U zhvillua Konferenca e IV-t e imamëve
dhe këshillave të Myftinisë Shkodër
21 shkurt 2015
Ditën e shtunë, më 21
shkurt 2015, Myftinia Shkodër ka
organizuar Konferencën e IV-t të imamëve
dhe këshillave të xhamive të saj.
Konferenca nisi me leximin e një pjese
kur’anore nga imami Nadi Braqi. Më pas,
teologu Altin Loshi prezantoi qëllimet e
Konferencës dhe ftoi Myftiun e Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari për fjalën e rastit.
Në fjalën e tij, Myftiu theksoi se
realitetet e sotme shqiptare dhe ato
globale, kanë përherë e më shumë nevojë
për prijës të dalluar fetarë, larg
mendësive të ngurta, interpretimeve të
cunguara, të thata e jo optimiste për
jetën, të sotmen dhe të ardhmen; e afërt
a të largët.
Ai theksoi se prijësit e sotëm fetarë
duhet të mësojnë nga gabimet e klerit në
Evropë, që çoi në përplasjen e fesë dhe
shkencës, përplasje që solli afetarizmin
dhe laicitetin e Evropës. Njëkohësisht
përsëriti sihariqet e të parëve, që
dëshmojnë se ky shekull është shekulli i
Islamit!
Njëkohësisht, solli mendimet e disa prej
prijësve të shquar të mendimit dhe
Thirrjes Islame në botë, duke theksuar
se imamët e sotëm kanë shumë për të bërë
për të justifikuar përgjegjësinë e madhe
që mbajnë mbi supe.
Konferenca u përshëndet edhe nga Myftiu
i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj,
që vlerësoi këtë organizim të Myftinisë
Shkodër dhe dha udhëzimet e tij drejtuar
imamëve të pranishëm, me qëllim rritjen
e angazhimeve në shërbim të mësimeve të
fesë dhe përhapjes së tyre në forma nga
më të larmishmet.
Më pas, punimet e Konferencës vazhduan
me referatet e mbajtura nga imamë dhe
teologë, sipas këtij program:
“Imami – paqtues dhe mbrojtës i unitetit
në komunitet”
Idmir Plaku - imam, xhamia “Ebu Bekër”
“Imami – studiues dhe hulumtues në
rrethin e tij dhe përtej”
Lavdrim Hamja - imam, xhamia e “Dy
Vajzave”
“Eksperienca në marrëdhënie me xhematin”
Naim Drijaj - imam, xhamia Parrucë
“Arsimimi dhe edukimi i brezit të ri me
frymën islame”
Arben Halluni - sektori i arsimit,
kulturës dhe medias
“Imami dhe rinia, bashkëveprues drejt të
mirës”
Bashkim Bajraktari - imam, xhamia Perash
Në përfundim u vlerësua kontributi i
dhënë nga imamët e Shkodrës gjatë këtyre
25 viteve dhe u theksua se ky vit, në të
cilin përkujtojmë 25 vjetorin e
rilejimit të fesë, do të jetë dëshmitar
i organizimeve të larmishme në rrugën e
përhapjes së dritës së besimit në
shoqërinë tonë.