).
Personi që i kujton njerëzit, kur
hutohen, që u edukon nefsin, u zgjon
vullnetet dhe afron zemrat e tyre…”[3]
Realitetet e sotme shqiptare dhe ato
globale, kanë përherë e më shumë nevojë
për prijës të dalluar fetarë, larg
mendësive të ngurta, interpretimeve të
cunguara, të thata e jooptimiste për
jetën, të sotmen dhe të ardhmen; e afërt
a të largët.
Kemi nevojë të ngulitet në mendjen e
atyre që duan të ndërtojnë dhe të
bashkojnë duart drejt qëllimeve të larta
të Thirrjes së pastër Islame,
këndvështrimi i goditur dhe largpamës i
njërit prej thirrësve më të mëdhenj të
kohës tonë, egjiptianit Shejkh Muhammed
El-Gazali (1917-1996), i cili mendonte
se: “Thirrësi, pa një mendje shkencore
dhe pa një kuptim të paralelizmave në
mes feve dhe njohjen e asaj që kanë të
tjerët; jahudi qofshin, të krishterë a
budistë. Pa njohjen e shkollave të
mendimit bashkëkohor dhe largimit nga
konflikti rreth formave dhe çështjeve
dytësore, si dhe prezantimi i
vërtetësive të Islamit në mënyrë
logjike, që e pranon njeriu perëndimor.
Me fjalë të tjera: “sitja e njohurive
para prezantimit të tyre” dhe kthimi te
burimet e kulturës origjinale islame… Pa
tërë këto që thashë, thirrësi nuk mund
të ketë sukses në misionin e tij!”[4]
Sepse, sikur thotë edukatori i afirmuar
dhe thirrësi i suksesshëm damasken,
Shejkh Rexheb Dib (1930 – jeton në
Damask): “Thirrësi duhet të jetë në
nivel të përgjegjësive të tij dhe të
ketë një përgatitje të denjë për
madhështinë e përgjegjësisë së vendosur
mbi supet e tij!”[5]
Të dashur dhe të nderuar
vëllezër,
Më lejoni, që në mbyllje të kësaj fjale,
t’ju kujtoj një ndër shkaqet e
dhimbshme, që çuan Evropën drejt
afetarizmit dhe laicizmit, siç e
përshkruan dijetari i madh i shekullit
të shkuar, indiani Ebul-Hasen Ali
El-Husejni En-Nedvi (1914-1999), në
kryeveprën e tij: “Çfarë humbi bota nga
dekadenca e muslimanëve”.
Shkruan: “Por, një ndër gabimet më të
mëdha të klerikëve në Evropë dhe ndër
krimet e tyre ndaj vetvetes dhe fesë që
përfaqësonin, është se ata futën në
librat e tyre të shenjtë fetarë, njohuri
njerëzore të padiskutueshme për kohën,
në histori, gjeografi dhe njohuritë e
natyrës. Ndoshta, se ky ishte kulmi i
asaj që ishte arritur në kohën e tyre..,
por, nuk ishte kulmi i arritjes së dijes
njerëzore!? Nëse ato ishin arritjet
kulmore të asaj kohe, kjo nuk do të
thotë se ato arritje nuk do të
ndryshonin, sepse zbulimet njerëzore
janë të prirura drejt rritjes
progresive. Kështu, kushdo që ndërton
fenë mbi këto arritje, ka ndërtuar një
kështjellë mbi një dunë rëre!
Ndoshta, ata vepruan kështu me një
dëshirë të mirë, por ky veprim ishte
krimi i tyre më i madh ndaj vetes dhe
ndaj fesë! Ishte shkak i një përplasje
të fortë ndërmejt shkencës dhe fesë, që
përfundoi me humbjen e fesë. I asaj feje
të përzier me dijen njerëzore, që
përmban edhe të vërteta edhe jo, edhe
pastërti edhe fallcitete!
Ishte një humbje e rëndë, në të cilën
klerikët ranë dhe nuk u ngritën më. Dhe,
më keq se kaq, është fakti se pas kësaj,
Evropa u bë afetare, laike!”[6]
Në përfundim, më lejoni të citoj burrin
e madh dhe të urtë, boshnjakun Alija
Izetbegoviç (1925-2003), i cili, në
fjalimin e tij para Konferencës së
Organizatës së Vendeve Islame, zhvilluar
në Teheran, më 11 dhjetor 1997, ndër të
tjera tha: “Kërkoj ndjesë që do të jem
kaq i hapur. Gënjeshtrat e bukura nuk
ndihmojnë, ndërsa të vërtetat e hidhura
mund të jenë shëruese. … Islami është më
i miri – kjo është e vërtetë, por ne nuk
jemi më të mirët. Këto janë dy gjëra të
ndryshme, të cilat shpesh i
zëvendësojmë”.[7]
All-llahu na ndihmoftë dhe na e bëftë
rrugën dritë, sepse ajo është e gjatë
dhe, sihariqet e të parëve tanë, se “ky
shekull, është shekulli i Islamit”, siç
vazhdimisht e thoshte dijetari i thellë
dhe thirrësi i sukseshëm botëror, Shejkh
Ahmed Keftaro (1914-2004), është sihariq
që kërkon njerëz sakrifikues, në nivelin
e përgjegjësisë!
Konferencës i uroj suksese, referuesve
mbarësi dhe ju dëshiroj çdo të mirë!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
[1] Kur’ani, El-Maide: 63.
(Përkthimi i kuptimeve në gjuhën shqipe
nga H. Sherif Ahmeti, me një përshtatje
të lehtë).
[2] Et-Tahir Ibn
Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, ribotim,
Bejrut, 2000, vëll. i 5- të, f. 145.
[3] Dr. Sheuki
Ebu Khalil, “Me dajja’al-Kur’an?”,
botimi i katërt, Damask, 1998, f. 65.
[4] Dr.
Abdulhalim Uvejs, “Esh-Shejkh Muhammed
El-Gazali, tarikhuhu ve xhuhuduhu ve
arauhu”, botimi i parë, Damask, 2000, f.
52.
[5] Shejkh
Rexheb Dib, “Iddetud-duat”, botimi i
parë, Damask, 2000, f. 65.
[6] Ebul-Hasen
Ali El-Husejni En-Nedvi, vep. e cit.,
botimi i parë, Damask, 1999, f. 189.
[7] Alija
Izetbegoviç, “Kujtime”, Prishtinë, 2008,
f. 410-411.